Kolegji zbardh vendimin: Pse u rrëzua PS për Tiranën

Jun 9, 2011 | 10:52

Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin për rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.Në limitet e afatit ligjor 3-ditor të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, sekretaria e Gjykatës së Apelit i ka dorëzuar dje rreth orës 17:00 palëve në proces, një kopje të vendimit prej 19 faqesh. Vendimi mban numrin 49 dhe në faqen e fundit të tij, ku është vendosur rrëzimi i kërkesë-padisë, është firmosur nga të pesë anëtarët. “Kolegji Zgjedhor, bazuar në nenin 158, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, nenet 126 dhe 127 të Kodit të Procedurës Civile, vendosi: Rrëzimin e kërkesë-padisë së palës paditëse Partia Socialiste e Shqipërisë përsa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit Nr. 709, datë 23.5.2011, të palës së paditur, KQZ, në Tiranë. Pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerra nga pala e paditur, KQZ”, thuhet në faqen 19 të vendimit.
Argumentet
Kolegji Zgjedhor ka argumentuar gjatë zbardhjes së vendimit përse nuk i ka pranuar pretendimet e Partisë Socialiste. Në fillim të vendimit thuhet se “Kolegji Zgjedhor vëren se padia e paraqitur prej paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të rrëzohet përsa i përket pretendimit lidhur me konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit të KQZ Nr. 709, datë 23.05.2011. Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë çmon të pabazuara pretendimet e palës paditëse, PSSH”. Sipas pesë gjyqtarëve të Kolegjit, akti i miratuar nga KQZ-ja, që i hapi rrugë numërimit të fletëve të votimit të hedhura në kutinë e gabuar, nuk ishte normativ. “Gjykata e Apelit vlerëson se Vendimi i KQZ-së Nr. 709, datë 23.05.2011, nuk gëzon cilësinë e një akti normativ në kuptim të nenit 23/2 të Kodit Zgjedhor, por përbën një akt individual, i cili, në kuptim të nenit 24/1, paragrafi i fundit i Kodit Zgjedhor, miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së”, thuhet në vendim. Sipas gjyqtarëve, KQZ i ka dhënë përgjigje përfundimtare çështjes së ngritur përpara saj nga ana e disa ZAZ-ve. KQZ-ja përcaktoi po në mënyrë përfundimtare edhe statusin ligjor të fletëve të votimit të panumëruara e të pavlerësuara të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda së njëjtës qendër votimi, duke i përfshirë votat e vlefshme në rezultat.
Kompetencat e KQZ
Gjyqtarët, duke iu referuar edhe Kodit të Procedurës Administrative, thonë se KQZ-ja ka vepruar brenda kompetencave të saj dhe nuk ka hapësirë për ta shpallur vendimin të pavlefshëm. “Përsa i përket kompetencës së palës së paditur, KQZ, për të nxjerrë këtë akt sipas pikës ‘b’ të nenit 116 të K. Pr. Administrative, Kolegji çmon se edhe në këtë rast pretendimet e palës paditëse janë të pabazuara dhe pala e paditur, KQZ, ka vepruar brenda kompetencave të saj ligjore. Në gjykim u provua se pala e paditur, KQZ, u vu në lëvizje për shqyrtimin e kërkesave të ardhura nga KZAZ-të e Bashkisë Tiranë për problemin e dalë gjatë numërimit të votave në lidhje me votat e hedhura në kutitë e gabuara dhe të pavlerësuara. Po ky kërkim i është drejtuar asaj edhe nga një prej subjekteve zgjedhore, Partia Demokratike e Shqipërisë”, thuhet në vendim. Kolegji vlerëson në të njëjtën kohë se ishte detyrim ligjor i KQZ-së i rrjedhur nga neni 21 i Kodit Zgjedhor që të shprehej mbi këtë situatë zgjedhore të krijuar dhe t’i jepte zgjidhje asaj. Ky detyrim i KQZ-së është realizuar nëpërmjet procedurës së ndjekur prej saj për miratimin e vendimit objekt gjykimi.
KZAZ e madhe e Tiranës
Një pikë e vendimit të Kolegjit Zgjedhor ka të bëjë me pretendimet e PS-së se KQZ-ja nuk mund të veprojë si KZAZ. “Në pretendimet e saj, pala paditëse ka pretenduar se pala e paditur, KQZ, nuk ka kompetencë të shqyrtojë një situatë të tillë, pasi ajo është detyrim i KZAZ-ve. Një pretendim i tillë konsiderohet i pabazuar nga Kolegji dhe në kundërshtim me ligjin. KQZ, si organ qendror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, është organi epror i administratës zgjedhore dhe, si i tillë, ushtron dhe kompetencat e organeve të varësisë në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre”, theksohet në argumentimet e trupës gjykuese. Sipas Kolegjit, duke qenë se KQZ është organi kompetent përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Republikën e Shqipërisë dhe në njësinë e qeverisjes vendore Bashkia Tiranë, ka pasur detyrim ligjor për shqyrtimin e këtij rasti të paraqitur dhe zgjidhjen e tij. Kolegji ka hedhur poshtë në të njëjtën kohë pretendimet e PS-së se gjatë miratimit të aktit ka pasur shkelje që mund të çojnë në pavlefshmërinë absolute të tij.
Kodi Zgjedhor
Duke iu referuar neneve të Kodit Zgjedhor, Kolegji ka vlerësuar se në asnjë prej tyre nuk ndalohet numërimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar. “Kodi zgjedhor, në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon moslejimin apo ndalimin e vlerësimit dhe numërimit të një sasie të caktuara votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, vota që shprehin qartë vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar dhe po kështu nuk ndalon të drejtën e çdo zgjedhësi që vota e tij të shqyrtohet dhe të vlerësohet nëse është e vlefshme apo jo”, vlerëson Kolegji Zgjedhor. “Një akt i tillë vjen në përputhje edhe me qëllimin e vetë ligjit, Kodit Zgjedhor, që është administrimi i procesit zgjedhor dhe shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, si qëllim final pas gjithë procedurave administrative të ndjekura. Është Kushtetuta e Shqipërisë që në nenin 45 të saj ka dhënë përcaktimin e votës dhe është detyrimi kushtetues për vlerësimin e votës që e detyron KQZ-në jo vetëm të numërojë, por edhe të vlerësojë votat e zgjedhësve në arritjen e qëllimit final, sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor”.
Ndryshimi i rregullave të lojës
Trupa e përbërë nga pesë gjyqtarë nuk ka pranuar pretendimet e Partisë Socialiste se me vendimin për hapjen e kutive të votimit janë ndryshuar rregullat e lojës. “Në lidhje me pretendimin se KQZ ka ndryshuar rregullat e lojës pas zhvillimit të procesit zgjedhor, edhe ky çmohet i pabazuar nga Kolegji, pasi në rastin konkret nuk kemi një situatë të tillë. Me vendimin objekt gjykimi KQZ nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje, por ka zgjidhur një situatë të re të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar paszgjedhor”, thuhet në vendimin e Kolegjit. Gjyqtarët kanë vazhduar më tej argumentimin e tyre se gjatë shqyrtimit të kërkesë-padisë nuk u paraqit asnjë rast tjetër kur KQZ-ja, për të njëjtën situatë, të kishte marrë një vendim ndryshe nga ai i datës 23 maj. “Nga pala paditëse, në asnjë moment, megjithëse u pretendua, nuk u paraqit si provë asnjë akt apo udhëzim shkresor i KQZ-së që ka rregulluar më parë një situatë të tillë, që të mund të provohej se u ndryshua me vendimin objekt gjykimi. Referimi i kësaj pale në nenin 123 të Kodit Zgjedhor është i gabuar, pasi situata juridike nuk është pjesë e vlerësimit sipas kësaj dispozite”, thuhet në vendim. Në përfundim, Kolegji vlerëson se kërkesë-padia e Partisë Socialiste duhet të pushohet. “Përsa i përket kërkimit tjetër të kërkesë-padisë, atij për pavlefshmërinë e veprimeve dhe vendimeve të ndërmjetme të KQZ-së, Kolegji Zgjedhor çmon se duhet vendosur pushimi i gjykimit të çështjes. Konstatohet, gjatë gjykimit, se këto vendime janë të papërcaktuara si në objektin e padisë dhe nuk u përcaktuan as gjatë gjykimit të çështjes nga pala paditëse, duke mbetur në këtë mënyrë abstrakte të tilla që nuk mund të investojnë Kolegjin në shqyrtimin e tyre. Ndodhur në këto rrethana, çmohet se për këto kërkime padia duhet të pushohet”.

Argumentet e Kolegjit Zgjedhor

Kolegji Zgjedhor vëren se padia e paraqitur prej paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të rrëzohet përsa i përket pretendimit lidhur me konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit të KQZ Nr. 709, datë 23.05.2011.

Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë i çmon të pabazuara pretendimet e palës paditëse, PSSH.

Gjykata e Apelit vlerëson se vendimi i KQZ Nr. 709, datë 23.05.2011, nuk gëzon cilësinë e një akti normativ në kuptim të nenit 23/2 të Kodit Zgjedhor, por përbën një akt individual, i cili, në kuptim të nenit 24/1, paragrafi i fundit i Kodit Zgjedhor, miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ.

Kolegji Zgjedhor vlerëson se në kundërshtim me sa pretendohet nga paditësi PSSH, KQZ nuk ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj në marrjen e Vendimit Nr. 709, datë 23.05.2011 (neni 116/ b i Kodit të Procedurës Administrative) kur e ka miratuar këtë vendim me katër vota pro, pasi nuk bëhet fjalë për akt normativ, por për akt me karakter individual.

Në analizë të provave të paraqitura prej palëve në gjykim dhe të aktit objekt kundërshtimi nga pala paditëse, Kolegji Zgjedhor konstaton se nuk plotësohet asnjë prej rasteve të parashikuara nga neni 116 i K. Pr. Administrative për t’u konstatuar pavlefshmëria absolute e aktit administrativ, Vendimi Nr. 709, datë 23.05.2011 i KQZ-së Tiranë.

Ndodhur para kësaj situate, ishte detyrim ligjor i palës së paditur KQZ, i rrjedhur nga neni 21 i Kodit Zgjedhor, që të shprehej mbi këtë situatë zgjedhore të krijuar dhe t’i jepte zgjidhje asaj. Ky detyrim i palës së paditur, KQZ, është realizuar nëpërmjet procedurës së ndjekur prej saj për miratimin e vendimit objekt gjykimi.

Në pretendimet e saj, pala paditëse ka pretenduar se pala e paditur, KQZ, nuk ka kompetencë ta shqyrtojë një situatë të tillë, pasi ajo është detyrim i KZAZ-ve. Një pretendim i tillë konsiderohet i pabazuar nga Kolegji dhe në kundërshtim me ligjin. KQZ, si organ qendror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, është organi epror i administratës zgjedhore dhe, si i tillë, ushtron dhe kompetencat e organeve të varësisë në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre.

Megjithëse i pretenduar nga kjo palë (PS), nuk u provua asnjë rrethanë e shkeljes së procedurave për marrjen e tij, shkelje e tillë e rëndësishme që do të çonte në pavlefshmërinë absolute të aktit. Procedura e ndjekur nga pala e paditur ka qenë në përputhje me rregullat e shqyrtimit administrativ të akteve nga organet kolegjiale, si është pala e paditur.

Kodi Zgjedhor, në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon moslejimin apo ndalimin e vlerësimit dhe numërimit të një sasie të caktuara votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, vota që shprehin qartë vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar dhe po kështu nuk ndalon të drejtën e çdo zgjedhësi që vota e tij të shqyrtohet dhe të vlerësohet nëse është e vlefshme apo jo.

Një akt i tillë vjen në përputhje edhe me qëllimin e vetë ligjit, Kodit Zgjedhor, që është administrimi i procesit zgjedhor dhe shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, si qëllim final pas gjithë procedurave administrative të ndjekura. Është Kushtetuta e Shqipërisë që në nenin 45 të saj ka dhënë përcaktimin e votës dhe është detyrimi kushtetues për vlerësimin e votës që e detyron KQZ-në jo vetëm të numërojë, por edhe të vlerësojë votat e zgjedhësve në arritjen e qëllimit final, sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Në lidhje me pretendimin se KQZ ka ndryshuar rregullat e lojës pas zhvillimit të procesit zgjedhor, edhe ky çmohet i pabazuar nga Kolegji, pasi në rastin konkret nuk kemi një situatë të tillë. Me vendimin objekt gjykimi KQZ nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje, por ka zgjidhur një situatë të re të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar paszgjedhor.

Nga pala paditëse, në asnjë moment, megjithëse u pretendua, nuk u paraqit si provë asnjë akt apo udhëzim shkresor i KQZ-së që ka rregulluar më parë një situatë të tillë që të mund të provohej se u ndryshua me vendimin objekt gjykimi. Referimi i kësaj pale në nenin 123 të K. Zgjedhor është i gabuar, pasi situata juridike nuk është pjesë e vlerësimit sipas kësaj dispozite.

Përsa i përket kërkimit tjetër të kërkesë-padisë, atij për pavlefshmërinë e veprimeve dhe vendimeve të ndërmjetme të KQZ-së, Kolegji Zgjedhor çmon se duhet vendosur pushimi i gjykimit të çështjes. Konstatohet gjatë gjykimit se këto vendime janë të papërcaktuara si në objektin e padisë dhe nuk u përcaktuan as gjatë gjykimit të çështjes nga pala paditëse, duke mbetur në këtë mënyrë abstrakte të tilla që nuk mund të investojnë Kolegjin në shqyrtimin e tyre. Ndodhur në këto rrethana, çmohet se për këto kërkime padia duhet të pushohet.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura