Kolegji rrëzon PS, Basha fitues i Tiranës me 81 vota

Jun 4, 2011 | 10:07
kolegji zgjedhor duke dhene dje vendimin

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për hapjen e kutive dhe lë në fuqi vendimin që nxjerr Lulzim Bashën fitues me 81 vota në garën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.Pas një dite maratonë, që nisi në orën 10:00 dhe përfundoi afër orës 21:00, Gjykata, e përbërë nga pesë gjyqtarë, pushoi gjykimin e çështjes lidhur me kërkesën e PS-së për të anuluar të gjitha vendimet e KQZ-së. “Përfundimisht, Kolegji Zgjedhor, pasi dëgjoi palët në proces, administroi provat e paraqitura prej tyre. Në zbatim të nenit 158, pika 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor, vendosi: Rrëzimin e kërkesë-padisë së palës paditëse Partia Socialiste e Shqipërisë përsa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit Nr. 709, datë 23.5.2011, palës së paditur KQZ në Tiranë. Pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme të nxjerra nga pala e paditur, KQZ. Ky vendim është i formës së prerë, u shpall në Tiranë datë 3.6.2011. Me kaq seancën e deklaroj të mbyllur”, u shpreh relatori i çështjes, Tom Ndrecaj në përfundim të një seance gjyqësore që nisi me ditë dhe përfundoi me natë.
Argumentet
Seanca nisi në orën 10:00 të mëngjesit, ku përveç avokatëve të PD-së, PS-së dhe KQZ-së, vihej re një numër i madh të interesuarish që donin ta ndiqnin nga afër atë. Fillimisht ishin përfaqësuesit e PS-së që, teksa parashtruan argumentet e tyre, u ndalën në dy drejtime: së pari, akti i miratuar nga KQZ-ja për hapjen e kutive dhe numërimin e votave në kutinë e gabuar ishte normativ dhe, si i tillë, duhej miratuar me pesë vota dhe, së dyti, KQZ-ja nuk mund të merrte funksionet e KZAZ-së dhe të ndryshonte tabelat që kishin ardhur nga grupet e numërimit. “Vendimi i KQZ-së nuk ka mbështetje ligjore. Me nxjerrjen e këtij vendimi KQZ ka vendosur rregulla të reja sjelljeje. Vendimmarrja në vite ka qenë e ndryshme. Fletët e votave të hedhura në kutinë e gabuar më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor janë cilësuar të pavlefshme. Arsyetimi i përdorur për të rinumëruar këto vota është në kundërshtim me ligjin”, u shpreh Eno Bushi i PS-së. Leximi i kërkesës së PS-së zgjati rreth një orë e 20 minuta dhe për këtë arsye gjyqtarët kërkuan 15 minuta pushim. Dëshira Pasko, përfaqësuese e KQZ-së, hodhi poshtë argumentet e socialistëve lidhur me faktin se akti ishte normativ. Sipas saj, “pretendimi se Vendimi 709 është një akt normativ, është i pabazuar. Në Vendimin Nr. 709 u vlerësuan votat për nëntë KZAZ-së në Bashkinë Tiranë. Në KZAZ-në 45 nuk u paraqit asnjë kërkesë për vlerësimin e këtyre votave. Vendimi 709 nuk vendos rregulla me karakter të përhershëm, por shqyrton kërkesat individuale të disa KZAZ-ve”. Pasko tha gjithashtu se KQZ-ja e ka kryer edhe më parë rolin e KZAZ-së kur ka regjistruar kandidatët për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Në të njëjtën linjë me qëndrimin e KQZ-së ishte edhe Partia Demokratike. Ivi Kaso, avokati i PD-së, tha se “Vendimi 709 nuk është një akt normativ që të kërkojë pesë vota. Akti u drejtohet njerëzve të identifikuar. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vlerë vetëm për KQZ-në dhe jo për KZAZ-të, siç u pretendua”. Nga ana e tyre, gjyqtarët e çështjes insistuan disa herë me pyetjet e tyre për indiciet që e çuan KQZ-në të ndërmerrte këtë vendim. Sipas përfaqësueses së këtij institucioni, KQZ-ja u vu në lëvizje pas kërkesave të ardhura nga KZAZ-të, të cilat evidentonin se kishin gjetur një numër të madh votash ku qytetarët kishin shprehur qartë vullnetin e tyre, por ato ishin hedhur në kutinë e gabuar. Më fund të seancës maratonë rreth 4 orë, ku u parashtruan argumentet e PS-së, PD-së dhe KQZ-së, trupa e gjyqtarëve kërkoi të administronte si provë edhe tabelat e rezultateve të ardhura nga KZAZ-të, pasi ishte mbyllur procesi i numërimit në kutinë për kryetarin e Bashkisë. Për shkak se administrata e KQZ-së nuk i kishte me vete këto tabela, u la që mbledhja të vazhdonte në orën 17:00, me paraqitjen e tyre. Me fillimin e seancës, e cila zgjati vetëm 10 minuta, ku palët parashtruan edhe njëherë kërkesat e tyre, PS-ja dorëzoi edhe një letër që kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i kishte dërguar selisë rozë përpara zgjedhjeve. Në këtë letër thuhej se KQZ-ja, dhe jo KZAZ-ja do të jetë institucioni që do të regjistrojë kandidatët për Tiranën. Pas 3 orë e 45 minuta mbledhje, pesë gjyqtarët dolën para palëve të interesuara dhe mediave ku dhanë vendimin, i cili në sallë u prit qetësisht, ndërsa në korridore të gjithë ishin duke folur në telefon për të komunikuar këtë vendim të fundit.

Festime në Tiranë për fitoren e Bashës

Menjëherë pas vendimit të Kolegjit për të rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, militantë të PD-së dolën në rrugët e kryeqytetit për të festuar fitoren e Lulzim Bashës. Me flamuj, makina dhe bori ata iu drejtuan qendrës së Tiranës dhe më pas shkuan në selinë e PD-së ku do të fliste kandidati fitues. Rreth orës 22:00 u hodhën edhe disa fishekzjarrë pranë selisë së demokratëve.

Argumentet e PS-së

Vendimi Nr. 709 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është akt normativ dhe, si i tillë, ai duhej të miratohej me pesë vota. Në mbledhjen e 23 majit ky akt mori katër vota pro dhe tre kundër.

KQZ-ja ka vendosur rregulla të përgjithshme sjelljeje me karakter normativ për mënyrën se si duhen vlerësuar fletët e votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara që nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit.

Vendimi i KQZ-së për të hapur kutitë ku ishin hedhur votat në kutinë e gabuar nuk kishte asnjë bazë ligjore.

KQZ-ja nuk ka të drejtë të ndryshojë tabelat e ardhura nga KZAZ-të, por vetëm të bëjë mbledhjen matematikore të tyre.

Më parë KQZ-ja dhe Kolegji i kanë cilësuar të pavlefshme votat në kutinë e gabuar.

KQZ-ja nuk mund të jetë në asnjë rast KZAZ.

Argumentet e KQZ-së

Pretendimi se Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Nr. 709, i datës 23 maj 2011, është akt normativ dhe duhet të votohet me pesë vota, është i pabazuar.

KQZ-ja, në rolin e KZAZ-së së madhe të Tiranës, u vu në lëvizje pasi nga shumë KZAZ u paraqit shqetësimi se ishin gjetur fletë votimi ku qytetari e kish shprehur vullnetin e tij, por ishin në kutinë e gabuar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer funksionet e KZAZ-së së madhe të Tiranës edhe në rastin kur janë regjistruar kandidatët për kryetarë të Bashkisë dhe kur janë paraqitur listat për Këshillin Bashkiak.

Vota e hedhur në kutinë e gabuar nuk e bën këtë fletë votimi të pavlefshme.

Argumentet e PD-së

Vota e hedhur në kutinë e gabuar sipas Kodit nuk e bën atë të pavlefshme dhe zgjedhësi nuk është fajtor.

Vendimi 709 nuk është një akt normativ që të kërkojë pesë vota.

Akti i drejtohet njerëzve të identifikuar. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vlerë vetëm për KQZ-në dhe jo për KZAZ-të, siç u pretendua.

Nuk ka ndryshuar asnjë rregull i lojës dhe ky pretendim i palës paditëse nuk qëndron.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bë si KZAZ si në rastin e regjistrimit të kandidatëve për Bashkinë e Tiranës.

Tom Ndreca

Tom Ndreca ishte personi më aktiv në Kolegj, por edhe më me humor. Batutat e tij ishin për të dyja partitë, por edhe autoironi, siç ishte një rast kur i ranë syzet në tokë: “Mosss! Më duket se m’u thyen. Do të thonë pastaj që e lexoi vendimin gabim Toma, se nuk pa mirë”. Ndërsa avokatëve të PS-PD vazhdimisht u thoshte në dialekt: “Keni t’gjithë drejtën e Zotit me fol. Ju t’njëri-tjetrit jeni, flisni”.

Debati në seancën e Kolegjit

Entela Prifti (gjyqtare): Vendimin 709 të KQZ-së ju e vlerësoni vendim përfundimtar? Është ky akt normativ?
Arjan Salati (avokat i PS): Vendimi 709 është përfundimtar. Ky vendim është i paligjshëm dhe është akt normativ. Pavlefshmëria e vendimit rezulton e qartë qoftë me mosrespektim të procedurës, ashtu edhe në drejtim të pabazueshmërisë ligjore të përmbajtjes së aktit. Vendimi i KQZ-së nga përmbajtja e tij është një akt normativ që sipas nenit 24 të Kodit kërkon pesë vota. Për rrjedhojë, vendimi është një akt i pavlefshëm për arsye të shkeljes së procedurës së miratimit të tij. Është miratuar nga katër anëtarë. KQZ-ja ka vendosur rregulla të përgjithshme sjelljeje me karakter normativ për mënyrën se si duhen vlerësuar fletët e votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara që nuk janë hedhur në kutitë respektive të votimit.
Tom Ndreca (relatori): T’i gërshetojmë pak argumentet…
Arjan Salati: Akti është normativ sepse u drejtohet të gjitha KZAZ-ve. Vendimi është hipotetik sepse nuk dihej nëse ka vota apo s’ka në kutinë e gabuar.
Tom Ndreca: Sipas jush, pavarësisht se indicia ka qenë Tirana, është për gjithë vendin?
Arjan Salati: Po. Që në titull del që ky është një akt normativ.
Sashenka Jonuzi (gjyqtare): Kanë ardhur rezultatet nga qendrat e votimit? Si është vepruar?
Arjan Salati: Po. Vendimi 709 urdhëron të ndryshohen tabelat e grupeve të numërimit. Kemi dy akte, këtë vendim dhe Vendimin 711.
Sashenka Jonuzi: Me këtë vendim është përcaktuar procedura si do të vepronte KQZ?
Arjan Salati: Ky është një akt normativ që ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë.
Tom Ndreca: Kjo vendimmarrje nuk ka votat e mjaftueshme?
Arjan Salati: Po kjo vendimmarrje është nul.
Tom Ndreca: Këtu KQZ-ja është si KZAZ?
Arjan Salati: KQZ-ja nuk është asnjëherë KZAZ. KQZ-ja është KQZ. Edhe kur merr atributin e KZAZ-së, vepron si KQZ dhe jo si KZAZ.
Tom Ndreca: Ju thoni që vendimi duhej marrë 5-2?
Arjan Salati: Duhet absolutisht 5-2 sepse është akt normativ. Neni 123 i jep KQZ kompetencë të bëjë mbledhjen aritmetikore të tabelave. Nuk i thotë rihapi dhe ribëjë vlerësimin e votave.
Tom Ndreca: KQZ mbi ç’bazë u investua?
Arjan Salati: Nuk ka asnjë bazë ligjore. Nëse na tregon një bazë ligjore, ne ikim.
Sashenka Jonuzi: A kishte ankim?
Arjan Salati: Nuk kishte asnjë lloj ankimi. Ankimet vijnë pasi bëhet tabela. KQZ-së nuk i jep njeri të drejtë të bëjë këtë veprimtari, vetëm të bëjë shumatore tabelash. KZAZ-të e kishin bërë punën e tyre.
Damian Gjiknuri: Dua të bëj një shtesë të vogël, për të qenë racional.
Tom Ndreca: A je me autorizim?
(Të qeshura në sallë)
Damian Gjiknuri: Patjetër që jam me autorizim. U prezantova në fillim. Thelbi është që u vunë rregulla të reja.
Eno Bushi (avokat i PS): Vendimi i KQZ-së nuk ka mbështetje ligjore. Me nxjerrjen e këtij vendimi KQZ ka vendosur rregulla të reja sjellje. Vendimmarrja në vite ka qenë e ndryshme. Fletët e votave të hedhura në kutinë e gabuar më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor janë cilësuar të pavlefshme. Arsyetimi i përdorur për të rinumëruar këto vota është në kundërshtim me ligjin.
Tom Ndreca: Këto fletë votimi u gjetën pasi kishte përfunduar votimi për kryetarin?
Eno Bushi: Është bërë edhe tabela e rezultatit.
Tom Ndreca: Kur kanë dalë këto fletë votimi, GNV-të si janë shprehur?
Eno Bushi: E ka verifikuar që nuk i përket asaj kutie dhe është deklaruar e pavlefshme.
Sashenka Jonuzi: Si janë bërë këto kontestime?
Eno Bushi: I kanë bërë një ose disa anëtarë të KZAZ-së. Nuk janë vendime të KZAZ-së. Kanë shkruar një letër ku kanë shprehur shqetësimin. Kodi Zgjedhor parashikon që KQZ-ja nxjerr rezultatin mbi bazën e tabelave të ardhura nga GNV-të. Sipas nenit 123 KQZ-ja nuk mund të jetë KZAZ. Nuk ka asnjë dispozitë në Kod që t’i japë kompetencë KQZ-së të numërojë votat e vlerësuara më parë. I kërkojmë Gjykatës, pasi ta gjykojë çështjen në themel, të vendosë pranimin e kërkesë-padisë duke konstatuar të pavlefshëm Vendimin e KQZ 709, vendimin e datës 18 dhe anulimin e të gjitha veprimeve administrative të kryera nga KQZ-ja për ndryshimin e tabelave në kundërshtim flagrant me ligjin.
Tom Ndreca: Kaq ishte kërkimi juaj? Ku ishim? Asgjëkund?
Damian Gjiknuri: A ka ndodhur ndonjëherë që KQZ, pasi është mbyllur tabela e rezultateve e QV-ve ka ndërhyrë pa proces ankimor?
Dëshira Pasko: Ka ndodhur në Zonën 39, ku kreu një procedurë të njëjtë.
Entela Prifti: Ju si ligjvënës, çfarë mase keni marrë? Me ç’kemi dëgjuar, ka pasur tentativa për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ka qenë partia juaj që nuk ka shkuar. Përfaqësuesit tuaj në KQZ nuk kanë qenë të pranishëm. Përfaqësuesit tuaj mund të kishin parashikuar situata të ngjashme dhe të reagonin për këtë situatë.
Damian Gjiknuri: Ne do të pranojmë gjithë pjesën tonë të fajit nëse pala tjetër thoshte “po”. Ata pranojnë se ne kemi bërë një gjë që sna e lejon ligji sepse ju nuk na keni ndihmuar për ndryshimin e ligjit.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura