Koncesionet, METE ndëshkon 8 kompani

Jul 20, 2011 | 11:28

Tetë kompani koncesionare, që nuk kanë dorëzuar projektet e zbatimit pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe nuk u janë përgjigjur paralajmërimeve, janë bërë pjesë e ndërmarrjes së sanksioneve.Në një njoftim për shtyp, Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se këto janë masat e para që po merren ndaj koncesionarëve problematikë, ndërkohë që janë paralajmëruar edhe 30 kompani të tjera që nuk kanë zbatuar afatet e dorëzimit të projekteve. “Pas disa paralajmërimeve që janë bërë nga ana e METE, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, vendosi sot aplikimin e penalitetit për këto shoqëri koncensionare, si rezultat i mosrespektimit të afateve. Këto shoqëri janë njoftuar që në muajin shkurt mbi penalitetin për moszbatim të afatit të dorëzimit të projektit të zbatimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Penaliteti për kompanitë kap një shifër totale prej 2.5 milionë lekësh dhe, në rast se nuk do të paguhet brenda 30 ditëve të ardhshme, nga ana e Ministrisë do të ndërmerren të tjera sanksione, siç është pagesa e kamatave ligjore dhe zgjidhja e kontratës. Ministria publikoi dje edhe kompanitë problematike të cilat janë penalizuar, si : Tulla T shpk, Belesove sh.p.k, By Best Duty Free & Vortex, Çaushi K, Komp Energi shpk, Stgc Corp Inc., Merga & Shansi Invest & Lala sh.p.k, Qeramika e Jugut sh.p.k. Problematika e koncesioneve u theksua nga vetë ministri Nasip Naço një më parë gjatë një workshopi, problematikë që ka rezultuar pas një skanimi që METE po u bën gjithë koncesioneve. Kreu i METE deklaroi se rezultojnë rreth 15 kompani fantazmë ndaj të cilave do të merren masa të rrepta, ndërkohë që edhe për koncesionet e tjera ku vërehen problematika, Ministria do të fillojë rinegocimin për arritjen e një marrëveshjeje të re ose penalizmin e plotë, duke prishur kontratën me kompanitë që nuk kanë zbatuar kushtet. “Do të ishte e patolerueshme për ekonominë shqiptare që nga rreth 98 koncesione të marra vitet e fundit, disa prej tyre të mbeten vetëm në letër, në një kohë kur janë me dhjetëra kompani serioze, vendëse dhe te huaja, të cilat janë gati të investojnë kapitalin e tyre për të përfunduar këto projekte dhe shtuar kapacitetet gjeneruese energjetike në vend”, ishte deklarata e ministrit Naço lidhur me koncesionet problematike. Në total, në 4-5 vitet e fundit janë dhënë 270-280 lejë koncesionare për hidrocentrale të vogla, të mesme dhe më pak të mëdha e, sikurse bëhet e ditur nga Ministria, një pjesë  e madhe e tyre paraqesin një histori suksesi, por ka edhe raste të limituara që janë realisht problematike.

30 kompani
janë paralajmëruar lidhur me përmbushjen e afateve për dorëzimin e projekteve të zbatimit për koncesionet që kanë përfituar. Nëse ato nuk i përgjigjen këtyre paralajmërimeve, atëherë do të penalizohen.

8 kompani
që nuk u janë përgjigjur paralajmërimeve të METE për dorëzimin e projekteve të zbatimit për koncesionet që kanë, janë penalizaur me një shumë prej 2.5 milionë lekësh, që duhet ta shlyejnë brenda 30 ditësh.

Sekserët

Ministri Nasip Naço pak ditë më parë u shpreh se disa kompani që kanë fituar të drejtën mbi një koncesion, por që ende nuk e kanë filluar atë, po ndjekin një praktikë të gabuar duke nxjerrë në shitje lejen përmes negocimit me sekserë. Edhe pse numri është i kufizuar, sipas ministrit, ndaj tyre do të merren masa deri në zgjidhjen e kontratës.

Gati koncesionet e mëdha

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur dokumentacionin për disa koncesione të reja, të cilat konsiderohen si shumë të rëndësishme. Shumë shpejt do të bëhet lançimi për të nxjerrë në tender ndërkombëtar kaskadën e lumit Vjosa, që parashikon ndërtimin e hidrocentraleve me një kapacitet instalues mbi 300 MW, për Osumin rreth 100 MW. Nga ana tjetër është në diskutim projekti i Skavicës, sa i përket skemës teknike të projektit. Lidhur me këtë të fundit, bëhet fjalë për një kapacitet instalues 177-180 MW.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura