Koncesionet, Berisha: Deklaratat e PS-së, ziliqare

Aug 22, 2012 | 12:13

TIRANË- Ziliqare, dashakeqe dhe trillime të pastra i ka quajtur sot kreu i qeverisë Sali Berisha deklaratat e vazhdueshme të opozitës për koncesionet në vend.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, përqendruar në koncesionet për hidrocentralet dhe energjinë e rinovueshme, Berisha ka akuzuar opozitën për deklaratat e vazhdueshme kundër koncesioneve dhe kërcënimeve se nuk do të njohë asgjë sapo të vijë në pushtet.

“Ne po i zhvillojmë kapacitet ujore të bazuar në iniciativën e lirë, duke mos shpenzuar asgjë nga buxheti i shtetit. Deklarata ziliqare, keqdashëse që kërcënojnë investitorët se nuk do njihen marrëveshjet, se po jepen ujërat me koncesione, këto janë shpifje dhe trillime të pandershme. E vërteta është se absurditeti i tyre fatmirësisht nuk është përfillur nga investitorët vendas e të huaj, që janë të ndjeshëm, por ndaj cështjeve që qëndrojnë dhe jo marrëzive”- tha Berisha.

Sipas tij, nuk ka shqiptar që mund të votojë ata që thonë do kthejmë kohën mbrapa, ata që duan të privojnë shqiptarët nga pasuritë e tyre dhe vetë pushimet i kalojnë në krociera.

“Ky absurditeti i tyre, ju garantoj se me këto që bëjnë largohen me shpejtësi nga horizonti i pushtetit. Shqipërinë dixhitale nuk e nisëm për të krijuar opozitën virtuale, por që shqiptarët të njohin shpejtësitë më të mëdha. Rrjetet sociale nuk duhet të deformojnë qëllimet e tyre”, tha kryeministri.

Duke u ndalur ne koncesionet per HEC-et, Berisha theksoi se “kemi 5 hidrocentrale për dhënien me koncesion. Me këto bëhen 330 më shumë për të cilat janë firmosur kontrata, janë përfunduar ndërtimet, janë në proces marrje lejesh, pra nga 443 hidrocentrale që parashikohet të ndërtohen në mbarë territorin. Sic e shihini është dëshmuar interes i madh nga biznesi për 331 prej tyre dhe ky interes vazhdon në rritje. Janë firmosur mbi 115 kontrata, kanë përfunduar ndërtimin 71 prej tyre”- tha kreu i qeverise.

Sipas tij, këto hidrocentrale kanë kapacitet 125 megavat, nderkohe qe pritet në shtator t’u bashkëngjitet edhe projekti më i madh që ndërtohet tani, ai i Ashtës.

© Panorama.al

Te lidhura