Kolegji: Të hapen të gjitha kutitë

Jun 14, 2011 | 11:40

Tirana nuk ka ende kryetarin e Bashkisë. Kolegji Zgjedhor vendosi dje rreth mesnatës të hapë 1472 kutitë e Tiranës për të vlerësuar fletët e kontestuara që gjenden në të katër kutitë e çdo qendre votimi.Relatorja e çështjes, Dhurata Haveri, lexoi dje vendimin e Kolegjit, i cili e detyron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të hapë të gjitha kutitë e Tiranës, përveç 117 kutive që Komisioni hapi për të vlerësuar votat e hedhura gabim. Kolegji rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste që kërkonte lënien në fuqi të numërimit të kutisë së fundit të Njësisë Nr. 5, që nxirrte fitues Edi Ramën me 10 vota. Kolegji, me vendimin e djeshëm, anuloi Vendimin 711 të KQZ-së, që shpalli kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues me 81 vota, pas numërimit të votave të hedhura gabim. “Kolegji Zgjedhor, në bazë të nenit 158 të Kodit Zgjedhor, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, vendosi: pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë të subjektit Partia Socialiste. Anulimin e Vendimi Nr. 827, datë 02.06.2011 të KQZ-së, të pikave 2 dhe 3 të tij, që bëjnë fjalë për rrëzimin e kërkesës ankimore numër 161 dhe 162, të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë. Anulimin e Vendimit Nr. 710, datë 23.05.2001 të KQZ-së dhe Vendimin Nr. 711, datë 23.05.2001 të KQZ-së. Urdhërimin e palës së paditur, KQZ, të hapë, të rinumërojë dhe të rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura të materialeve zgjedhore për Bashkinë Tiranë në 368 qendrat e votimit, për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Këshillin e Bashkisë së Tiranës, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi dhe në bazën e tyre të shpallë tabelat përmbledhëse të rezultateve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkesës”, u shpreh relatorja e çështjes, gjyqtarja Dhurata Haveri. Me këtë vendim Kolegji u bazua mbi parimin e barazisë duke kërkuar hapjen jo të disa kutive, por të të gjitha kutive të Tiranës. Sipas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vlerësojë e më pas numërojë e përfshijë në rezultatin përfundimtar të gjitha votat e kontestuara në të gjitha kutitë e votimit, duke ia bashkangjitur këtë rezultat tabelës përfundimtare për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Deri në numërimin e të gjitha fletëve të kontestuara në 1472 kutitë e Tiranës, proces që pritet të zgjasë disa ditë, kryeqyteti nuk do të ketë as kryetarin e tij të Bashkisë, por as Këshillin Bashkiak. Deri në daljen e rezultatit përfundimtar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shpallë as kryetarët e njësive bashkiake dhe këshillat e minibashkive të Tiranës. Vendimi i mbrëmshëm, pas shumë orë pritjeje, i bëri në fillim konfuzë përfaqësuesit politikë dhe juridikë të partive politike, të cilët në fillim nuk po e kuptonin nëse vendimi i dhënë nga Kolegji ishte apo jo në favor të tyre. Përfaqësues të të dyja partive, PS dhe PD, edhe pse dhanë sqarime rreth këtij vendimi dhe mënyrës se si ishte formuluar ai, u shprehën se një përkufizim të plotë rreth tij mund të kenë vetëm pasi Kolegji të ketë zbardhur arsyetimin e plotë të vendimit, i cili duhet të dorëzohet deri të enjten të darkë. Kolegji rrëzoi mbrëmë edhe kërkesën e Partisë së Pensionistëve Shqiptarë për përsëritjen zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.

Deputetët e PS dhe PD
Deputetët e Partisë Socialiste, e cila i ishte drejtuar Kolegjit Zgjedhor dhe deputetët e Partisë Demokratike, që mbronin vendimin e mëparshëm të Kolegjit për votat gabim, ishin gjatë gjithë kohës në ambientet e Gjykatës së Apelit të Tiranës. Si të ishte një nga seancat parlamentare të Kuvendit, Fatmir Xhafaj, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Armando Subashi, Ermonela Felaj nga Partia Socialiste dhe Viktor Gumi, Ilir Rusmali dhe Eduard Halimi ishin vazhdimisht në Gjykatën e Apelit. Deputetët e PS-së qëndronin në katin e parë të lokalit ngjitur me Gjykatën, ndërsa deputetët e PD-së ishin pothuaj gjatë gjithë kohës në katin e dytë. Sa herë që takoheshin mes tyre, nuk mungonin dhe batutat rreth Bashkisë së Tiranës. Rreth orës 21:00, kur kishin mbi dy orë që prisnin, ata nisën të konsumonin pije energjike.

Gjyqtarët e “ngujuar”
Pesë anëtarët e trupës së gjyqtarëve, Dhurata Haveri, Astrit Kalaja, Sashenka Jonuzi, Marie Qiriazi dhe Meriban Mullai, pas përfundimit të seancës dëgjimore nuk u larguan nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Në një nga zyrat e katit të dytë ata kanë qëndruar deri pak para mesnate për të marrë vendimin e tyre që do ta çonte KQZ-në në hapjen e të gjitha kutive të votimit. Pasi ra nata, lëvizjet e tyre, aspak të qeta, dukeshin fare qartë nga hija që lëshonin mbi perden e zyrës së katit të dytë, ku ata punuan për orë të tëra për të dalë në vendimin përfundimtar. Ndërsa gazetarët që shihnin lëvizjet e tyre nga poshtë Gjykatës e që nuk u larguan për asnjë çast, bënin paralelizmat me procedurën e zgjedhjes së Papa Benediktit XVI, duke parashikuar ngjyrën e tymit që do të dilte prej andej.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura