
KUKES – Konflikti për kullotën degjeneron në përleshje të armatosur me një të plagosur dhe një person të shpallur në kërkim. Blerim Matranxhi, 27 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Çajtë të rrethit të Kukësit, është qëlluar disa herë me plumba kallashnikovi gjatë kohës kur ishte në kullotë me delet. Policia njoftoi se për të tërhequr të plagosurin, që u zbrit poshtë në fshat, mbërriti dhe një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili e ka transportuar të sëmurin drejt Spitalit Ushtarak dhe pas dhënies së ndihmës së parë është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 të ditës së djeshme tek përroi i Lushit, në bjeshkët e fshatit Çajë. Policia e Kukësit dhe ajo e Dibrës kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë dokumentuar rastin në fjalë, i cili është i paralajmëruar për dy policitë, pasi konflikti për kullotën ka 15 vjet që nuk shuhet. Policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar A.L., nga Kalaja e Dodës. Barinjtë e Komunës grykë e Çajës nga Kukësi dhe Kalasë së Dodës në Dibër kanë vite që konfliktohen, edhe me armë për pronësinë e kullotës. Madje, ditë më parë, dy palët kanë vrarë delet e njëra-tjetrës. Edhe para tri vitesh konflikti shkoi deri në përleshje me armë mes banorëve në kullotat e larta dhe të thella në kufi me Kosovën e Maqedoninë. j.h











