Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit pranoi dështimin e dikasterit që drejton në lidhje me tregtimin e mishit në vend. Ka qenë akti normativ i nxjerrë nga qeveria që ka mobilizuar Task-Forcën, e cila kësaj here paralajmëron penalitete të forta. “Problematikat e vëna re gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë: së pari, veprime krejt të paligjshme të therjes së kafshëve në ambiente publike, në sheshe, në lokale që nuk përmbushin standardet e sigurisë dhe ushqimore; tregimi i mishit në kushte primitive; apo tregtimin pa ju nënshtruar më parë kontrolleve të nevojshme nga veterinerët”, tha Ruli.
Brenda pak ditësh, pritet ndërhyrja e organizuar e strukturave të 4 ministrive dhe disa institucioneve, për të ndaluar aktivitetin e jashtëligjshëm të therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit. Ministri Ruli deklaroi se malli do të konfiskohet dhe do të aplikohen gjobat sipas aktit normativ. Ato variojnë nga 50-250 mijë lekë. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve u shpreh se brenda një dite do të realizohet mbyllja e aktiviteteve të palicencuara. “Menjëherë, sapo të konstatojmë një biznes të paligjshëm, ne ju garantojmë mbylljen e tij, apo penalizmin sipas ligjeve në fuqi. Punonjësit e Tatimeve do të jenë pjesë e çdo aksioni dhe veprimi në terren, për të garantuar zbatimin e legjislacionit tatimor”, – tha Gazmir Spahija, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
Drejtori i Policisë tha se uniformat blu do të jenë të pranishme në çdo aksion. “Në zbatim të porosisë së dhënë do të shkojnë të gjitha urdhrat për këtë çështje. Shpreh gatishmërinë dhe dispozicionin e të gjitha strukturave të Policisë në zbatim të këtyre planeve”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka evidentuar të gjitha “pikat e nxehta” dhe vendet ku theren kafshë apo tregtohet mish. Brenda pak ditësh pritet që fillimisht të ndërhyhet në aksin Durrës- Fushë-Krujë, në aksion Fushë-Krujë – Milot, në Rrogozhinë, Fier dhe zona të tjera.











