TIRANE- Lotaria Kombetare te administrohet nga shteti. Me kete apel ka dale sot Konfindustria, e cila duke e mbështetur parimisht nismën për organizimin e Lotarisë Kombëtare, kerkon nga qeveria qe te ndalojë vazhdimin e proçedurale tenderuese dhe të marrë përsipër në mënyrë të drejtpërdrejtë administrimin e saj.
Ne nje deklarate per shtyp, ajo vlerëson se “Lotaria Kombëtare për vetë natyrën dhe qëllimin e saj, nuk duhet lejuar të kthehet në një biznes të mirëfilltë, por duhet përdorur si një mjet për të zbutur sadopak nevojat e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të prekur ndjeshëm nga kriza ekonomike. Pikërisht administrimi i drejtpërdrejt nga ana e shtetit i Lotarisë Kombëtare është mënyra e vetme për të arritur qëllimin e mësipërm dhe per moskthimin e saj në një biznes të mirëfilltë”.
Sipas deklarates, është e papranueshme, që të ardhurat e siguruara nga biznesi i lojrave të fatit në emër të shtetit sikurse Lotaria Kombëtare, që nuk sjell asnjë zhvillim ekonomik për vendin dhe nuk prodhon as të mira materiale dhe as shërbime të mirëfillta për qytetarët, por thjesht sigurojnë fitime në thelb spekulative, të lejohen të dalin jashtë arkës publike, qoftë edhe pjesërisht.
“Aq më shumë është e papranueshme nëse këto të ardhura do të dalin jashtë vendit sikurse do të ndodhi nëse operatori, që do të menaxhoje Lotarine Kombëtare do të jetë i huaj”- theksohet me tej.
Sipas saj, paratë e shqiptarëve në asnjë mënyrë nuk duhet të dalin në mënyrë të paarsyeshme jashtë vendit, aq me teper ne kushtet e ndikimit të pasojave të krizës së zgjatur gobale, kur biznesi dhe ekonomia shqiptare të paktën në periudhën afatmesme do të kenë nevojë më shumë se asnjëherë për likuiditet si edhe duke patur parasysh se shtresa të gjera shoqërore të prekur nga kriza ndjejnë domosdoshmërinë e mbështetjes shtetërore.
© Panorama.al











