Jo të gjitha koncesionet e dhëna për hidrocentralet kanë rezultuar të suksesshme. Nga 280 të tilla, të propozuar për t’u ndërtuar nga biznesi vendas dhe ai i huaj, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka evidentuar edhe disa kompani problematike ndaj të cilave ka premtuar marrje sanksionesh të rrepta. Detajet i bëri të ditura dje ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, gjatë një workshop-i të organizuar nga IFC, me temën: “Hidrocentralet në Shqipëri – Kompanitë lokale dhe ndërkombëtare, potenciali i bashkëpunimit”. Për ministrin Naço, dhënia me koncesion e ndërtimit të një sërë hidrocentralesh është një histori suksesi, ndërkohë që aktualisht janë duke u përgatitur të tjera koncesione të rëndësishme. “Ne jemi në përfundim të hartimit të dokumentacionit të nevojshëm për hapjen e garave për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Vjosës, me një fuqi të llogaritur mbi 300 MW, të hidrocentraleve mbi lumin e Osumit me një fuqi të llogaritur prej rreth 100 MW, si dhe të hidrocentraleve mbi lumin Drini i Zi, ku më i rëndësishmi është Skavica, me fuqi të llogaritur prej rreth 350 MW”, theksoi ministri. Por, gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe te problematika që është hasur lidhur me disa koncesione, ku, sipas tij, kompani inekzistente kanë përfituar të drejtën e ndërtimit dhe prej vitesh nuk kanë bërë asnjë hap përpara për të investuar, duke degraduar deri në shitjen e lejes koncesionare. “Nuk mund të tolerojmë që këto investime dhe projekte me rëndësi kombëtare të mbeten peng i disa kompanive fantazmë, siç po na rezultojnë në disa raste, janë kthyer në sekserë në dyert e kësaj ministrie për të shitur kontratën koncesionare në dhjetëra apo në qindra mijëra euro”, u shpreh Naço. Ai theksoi se nga ana e Ministrisë që ai drejton nuk do të tolerohet që nga rreth 98 koncesione të marra vitet e fundit, disa prej tyre të mbeten vetëm në letër, në kohën që ka një mori kompanish serioze, vendase dhe të huaja, të cilat janë gati të investojnë kapitalin e tyre për të përfunduar këto projekte dhe shtuar kapacitetet gjeneruese energjetike në vend. “Krahas vullnetit të palëkundur për stimulimin e këtij potenciali bashkëpunimi mes kompanive lokale dhe ndërkombëtare në ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, do të jem po aq i vendosur në respektimin rigoroz të kontratave koncesionare, qoftë edhe në zgjidhjen e kontratës për disa subjekte, siç i kemi identifikuar tashmë rreth 10-15 raste flagrante”, tha ministri.
280 koncesione
hidrocentralesh të vogla, të mesme dhe të mëdha janë propozuar për ndërtim nga biznese të huaja dhe vendase. Nga këto koncesione të dhëna janë evidentuar rreth 15 kompani problematike që nuk kanë bërë asnjë investim prej vitesh.
12 parqet eolike
Paralelisht me koncesionin e hidrocentraleve, sektorit energjetik do t’i shtohet edhe prodhimi i energjisë nga era. Në vendin tonë aktualisht janë dhënë leje për ndërtimin e 12 parqeve eolike në disa zona të ndryshme të Shqipërisë, si në Pogradec apo në Vlorë. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, deklaroi dje gjatë workshop-it të organizuar nga IFC-ja, se këto parqe kanë një rëndësi gjithashtu të veçantë, pasi nga 12 të tilla që do të ndërtohen, fuqia e instaluar do të jetë 1600 MW, kurse fuqia e instaluar nga 280 hidrocentralet është në nivelin 1300 MW.
© Panorama.al











