Komisioneri i vrarë më ’97 shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Jul 18, 2012 | 15:31
Ceremonia për komisionerin e vrarë Kujtim Frangu

Ministria e Mbrojtjes ka shpallur “Dëshmor të Atdheut” Kujtim Frangun, komisioneri demokrat i vrarë me armë zjarri në zgjedhjet e vitit 1997 në qendrën e votimit të fshatit Lis në rrethin e Matit. Kjo ndodh për herë të dytë, pasi në vitin 1998 atij iu dha titulli nga Këshilli i Rrethit, ndërsa tashmë nga institucioni i lartë. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, i dorëzoi familjes së dëshmorit Kujtim Frangu statusin “Dëshmor i Atdheut”. Vajza e Kujtim Frangut, Sabije Frangu, falënderoi për këtë nderim që po i bëhet babait të saj pas vdekjes. Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë ishin të pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike në rrethin e Matit, deputeti Bedri Hoxha, i cili vlerësoi kështu figurën e dëshmorit Kujtim Frangu. Kujtim Frangu u vra në qendrën e votimit Lis më datë 6 korrik 1997, në qendrën kryesore të votimit të kësaj njësie vendore, pas një sherri mes komisionerëve dhe simpatizantëve të subjekteve politike. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër sqaruan se gjatë procesit të votimit ka pasur sherr mes komisionerëve, përfaqësues të partive të ndryshme politike. Madje, në afërsi të qendrës së votimit janë përdorur armë zjarri. Nga të shtënat humbi jetën Kujtim Frangu. Po sipas Policisë, është dënuar me 6 vjet heqje lirie shtetasi P. Bushi, ndërkohë që nga hetimet ka rezultuar se anëtari i komisionit të PD-së, Kujtim Frangu, është vrarë me plumb qorr. Këshilli i Rrethit Mat, me vendimin nr. 19, datë 02.07.1998, e ka shpallur “Dëshmor të Atdheut” me motivacionin: “Rënie në krye të detyrës si komisioner në Komisionin e Votimit gjatë zgjedhjeve të Kuvendit Popullor 1997”. Propozimi për dhënien e këtij titulli iu dërgua asokohe Këshillit të Rrethit nga komuna Lis, komunë e cila qeveriset prej 12 vitesh nga PLL. Po ashtu, me dekretin e ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, nr. 4984, datë 20.07.2006, Kujtim Tofik Frangaj (pas vdekjes), u dekorua me medaljen “Për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë duke sakrifikuar dhe jetën në zhvillimet demokratike, në mbrojtje të votës së lirë”. Zgjedhjet e 6 korrikut të vitit 2007 në zonën elektorale ku ndodhi ngjarja e rëndë janë fituar nga Partia Socialiste. Atëherë e djathta u përfaqësua me dy kandidatë, njëri i PD-së dhe tjetri i PLL-së.

Ceremonia
Çdo fillim korriku, dega lokale e PD-së Mat e përkujton Kujtim Frangun me ceremoni solemne, e cila zhvendoset kryesisht në kryeqytet, pasi atje banojnë aktualisht prindërit e tij. Nën kujdesin e familjes janë përgatitur libra dhe reportazhe televizive kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.

HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura