Kolegji Zgjedhor ka pranuar dje dy kërkesa të Partisë Socialiste për të shpallur pavlefshmëri në komunat Kolsh në Lezhë dhe Shalë në Shkodër, pas shkeljeve ligjore që kanë ndodhur ditën e votimit dhe atë të numërimit. Fillimisht u shqyrtua kërkesa ankimore e PS-së për komunën Kolsh, ku diferenca mes kandidatëve ishte pesë vota në favor të kandidatit demokrat. Por, sipas PS-së, gjatë nxjerrjes së tabelave të rezultateve në një qendër votimi dilte që numri i fletëve të votimit ishte 8 më shumë sesa numri i qytetarëve që kishin votuar më 8 maj. Pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, trupi gjykues me relatore Sashenka Jonuzin, vendosi të pranojë kërkesë-padinë dhe të shpallë pavlefshmërinë në këtë njësi vendore. Gjatë mesditës së djeshme u pranua edhe kërkesa e dytë e socialistëve për t’i shpallur të pavlefshme zgjedhjet në komunën Shalë në qarkun e Shkodrës, si pasojë e parregullsive të ndodhura gjatë ditës së votimit. Më herët u rrëzua një kërkesë e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në komunën Velipojë, ku ka fituar ish deputeti demokristian Pashko Ujka.
Kërkesat në Kolegjin Zgjedhor
Gjatë ditës së sotme, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë dy kërkesa të tjera të Partisë Socialiste për komunën Karbunarë në Lushnjë dhe Komsi në Dibër. Në të njëjtën kohë, mesditën e sotme do të shqyrtohet edhe një kërkesë e PD-së për komunën Gjoricë, po në qarkun e Dibrës, si dhe një kërkesë e shtyrë nga dita e djeshme e PD-së për komunën Sllovë.
Komunat ku do të rivotohet
Pas vendimit të djeshëm të Kolegjit për të shpallur pavlefshmëri në dy komuna, shkon në 8 numri i njësive vendore ku do të zhvillohen zgjedhje në një datë që do ta përcaktojë KQZ-ja. Kështu, veç Kolshit dhe Shalës, zgjedhje do të bëhen në Armen të Vlorës, Pishaj e Papër të Elbasanit, Zall Dardhë të Dibrës dhe Ana e Malit e Shllak në Shkodër.
© Panorama.al











