Konferenca Gjyqësore, ligji në Kuvend

Jul 5, 2012 | 14:59
Nga një mbledhje e Konferencës Gjyqësore

Qeveria kalon projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombë-tare, e cila ndodhet në vakum ligjor që nga viti 2008. Organizmi përfaqësues i gjyqtarëve mund të ketë një ligj të ri, pasi Ministria e Drejtësisë kaloi në qeveri draftin e ri që sjell risi në mënyrë të veçantë në zgjedhjen e anëtarëve të KLD dhe në raportet e Konferencës me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pas kalimit në Këshillin e Ministrave ditën e djeshme, drafti do të kalojë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe më pas mund të diskutohet e të votohet në seancë plenare për të marrë miratimin përfundimtar. Pas përcaktimeve për statusin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ligji i ri thekson se ajo mblidhet të paktën një herë në vit në mbledhje të përgjithshme. Mbledhja thirret me kërkesë me shkrim të kryetarit të KGJK-së, ose të një të tretës së anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv, ose të një të pestës së anëtarëve të KGJK-së. Kërkesa me shkrim për thirrjen e KGJK-së përmban edhe çështjet për të cilat kërkohet mbledhja. Sipas ligjit, për mbledhjen e përgjithshme të KGJK-së njoftohen me shkrim të gjithë anëtarët e saj të paktën 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së caktuar për zhvillimin e saj. Kur mbledhja e përgjithshme e KGJK-së thirret për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së ose me kërkesë me shkrim të anëtarëve të Këshillit Ekzekutiv ose të anëtarëve të KGJK-së, afati i njoftimit mund të shkurtohet, por në çdo rast anëtarët duhet të njoftohen të paktën 10 (dhjetë) ditë përpara datës së mbledhjes.
Pjesë e rëndësishme e ligjit të ri për Konferencën Gjyqësore është zgjedhja e anëtarëve për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në pikën e parë të nenit 9 thuhet se Konferenca Gjyqësore zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e përgjithshme të saj në përputhje me nenin 147 të Kushtetutës, dhe me legjislacionin që rregullon organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas ligjit të ri, anëtarët e KLD-së, që zgjidhen nga KGJK-ja, duhet të jenë:    a) 5 (pesë) gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë; b)  3 (tre) gjyqtarë të gjykatave të apelit; c) 1 (një) gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Sipas draftit që kaloi në qeveri, procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga KGJK-ja fillon me një urdhër të veçantë të kryetarit të KGJK-së për thirrjen e KGJK-së brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data kur: a) mbaron mandati i anëtarit përkatës; b) KLD-ja deklaron mbarimin para afatit të mandatit të anëtarit përkatës; ose kur KLD-ja i paraqet kërkesë KGJK-së për zhvillimin e zgjedhjeve të reja, pasi ka çmuar që zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të KLD-së nuk janë në përputhje me ligjin. Projektligji thekson se kandidatët për anëtarë të KLD-së duhet të propozohen me shkrim nga të paktën 10 (dhjetë) gjyqtarë, që nënshkruajnë propozimin. Propozimit i bashkëngjitet edhe pëlqimi me shkrim i gjyqtarit që kandidon, së bashku me jetëshkrimin përkatës. Një gjyqtar mund të mbështetë vetëm një kandidaturë për çdo vend vakant në KLD. Sipas draftit, gjyqtarët, ndaj të cilëve janë marrë masa disiplinore, për aq kohë sa këto masa janë në fuqi, ndalohen të kandidojnë për anëtarë të KLD-së. Në lidhje me votimin e anëtarëve të rinj të KLD, drafti thekson se Komisioni i Etikës, Verifikimit të Mandateve dhe i përmirësimit të vazhdueshëm profesionale shqyrton plotësimin e kritereve formalo- ligjore të kandidatëve dhe paraqet para KGJK-së raport me shkrim nëse kandidatët i plotësojnë këto kritere. Komisioni i kërkon informacion me shkrim Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili duhet të përgjigjet brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga marrja e kërkesës. Sipas draftit, anëtarët e KLD-së zgjidhen me votim të fshehtë me shumicën e votave në prani të më shumë se dy të tretave të të gjithë anëtarëve të Konferencës Gjyqësore. Në rast se në votimin e parë asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave, menjëherë zhvillohet një raund i dytë votimi mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave për vendin vakant. Sipas ligjit, në mbledhjen e përgjithshme vjetore të KGJK-së, anëtarët e zgjedhur në KLD prej KGJK-së, në mënyrë individuale ose kolegjialisht, duhet të paraqesin një raport të hollësishëm për përfaqësimin e interesave dhe përgjegjësive të pushtetit gjyqësor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Në përfundim të raportimit, KGJK-ja mund të miratojë një rezolutë nëpërmjet së cilës përcakton drejtimet kryesore të veprimtarisë së përfaqësuesve të saj në KLD për vitin e ardhshëm, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Disa nga nenet e draftit
Neni 1

