TIRANE- Pak dite pas kalimit te vendimit ne qeveri, sot Komisioni i Ekonomisë ka miratuar paketen e re fiskale, qe parasheh heqjen e tarifes doganore per makinat, per konfensionet, uljen e akcizës për birrën e nje sere lehtesirash te tjera per biznesin.
Ne mbledhjen e sotme te Komisionit te Ekonomise, deputetet e maxhorances kane diskutuar e me pas miratuar me shumice votash kete pakete. Plot katër projektligje, si ai “Për akcizat”, “Për sistemin e taksave vendore”, “Për taksat kombëtare”, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, kanë marrë miratimin nga Ekzekutivi, pas diskutimit në Këshillin Konsultativ të Biznesit dhe tashme te miratuara edhe ne komision.
AKCIZAT
Qeveria ka vendosur që në ligjin “Për akcizat” të bëjë dy ndryshime. Njëri është ai për uljen e akcizës së birrës. Kështu, sipas vendimit të miratuar, është vendosur që prodhuesit deri në 70 000 hektolitra të paguajnë një akcizë në nivelin 10 lekë/litër, për prodhuesit nga 70 001 deri 200 000 hektolitra akciza do të jetë 12 lekë/litër, për ata që prodhojnë nga 200 001 deri në 300 000, niveli është lënë 15 lekë/litër, kurse për prodhuesit e mbi 300 000 hektolitra, akciza është vendosur 30 lekë/litër. Kreu i qeverisë e konsideroi uljen e akcizës për birrën si shumë të rëndësishme, duke qenë se kjo industri gjeneron punësim të madh, sikurse aktualisht në të punojnë 3 mijë persona. Por, në kahun tjetër, përveç uljes te akciza e birrës, qeveria ka vendosur që të rrisë akcizën për disa lëndë djegëse që në fakt përdoren si lëndë të para në disa industri. Kjo problematikë u reflektua edhe gjatë diskutimit në Këshillin Konsultativ të Biznesit. Nga Ministria e Financave rritja për solarin dhe mazutin u argumentua me faktin që ndotja që emetohet në mjedis është e lartë, ndërkohë që edhe përdorimi i këtyre lëndëve ka pësuar rritje. Akciza për solarin dhe mazutin në vendimin e fundit të qeverisë është 37 lekë për kilogram, kurse për koksin e naftës 2 lekë për kilogram.
Doganat për veshjet
Ndryshimet në paketën fiskale lehtësojë barrën për industrinë e konfeksioneve dhe atë të këpucëve. Më herët qeveria kishte vendosur zerimin e tarifës doganore të importit të lëndëve të para vetëm për konfeksionet, por Kryeministri deklaroi se kjo nismë do të vlejë edhe për industrinë e këpucëve. Pra, të gjitha ato biznese që importojnë lëndë të para nuk do të duhet të paguajnë në doganë tarifën prej 10 përqindësh që paguajnë aktualisht. Vendimi për të shtuar në listën e industrive që përfitonin nga kjo nismë edhe industrinë e këpucëve erdhi pas diskutimit në Këshillin Konsultativ të Biznesit, ku u sugjerua që konfeksionet dhe fasonët të mos trajtohen të ndara, por bashkë. Heqja e kësaj tarife doganore argumentohet nga Ministria e Financave edhe me faktin për ta bërë këtë biznes konkurrues në rajon. Përveç zerimit të doganës për importin e lëndëve të para, është vendosur edhe heqja e taksës për veshjet e gatshme.











