Konflikti për kullotat në Shëngjergj, plagoset 54-vjeçari, kanoset vajza

Aug 28, 2012 | 13:46

TIRANE – Konflikti mes dy familjeve fqinje me njëra-tjetrën, në fshatin Vakumone të Tiranës, është mbyllur me një të plagosur dhe një të arrestuar. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së dielës në fshatin e thellë që ndodhet në malin e Dajtit, në komunën Shëngjergj. Për shkak të terrenit të thyer malor, Policisë i janë dashur disa orë për të shkuar në vendin e ngjarjes. Burime nga Komisariati Nr.4 i Policisë së Tiranës thanë se është bërë i mundur arrestimi i 42-vjeçarit Agim Gega, i cili akuzohet se ka plagosur me drapër fqinjin e tij, Skënder Misku, si dhe ka kërcënuar të bijën, Anita Misku, 24 vjeçe. Gjithashtu i arrestuari akuzohet se ka qëlluar me një armë gjahu teke, që e mbante pa leje, në drejtim të banesës së Osman Miskut, i cili është babai i të plagosurit. Burime nga Policia thanë se konflikti mes familjeve Gega dhe Misku ka nisur prej disa vitesh, fillimisht për çështje pronash, që më pas e kanë zgjidhur duke ndërtuar gardhe edhe në anën e malit, që pretendojnë të jetë pronë e tyre, ndërsa më vonë ka nisur konflikti për kullotat e bagëtive. Autori i dyshuar i ngjarjes ka debatuar për disa muaj me radhë me të dëmtuarin Skënder Misku, pasi pretendonte se bagëtitë e tij po kalonin gardhin e ndërtuar nga ndarja e pronave dhe po kullosnin vazhdimisht në livadhin e tij. Herë pas herë 42-vjeçari Gega pretendonte se veprimi ishte i qëllimshëm nga ana e familjarëve të Miskut, të cilët i lejonin bagëtitë që të kalonin në kullotat e tij dhe për këtë arsye ka nisur edhe konflikti i dy ditëve më parë. Në një moment që ka konstatuar disa krerë bagëti që kishin kapërcyer gardhin dhe po kullosnin në pronën e tij, Agim Gega, i cili ka qenë duke korrur barishte, ka shkuar në banesën e familjes Misku dhe me draprin që mbante në dorë ka goditur në krah Skënder Miskun, 54 vjeç. Ndërsa ka lënë të plagosur fqinjin, ai ka kërcënuar edhe vajzën e tij, që ndodhej po ashtu në oborr, e cila ka kërkuar ndihmën e familjarëve. Në kohën kur nga shtëpia kanë dalë familjarët e të dëmtuarve, autori është larguar duke marrë një armë gjahu në shtëpi dhe në distancë ka qëlluar në drejtim të shtëpisë së fqinjit.

I PLAGOSURI
Skënder Misku, 54 vjeç, i cili mbeti i plagosur me drapër nga fqinji i tij, mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Policia, e mbërritur në vendin e ngjarjes, ka konstatuar se i dëmtuari ishte mjekuar në krah nga një infermiere e fshatit dhe nuk ka preferuar të shtrohet në spital, pasi plaga ka qenë e lehtë.

© Panorama.al

Te lidhura