Konferenca Gjyqësore Kombëtare e Shqipërisë
1. Konferenca Gjyqësore Kombëtare e Shqipërisë (KGJK) është mbledhje e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë, gjyqtarëve të gjykatave të Apelit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.
2. KGJK-ja është person juridik publik.

Neni 2
Burimet e financimit
1. KGJK-ja ka buxhet të veçantë që administrohet nga Zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor në bashkëpunim me Këshillin Ekzekutiv të Konferencës.
2. Burimet e financimit të KGJK-së janë buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera, të lejuara nga ligji. KGJK-ja përcakton në rregulloren e saj masën dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të tjera.
3. Buxheti për KGJK-në parashikohet si zë më vete në buxhetin vjetor të gjykatave.

Neni 3
Kompetencat e Konferencës Gjyqësore Kombëtare
KGJK-ja ka këto kompetenca:
a) Zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përputhje me nenin 147 të Kushtetutës, pika 1;
b) Miraton rregulloren e KGJK-së;
c) Mbron dhe promovon pavarësinë e pushtetit gjyqësor;
ç) Diskuton për drejtimet kryesore të veprimtarisë së gjykatave;
d) Paraqet deklarata dhe rekomandime tek autoritetet përkatëse shtetërore për një administrim të paanshëm dhe efikas të gjykatave të Shqipërisë;
dh) Paraqet rekomandime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor;
e) Zgjedh komisionet e përhershme dhe të posaçme sipas këtij ligji;
ë) Ushtron çdo kompetencë tjetër të përcaktuar me ligj.

Neni 4
Organet drejtuese të Konferencës Gjyqësore Kombëtare
Organet drejtuese të KGJK-së janë:
a) Mbledhja e Përgjithshme e KGJK-së;
b) Këshilli Ekzekutiv i KGJK-së;
c) Kryetari i KGJK-së;
ç) Zëvendëskryetari i KGJK-së.

Neni 5
Mbledhja e Përgjithshme e KGJK-së
Mbledhja e Përgjithshme e KGJK-së është mbledhja e të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Shkallës së Parë, gjyqtarëve të gjykatave të Apelit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe është organi më i lartë vendimmarrës i KGJK-së.
Në të marrin pjesë edhe gjyqtarët që shërbejnë në strukturat e tjera shtetërore sipas nenit 28, të ligjit nr.9877, datë 18.2.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, për aq kohë sa ruajnë statusin e gjyqtarit.

Ligji u rrëzua në 2008, kërkon 84 vota
Në dhjetor të vitit 2008, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e mëparshëm për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Kushtetuesja vendosi bazuar në padinë e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, sipas të cilëve Kuvendi gjatë miratimit të ligjit ka shkelur Kushtetutën në disa nene të saj. Argumenti kryesor ishte se Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një institucion i parashikuar në Kushtetutë dhe, për rrjedhojë, miratimi i ligjit të saj duhet të ishte bërë me një shumicë të cilësuar votash në Kuvend.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura