
AKKP shpall listën e fituesve mes 1012 kërkesave, lekët ndahen pas datës 18 gusht në llogaritë bankare
Emrat e pronarëve që do ndajnë fondin prej 670 milionë lekësh
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpalli dje listën e fituesve të 107 subjekteve të shpronësuara. Kreu i AKKP-së, Elvis Cefa, u shpreh se për përfituesit do të ketë një fond prej 670 milionë lekësh dhe ndarja e parave do të nisë nga data 18 gusht.Subjekteve përfituese u është njohur pronësia mbi truallin e tyre në vitet ‘93-’94. Cefa tha se përzgjedhja është bërë mbi baza kronologjike, duke u dhënë përparësi dosjeve më të vjetra. “Në përfundim të shqyrtimit të 1012 kërkesave rezultuan fitues 107 subjekte të shpronësuara, të cilat do të përfitojnë shumën prej 670 milionë lekësh të rinj, të vëna në dispozicion nga Këshilli i Ministrave. Vendimi i fundit për fitues daton në 23 shtator 1994. Duke filluar nga data 18 gusht 2011 do të kenë në numrat e llogarive të tyre, të deklaruar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, shumat respektive”, tha Cefa. Sipas AKKP-së, në përfundim të shqyrtimit të 1012 kërkesave të administruara, kanë rezultuar përfitues gjithsej 107 subjekte të shpronësuara sipas renditjes kronologjike, duke filluar nga vendimi më i vjetër në kohë. Vendimi i fundit përfitues nga ky fond daton më 23 shtator 1994. “Subjektet, të cilat kanë aplikuar për kompensim në të holla me vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 23 shtator 1994 dhe nuk rezultojnë fitues, janë skualifikuar kryesisht për arsye se kanë përfituar kompensim (fizik apo financiar), kanë pasur probleme thelbësore hartografike në vendimet e tyre, të tilla që kanë vënë AKKP në pamundësi objektive të identifikimit të pronës së njohur dhe të kompensuar ose kanë pasur mungesa në dokumentacionin legjitimes, si: dëshmi trashëgimie, prokura etj, pa të cilat AKKP nuk mund të vazhdonte procedimin. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave falënderon me këtë rast të gjithë subjektet aplikuese për bashkëpunimin e tyre me administratën dhe për mirëkuptimin e shfaqur në përmbylljen me sukses dhe korrektësi të procesit të shpërndarjes së kompensimit në të holla për këtë vit”, thuhet në njoftimin e AKKP-së. Subjektet e shpronësuara përfituese sipas listës së mësipërme do të kenë të depozituara shumat respektive në numrat e llogarive të tyre bankare, të dorëzuara në AKKP, duke filluar nga data 18 gusht 2011. Ndërkaq, AKKP pritet që në fillim të vitit tjetër të ketë gati një listë tjetër me përfitues, kjo edhe si rezultat i ligjit të ri që i lejon AKKP-së të ndajë kompensim sa herë që ka mundësi financiare në dispozicion.
Per te pare artikullin e plote klikoni mbi: PDF
© Panorama.al











