Konferenca e grave dhe bisedimet, Klinton, në tetor në Kosovë

Sep 19, 2012 | 12:01
Hilari Klinton

Hilari Klinton do të mbërrijë në Kosovë, e përveç lajmit të mëparshëm se do të merrte pjesë në konferencën e grave të suksesshme nga e gjithë bota, organizuar nga Presidentja Atifete Jahjaga, vizita e saj do të përdoret edhe për të nxitur bisedimet me Serbinë. Klinton pritet të vizitojë Kosovën në fillim të tetorit. Lajmi ishte publikuar ditë më parë nga gazeta “Lajm” dhe u përforcua dje nga gazeta “Express”. Zyrtarisht Presidenca nuk është prononcuar mbi këtë lajm, por një burim është shprehur për “Express” se “Konferenca pritet të mbahet më 4 tetor, ndërkaq zonja Klinton është një ndër 400 mysafiret e ftuara”, tha një zyrtar i lartë ndërkombëtar, në kushte anonimiteti për “Express”. “Ajo pritet të marrë pjesë në konferencë së bashku me gra lidere nga e gjithë bota, ambasadore dhe ministre të Jashtme… zonja Klinton do të shfrytëzojë punimet e konferencës që të takojë Thaçin, për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, është shprehur burimi. Para takimit me Klinton, Thaçi do të takohet me shefen e diplomacisë europiane, baroneshën Katerin Ashton. Ky takim do të zhvillohet gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sekretarja Klinton është përmendur edhe si bashkëndërmjetësuese e mundshme në këto bisedime, së bashku me baroneshën Ashton.

© Panorama.al

Te lidhura