Disiplina dënoi klubin e Kukësit sezonin e shkuar me 6 javë pa tifozë.
Federata: Luhet me tifozë prej inaugurimit të stadiumit të ri.
Ajo që paralajmëroi një ditë më parë “Panorama Sport”, u konfirmua 24 orë më vonë: Kukësi-Luftëtari do të luhet me tifozë. Një gjë e tillë pranohet jo vetëm nga drejtuesit e klubit verior, por edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kështu, edhe pse KF Kukësi është dënuar nga Komisioni i Disiplinës më datë 9 maj 2012 me 6 ndeshje pa spektatorë, për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushën e lojës, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të ndeshjes (në bazë të nenit 66.3/b të KDS-së), një dënim i tillë çuditërisht nuk do të zbatohet, pikërisht nga vetë institucioni që e ka dhënë atë: FSHF-ja. “Për Kukësin është vendosur të bëhet një përjashtim i tillë, i cili konkludon në zhvillimin e ndeshjes me spektatorë për javën e parë të kampionatit ndaj Luftëtarit, meqenëse do të inaugurojnë edhe stadiumin dhe më pas ata do të kryejnë deri në fund dënimin me pezullim të fushës, sikundër është dhënë vendimi. Ata (Kukësi) kanë bërë një shkresë zyrtare, me atë të së cilës kërkojnë që të lejohen të luajnë me spektatorë për këtë ndeshje dhe federata ka vendosur që takimi i parë të luhet me praninë e spektatorëve, pasi nuk do të kishte kuptim që një inaugurim fushe të bëhej pa praninë e sportdashësve”, – ka reaguar zyrtarisht Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet zyrës së shtypit. Gjithsesi, një gjë e tillë përbën një skandal të vërtetë ende pa nisur mirë sezoni. Për më tepër, në valle është futur edhe klubi i Gjirokastrës, i cili ka pranuar për çudi që të luajë ndaj Kukësit me praninë e spektatorëve, edhe pse ishin pikërisht lojtarët e këtij klubi që u dhunuan barbarisht në ndeshjen Kukësi-Luftëtari, të javës së 29-të të Kategorisë së Parë për sezonin e shkuar. Gjithashtu, falja e fushës që në javën e parë bën që sezoni të nisë me një precedent shumë të rrezikshëm, i cili mund të ndikojë negativisht për të ardhmen. Edhe klubi i Shkumbinit është i dënuar dhe kësisoj i lind e drejta të bëjë një kërkesë për faljen e fushës, mirëpo përderisa FSHF-ja ka vendosur rregulla, atëherë ato duhet të zbatohen nga të gjithë. Sakaq, dje përfaqësues të FSHF-së kanë inspektuar krejt formalisht stadiumin e Kukësit, për të parë nëse ky i fundit mund të licencohej apo jo.
Çfarë ndodhi vjet në ndeshjen Kukësi-Luftëtari
Ndeshja e javës së 29-të e Kategorisë së Parë mes Kukësit dhe Luftëtarit u përshkua nga dhuna e tejskajshme. Dy lojtarë të Luftëtarit, Devolli dhe Mersini, si dhe dy të Kukësit, Rexhepi e Mziu, u goditën nga persona të paidentifikuar, kur arbitri i ndeshjes vërshëlleu fundin e saj. Përveç 4 futbollistëve, u godit edhe trajneri i portierëve, Ilirjan Zeko. Por, më keq ka shkuar për Mziun, i cili u plagos me thikë në këmbë dhe përfundoi në spital. Pas këtyre ngjarjeve, Komisioni i Disiplinës e dënoi Kukësin me 6 javë pezullim fushe pa spektatorë.
Starton Superiorja, sot Vllaznia-Skënderbeu
Kategoria Superiore ndez dritën jeshile pikërisht sot në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, me përballjen Vllaznia-Skënderbeu. Starton kështu edhe edicioni i 74-t i kampionatit, i cili zyrtarisht njeh deri tani vetëm tetë skuadra që e kanë fituar të paktën një herë titullin: Tirana 24 herë, Dinamo 18 herë, Partizani 15 herë (nuk marrin pjesë që të dyja në Superiore), Vllaznia 9 herë, Skënderbeu 3 herë, Elbasani 2 herë dhe Flamurtari me Teutën nga një titull kampion. Në ceremoninë e hapjes së këtij sezoni pritet të jetë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe përpara ndeshjes do të zhvillohet një ceremoni.
© Panorama.alSuperiore/ Java 1
Sot
Vllaznia-Skënderbeu 19:00
Nesër
Apolonia-Kastrioti 17:00
KF Laçi-Besa 17:00
Tomori-Tirana 17:00
Të dielën
Bylis-Flamurtari 17:00
Kukësi-Luftëtari 17:00
Shkumbini-Teuta 17:00











