Këshillat e komunave do të mund të ndajnë sërish tokë bujqësore.Qeveria dërgoi në Kuvend disa ndryshime në ligjin “Për shqyrtimin e titujve të pronësisë”, ku vendoset që këshillat e komunave, vetëm me tre të pestat e votave mund t’u ndajnë tokë familjeve që nuk kanë përfituar nga Ligji 7501 për tokën. Këto ndryshime përcaktojnë edhe procedurat që duhet të ndjekin këto familje për të përfituar tokë në pronësi, si dhe kriteret, duke nisur nga pasja në përdorim e tokës që punon. “Ngarkohet kryetari i komunës dhe bashkisë që për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës e ka ndarë tokën bujqësore, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas Ligjit Nr. 7501 dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore duke respektuar rregullat”, thuhet në ndryshimet ligjore. Ndryshimet ligjore përcaktojnë që vendimi bëhet në këshillin e komunës apo në bashki, me shumicë të cilësuar tre të pestat e anëtarëve. “Në asnjë rast nuk mund të plotësohet Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi për familjet bujqësore apo individët që nuk figurojnë në vendimin e mësipërm të këshillit të komunës apo bashkisë. Personat e evidentuar si përdorues, sipas procedurës dhe sasisë së sipërfaqes sa më sipër, do të pajisen me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi vetëm nëse do të plotësojnë kushtet, kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj”, thuhet në projektligj.
Në relacionin e projektligjit shpjegohen mosmarrëveshjet që komisionet vendore duhet të zgjidhin. Nga praktika e deritanishme, komisionet kanë hasur në problemin që shumë familje nuk janë trajtuar nga ish-komisionet e fshatit, nuk kanë marrë sasinë e duhur të tokës që u takonte me Ligjin 7501, si dhe ndryshimin e ngastrave të tokës me të tjera. Më këto ndryshime në ligj pritet që të zgjidhen këto probleme dhe të plotësohen kërkesat e familjeve.
Sipërfaqet shtesë
Për vendimet që kanë pavlefshmëri të pjesshme, pra që mund të kenë më pak ose më shumë tokë seç i takon familjes, e cila ka ardhur për shkak të mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka është ende në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, sipërfaqja shtesë, por jo më shumë se 10 për qind e saj, i ofrohet poseduesit kundrejt pagesës me vlerë tregu e llogaritur nga harta e tokës që jep AKKP. Në rastet e tjera, kur toka është marrë në kundërshtim me ligjin, por që edhe mund të jetë shitur, atëherë ai subjekt duhet të paguajë të gjithë vlerën e tokës sipas çmimeve aktuale në hartën e vlerës së tokës.
Afati i verifikimit
Kur kanë kaluar mëse 2 vjet nga verifikimi i titujve të pronësisë nga komisionet vendore të drejtuara nga Komisioni qeveritar i Tokës në Tiranë, kërkohet sërish shtyrje afati. Qeveria kërkon edhe 2 vjet të tjerë kohë për të përmbyllur këtë proces. Kështu, deri në fund të vitit 2012, qeveria pretendon se do të përfundojnë verifikimin e çdo titulli pronësie, madhe edhe në zonat bregdetare.
Ndryshimet në ligj
Në nenin 17 bëhen këto ndryshime.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me ketë përmbajtje:
1/1. Ngarkohet kryetari i komunës dhe bashkisë, që për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës e ka ndarë tokën bujqësore, por nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi sipas Ligjit Nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, dhe akteve nënligjore, në zbatim të tij, dhe që faktikisht e përdorin dhe e shfrytëzojnë tokën bujqësore, duke respektuar rregullat, si më poshtë vijon:
a) AMTP-ja nuk do të plotësohet nëse toka bujqësore:
1) rezulton e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si pronë private;
2) rezulton e përfshirë në procesin e legalizimeve sipas Ligjit Nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;
3) është dhëne në pronësi nëpërmjet AMTP-së, të lëshuar deri më 15.8.2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme;
4) është objekt i një konflikti gjyqësor dhe komuna apo bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.
c) Përdorues dhe shfrytëzues të tokës bujqësore të ndarë, në kuptim të këtij ligji, do të konsiderohen familjet bujqësore apo individët që:
i) janë banore të komunës apo bashkisë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe, në asnjë rast, nga 1.8.1991, nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile;
ii) kryejnë veprimtari bujqësore në tokën në fjalë;
iii)janë evidentuar nga komuna për interesimin për t’u pajisur me akte pronësie.
9) Kryetarët e fshatrave, kryesitë e tyre, kryetari i komunës/bashkisë dhe administrata e tij evidentojnë, përcaktojnë e saktësojnë së cilët janë përdoruesit në fakt të tokës bujqësore të ndarë, vendndodhjen e saj, sipërfaqen dhe kufitaret për çdo përdorues.
Përcaktimi i përdoruesve dhe i shfrytëzuesve të tokës bujqësore të ndarë për çdo fshat në komunë/bashki bëhet me vendim të këshillit komunal/bashkiak, i marrë me shumicën e të gjithë anëtarëve (apo me tre të pestat e të gjithë anëtarëve) dhe përbën aktin administrativ përfundimtar për përcaktimin e përdoruesve dhe të shfrytëzuesve të tokës bujqësore, të ndarë për çdo fshat.
Në asnjë rast nuk mund të plotësohet Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi për familjet bujqësore apo individët që nuk figurojnë në vendimin e mësipërm të këshillit të komunës apo bashkisë. Personat e evidentuar si përdorues, sipas procedurës dhe sasisë së sipërfaqes sa më sipër do të pajisen me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, vetëm nëse do të plotësojnë kushtet, kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj.
Neni 17 ndryshon si më poshtë:
Verifikimi i titujve të pronësisë, sipas dispozitave të këtij ligji, të përfundojë më 31 dhjetor 2012.
Fierza
Këto ndryshime në ligj kanë vendosur të shpërblejnë me tokë bujqësore edhe banorët e përmbytur nga ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës dhe atij të Komanit. Me akte të veçanta të qeverisë janë vendosur sipërfaqet e tokës që ata do të përfitojnë. Ky ligj përcakton që këto familje do të përfitojnë menjëherë titullin e pronësisë mbi tokën, sipas kritereve të këtij ligji që vendos sasi të kufizuar toke në bazë të frymëve në familje.
Shqyrtohen 1500 tituj pronësie, hapen 600 procese gjyqësore
Sipas relacionit të projektligjit të qeverisë, deri tani janë shqyrtuar mëse 1500 tituj pronësie në mbarë vendin, madje duke hapur procese gjyqësore në 40 për qind të tyre. Njëkohësisht janë vërejtur edhe mjaft vendime, të cilat kanë qenë korrekte me ligjin. Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë është gjendur para vonesave të shumta në Gjyqësor. Janë bërë edhe kontrolle të drejtpërdrejta, kryesisht në zonën bregdetare ku mendohet të jetë bërë edhe abuzimi më i madh. Aktualisht janë marrë vendime të shumta në zonën bregdetare, të cilat kanë rrëzuar qindra tituj pronësisë si në zonën e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Vlorës etj. Gjykata duhet ta shqyrtojë kërkesën e prefektit për një pavlefshmëri titulli pronësie brenda 60 ditëve. Të gjitha vendimet e komisioneve vendore që kanë për objekt konstatimin e pavlefshmërisë së krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, detyrimisht, me kërkesën e prefektit, paraqiten në gjykatë, që është institucioni i vetëm që shpall pavlefshmërinë e krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi. Destinacioni i sipërfaqes të tokës që është marrë me tituj jo të vlefshëm, sipas ligjit, është ose në administrim të komunës ose bashkisë, në juridiksionin e së cilës ndodhet toka bujqësore, ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për fondin fizik të kompensimit, kur toka bujqësore e liruar rezulton me prejardhje nga ish-ndërmarrjet bujqësore. Gjatë kësaj periudhe, komisionet e kanë të përqendruar veprimtarinë e tyre në dy drejtime kryesore, në atë të shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, kërkesave, informacioneve, që i paraqiten nga qytetarët dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











