Konferenca për gratë, Topalli takon Klintonin

Jul 3, 2011 | 9:07
Topalli në takimin me Klintonin

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka marrë pjesë në një konferencën me temë “Gratë promovojnë demokracinë”, organizuar nga Presidentja e Lituanisë dhe ajo e Finlandës. Gjatë konferencës, kryetarja e Kuvendit u takua edhe me sekretaren e Shtetit të SHBA, Hilari Klinton. “Zonja Jozefina Topalli dhe zonja Hilari Klinton, në fjalën e tyre  mbështetën të njëjtin qëllim dhe të njëjtin koncept se mospjesëmarrja e grave në vendimmarrje dhe demokracia kanë një kontradiksion”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Kuvendit. Gjatë qëndrimit në Vilnius të Lituanisë, Topalli u takua me presidentin e Institutit Demokratik Amerikan, Ken Ëallack. “Instituti Demokratik Amerikan ka pasur një kontribut të veçantë gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë në Shqipëri dhe unë ju jam mirënjohëse juve personalisht dhe Institutit tuaj për mbështetjen pa rezerva që i keni dhënë vendit tonë”, u shpreh Topalli gjatë takimit. Të dy bashkëbiseduesit u ndalën në reformat e guximshme të Shqipërisë dhe folën për një Shqipëri të transformuar dhe për optimizmin, me të cilin Shqipëria po orientohet nga e ardhmja. “Demokracia shqiptare e kaloi me sukses, ashtu sikurse SHBA pak vite më parë, një test të demokracisë. Zgjedhjet konkurruese dhe transparente të 8 majit, pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në zgjedhje dhe periudha e apelimeve, treguan në të njëjtën kohë se në Shqipëri vota është e lirë dhe sistemi funksionon. Zgjedhjet e 8 majit ishin zgjedhjet më të mira dhe më të drejta që Shqipëria ka realizuar deri sot”, thuhet në njoftimin për shtyp të Parlamentit.

© Panorama.al

Te lidhura