Kombëtarja, mungon Muzaka e Teli

May 19, 2012 | 12:48

De Biazi

Ndaj Katarit në stadiumin e Rajo Valekanos, me Iranin në impiantin e Beshiktashit.

De Biazi grumbullon Erbim Fagun dhe Emiljano Veliajn.

Erbim Fagu dhe Emiljano Veliaj janë dy emrat e rinj që trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, ka grumbulluar për miqësoren ndaj Katarit dhe Iranit. Fagu ka rënë në sy të teknikut pas lojës së mirë në ndeshjen e fundit në finalen e kupës me Tiranën, ndërsa Veliaj mësohet se ka qenë në planet e De Biazit që më parë dhe pas rikuperimit nga dëmtimi lojtari është vënë në dispozicion edhe të ekipit përfaqësues. Faktikisht, thirrja e këtyre të fundit ka qenë disi e kushtëzuar, kjo për shkak të dëmtimit që ka pësuar mesfushori i Skënderbeut, Gjergji Muzaka, në finalen e kupës ndaj Tiranës. Me probleme është edhe mbrojtësi shkodran i Karabakut (Azerbajxhan), Admir Teli. Sipas informacioneve, të dy këta lojtarë nuk do të jenë pjesë e skuadrës të paktën në ndeshjen ndaj Katarit, e cila do të luhet në Spanjë në stadiumin e Rajo Valekanos. Konfirmimi për stadiumin ka ardhur dje nga Federata Shqiptare e Futbollit. Impianti ka një kapacitet prej 15.500 vendesh të ulura, në Valekano, në periferi të Madridit. Ndërkohë konfirmohet se ndeshja tjetër miqësore, ajo e 27 majit ndaj Iranit, do të luhet në “Inonu Stadium”, në Stamboll. Impianti prej më shumë se 32 mijë vendesh të ulura është shtëpia e Beshiktashit. Skuadra jonë përfaqësuese është grumbulluar dje për herë të parë në Durrës dhe sot tekniku ka programuar dy seanca stërvitore. Pritet që udhëtimi drejt Spanjës, sipas programit, të bëhet ditën e nesërme dhe në Madrid janë programuar të zhvillohen edhe dy seanca të tjera stërvitore para ndeshjes së 22 majit.

Kosovari Brahimi mungon ndaj Katarit
Mërgim Brahimi nuk do të jetë pjesë e skuadrës sonë përfaqësuese për ndeshjen ndaj Katarit. Lojtari i Grashopersit, i cili më parë ka luajtur me ekipin Shpresa, u grumbullua nga De Biazi falë formës së mirë që po kalon. Por dje ai ka kërkuar leje pasi skuadra ku aktivizohet do ketë një ndeshje “play-off” në kampionatin zviceran, ku Brahimi nuk dëshiron që të mungojë. Kujtojmë se Brahimi ka luajtur me U-21 të Shqipërisë në rolin e organizatorit, duke shfaqur një repertor të pasur teknik dhe horizont në lojë.

© Panorama.al

Te lidhura