
Caktimi i një çmimi fiks për shitjen e energjisë, ndërtimi i linjave të përshtatshme apo mungesa e likuiditetit kanë qenë disa nga shqetësimet që koncesionarët e hidrocentraleve kanë ngritur dje.
Në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ishte i ftuar edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili edhe një herë u shpreh se energjia ka prioritet si sektor.
Investitorët
Gjatë një ore pyetje-përgjigjeje me kreun e qeverisë, koncesionarët e hidrocentraleve në vend kërkuan që së pari të ulen burokracitë dhe të ketë një koordinim të mirë institucional. Problemet financiare ishin jo pak të lakuara. Së pari, sipas koncesionarëve është problem mungesa e likuiditetit nga KESH, pasi kjo i vë ato në pozicion të vështirë me bankat ku investitorët kanë marrë kredi. Së dyti, koncesionarët mendojnë se të mos pasurit e një çmimi fiks dhe ndryshimi vit për vit bën të vështirë llogaritë e tyre dhe sugjeruan që gjithashtu të bëhet zgjatje e afatit të koncesionit. Së treti, ata kërkuan që qeveria të ndërhyjë tek bankat për kreditim. Linjat e transmetimit të energjisë janë vlerësuar si një problem më vete nga konceisonarët. Ata ngritën si shqetësim faktin që aty ku kanë ndërtuar është shumë i vështirë transmetimi, pasi linjat ekzistuese nuk i përgjigjen prodhimit. Një pjesë e investitorëve u shprehën se do të ishte mirë që të kishte një linjë me Italinë, në mënyrë që një pjesë e energjisë të transferohet në shtetin fqinj.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje investitorët se sektori i energjisë ka mbështetjen totale të qeverisë, për vetë faktin se është një sektor prioritar. Lidhur me linjat me Italinë, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria duke mos pasur mundësi që të ndërtonte një të tillë, së bashku me shtetin italian ka licencuar dy kompani që po investojnë në këtë aspekt. Çështjes së çmimit fiks kreu i qeverisë iu përgjigj duke argumentuar se qeveria po kërkon ndihmën e Bankës Botërore për të vendosur një çmim të duhur për energjinë e prodhuar nga koncesionarët. “Këta dy muaj kemi diskutuar për këtë çështje me një nga ekspertët më të mirë që ekziston, ekspert i BB, e i kemi kërkuar edhe atij ndihmën në mënyrë që të arrijmë në një çmim të ndershëm. Për sa i përket çështjes së linjave, ne do të kalojmë ligjin përkatës. Unë jam një njeri që persistoj në ato që përcaktoj. Kemi qëllim që të krijojmë një fond për projektet e energjisë, pasi ju e meritoni plotësisht atë fond, i cili mund të shërbejë si garanci”, tha Kryeministri.
Investitorët
Burokracitë
Kanë qenë disa koncesionarë që e kanë ngritur si shqetësim faktin e burokracive, që lidhen me marrjen e dokumenteve.
Kohëzgjatja e koncesionit
Koncesionarët kanë kërkuar që të ketë zgjatje të afatit të koncesionit dhe, nga ana tjetër, sipas tyre do të ishte mirë që kjo kohëzgjatje të përcaktohej qysh në marrjen e lejes së ndërtimit.
Mungesa e likuiditetit
Investitorët e kanë ngritur këtë si problematikë duke shprehur shqetësim për mungesën e likuiditetit nga ana e KESH, çka ua vështirëson atyre punën, pasi ndërtimi është bërë me kredi. Nga ana tjetër kanë kërkuar që të ndërhyhet tek bankat për të dhënë kredi.
Problemi me linjat
Një problem i rëndësishëm rezulton të jetë transferimi i energjisë, që prodhohet nga konceisonarët. Linjat ekzistuese nuk i përgjigjen prodhimit mbas ndërtimit të hidrocentraleve dhe nuk ka asnjë plan mes CEZ, OST dhe KESH.
Lidhja me Italinë
Koncesionarët u shprehën se një linjë me Italinë do të përmirësonte situatën, pasi në këtë mënyrë ata do të mund të transferonin
Çmimi fiks
Koncesionarët kanë kërkuar që të ketë një çmim fiks për një kohë të gjatë, pasi ky çmim rezulton të jetë i papërcaktuar dhe ndryshon vit për vit, çka nuk u lejon investitorëve të bëjnë llogari.
Task Force
Dje u kërkua që të ngihet një Task Force që të ndjekë vendimet që miratohen nga qeveria, pasi ato nuk njihen nga vendorët dhe krijojnë probleme dhe vonesa.
Strategji
Një tjetër fenomen i diskutuar ishte ai që lidhej me veprat hidrike të ndërtuara, që “bashkëjetojnë” me shoqëritë e ujitjes. Duhet një strategji për këtë pjesë, në mënyrë që të mos ketë përplasje dhe çrregullime.
Berisha, batutë me Rakickën e Bodes
Fshati i ministrit të Financave është bërë objekt humori dje pas batutës së Kryeministrit Berisha në sallën e mbushur me biznesmenët e energjisë. Kur njëri nga investitorët tregoi se si investimet në HEC-et e vogla në rrethinat e Korçës mund të mbulonin me energji nevojat e Devollit, kreu i qeverisë reagoi me humor: “Ja, Devolli e ka siguruar energjinë… edhe për Rakickën”. Batuta e Berishës solli hilaritet gazmor në sallë. Fshati i Bodes, Rakicka, ishte i pari që protestoi për mënyrën e re të taksimit të rakisë. Në ligjin e akcizave, ministri i Financave parashikoi që fshatarët do të paguanin taksa për kazanët e rakisë. Gazeta “Panorama” botoi një reportazh të gjatë, ku fshatarët e Bodes nuk e pranonin këtë taksim të ri nga njeriu i tyre…
NERTILA MAHO
© Panorama.al











