Kolonia e piktorëve “pushton” Prishtinën

Jul 19, 2012 | 14:35
Nga aktiviteti "Art-Liberalizim-Europë"

Gjithnjë thuhet se arti ka gjuhën e tij të veçantë, që njihet në gjithë botën e nuk njeh kufij, por ja që ndodh që ca kufizime arbitrare mes shtetesh të pengojnë rrjedhën normale të shkëmbimeve kulturore. Si një apel kundër kufizimeve, rreth 50 artistë nga disa vende të Europës, 7 syresh nga Shqipëria, u mblodhën në Prishtinë, duke ngritur telajot në krah të njëri-tjetrit. E organizuar nga “Open Art”, kolonia “Art-Liberalizim- Europë” iu kushtua temës së integrimit europian dhe gjithë puna 4-ditore u përmbyll në një ekspozitë me veprat e artistëve pjesëmarrës në këtë koloni. Sipas organizatorit të këtij aktiviteti Naim Spahiu, përgjatë katër ditëve artistë nga vendi dhe bota kanë shprehur përmes artit vizionin e tyre mbi integrimin europian. Sipas tij, kjo koloni është treguesi më i mirë se edhe artistët mund të japin kontributin e tyre në këtë drejtim. “Ne si artistë duhet të japim kontributin tonë drejt integrimeve europiane, pasi edhe ne përballemi me procedura për të lëvizur lirshëm dhe për të promovuar punën e artistëve tanë dhe artin kosovar”, është shprehur ai për mediat kosovare. Ai ka thënë se ekspozita të tilla janë në dobi të bashkëpunimit dhe hapjes së artit kosovar dhe qëllimi ishte pikërisht që të krijojmë raporte mes artistësh, ngase arti nuk njeh kufij. Pjesëmarrësit në këtë koloni vinin nga Holanda, Sllovenia, Kroacia, Turqia, Mal i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Gjermania, Bosnje Hercegovina dhe Bullgaria. Shqipëria u përfaqësua nga piktorët Pashk Përvathi, Artan Marku, Helidon Haliti, Admir Përvathi, Florida Xheli, Jona Dividi e Vitjola Stefani.

© Panorama.al

Te lidhura