Konferenca, Dora D’Istria, pararendëse e Europës së bashkuar

Jun 7, 2012 | 15:28

“Dora D’Istria, pararendëse e Europës pa kufij” është titulli i konferencës që zhvillohet sot në Tiranë. Aktiviteti, ideuar dhe realizuar nga Raina Kovaçi, presidente e Fondacionit “Dora D’Istria”, fokusohet tek një prej figurave femërore të shek. XIX, Elena Gjika – Dora D’Istria (1828-1888), princeshë me origjinë shqiptare, patriote dhe shkrimtare me profil të lartë që jetoi në Firence nga 1860 deri më 1888, ku pati mundësi të hynte në kontakt me shtresën e flaktë të intelektualëve dhe politikanëve të periudhës post-unitare. Mendimi i saj i prerë feminist e shtyu atë të analizojë gjendjen e grave përballë ligjit civil dhe fetar dhe për të denoncuar Concordato-Konkordatin që e bënte “martesën” të parevokueshme aq sa jeta në manastir; gjithashtu teorizoi barazinë shoqërore, zgjerimin e garancive shoqërore ndaj grave dhe u impenjua në mbështetjen e një edukimi që, ndryshe nga ai i zakonshmi, të ishte i aftë të promovonte zhvillimin progresiv të aftësive natyrore të individit. Referojnë historianë e studiues si Luan Malltezi, Konferenca hapet nga prof. Luan Malltezi, Antonio D’Alessandri, profesor pranë Departamentit të Historisë së Europës Lindore të Universitetit Roma Tre, Merita Sauku Bruci, etj. Në përmbyllje të konferencës, regjisori Ëngjëll Ndocaj do të prezantojë dokumentarin a tij historiko-artistik “Elena Gjika – Dora D’Istria, pararendëse e Europës pa kufij”, dedikuar jetës dhe veprës së shkrimtares. Aktiviteti organizohet nga Fondacioni Dora D’Istria në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Radio Televizionin Shqiptar, në kuadër të projektit “Në kërkim të personaliteteve të shquara të grave shqiptare dhe kontributi i tyre në Pavarësinë Shqiptare”, realizuar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura