Kolegji rrëzon PD për Otllakun, në Finiq zgjedhjet shpallen të pavlefshme

Jun 11, 2011 | 10:27

Kolegji Zgjedhor rrëzon pesë nga shtatë kërkesat e partive për vendimet që ka marrë KQZ-ja. Trupa e gjyqtarëve vendosi të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në komunën Finiq të qarkut të Vlorës, ku kishte fituar kandidati i Partisë MEGA, Ziso Lluci, me katër vota më shumë se kandidati i PBDNJ-së, Sokrat Spiro. Përfaqësuesit e PBDNJ-së pretenduan se në një qendër votimi kanë votuar tre qytetarë, të cilët ishin të regjistruar njëkohësisht edhe në listën e zgjedhësve të komunës Çarshovë. Një tjetër argument i tyre ishte se rreth 60% e zgjedhësve, kur janë paraqitur në qendrën e votimit, nuk kanë shënuar numrin e kartës së identitetit. Përfaqësuesja e kandidatit të MEGA-s, Flutura Kona, tha se këto pretendime nuk janë shënuar në librin e protokollit të mbledhjeve, megjithëse PBDNJ-ja kishte një komisioner. Në fund Gjykata i dha të drejtë kandidatit të PBDNJ-së, duke i shpallur zgjedhjet të pavlefshme. Kolegji nuk pranoi argumentet e Partisë Demokratike për komunën Otllak në qarkun e Beratit, ku ka dalë fitues kandidati i mbështetur nga koalicioni i majtë, Dalip Kanaçi, me nëntë vota më shumë se kandidati i PD-së, Durim Myftaraj. Sipas përfaqësuesve të Partisë Demokratike, në këtë zonë zgjedhore është vërejtur se në një qendër votimi janë vjedhur 356 fletë votimi përpara se të hapej qendra e votimit. “Në QV Nr. 3435, në mëngjesin e ditës së votimin është konstatuar mungesa e 356 fletëve të votimit për kryetar komune, të marra në dorëzim nga komisioni i QV një natë më parë, fakt ky i pasqyruar edhe nga procesverbali i konstatimit të KZAZ Nr. 2”, thuhet në kërkesën ankimore. Gjithashtu, PD-ja pretendoi se në një qendër votimi janë gjetur 13 fletë votimi më shumë nga sa kishte marrë në dorëzim ajo qendër para se të nisnin zgjedhjet. Këto fakte, sipas PD-së, ishin të mjaftueshme për ta çuar qendrën në pavlefshmëri, pasi diferenca mes kandidatëve ishte vetëm nëntë vota. Nga ana e tij, përfaqësuesi i PS-së, Eno Bushi, tha se nuk rezulton që ankimi të jetë i mbështetur në prova. Sipas tij, nëse PS-ja do të kishte vjedhur 356 fletë votimi, kaq do të ishte edhe diferenca mes kandidatëve. “Edhe përsa u përket pretendimeve të ngritura nga ankuesi, se kanë votuar persona që kanë qenë jashtë shtetit, mbështetet vetëm mbi indicie dhe nuk ka asnjë provë për këtë fakt”, tha Bushi. Pasi u tërhoq për të marrë vendim, Kolegji rrëzoi kërkesën e PD-së, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, sipas të cilit, fitues është kandidati socialist. Në mbledhjet e djeshme të Kolegjit u rrëzuan edhe kërkesat ankimore për Shoshin, Llugajn, Bratajn dhe Gruemirën, ndërsa u shty për javën tjetër kërkesa ankimore për Zharrësin, e bërë nga PS-ja. Ndërkohë në KQZ u ndanë mandatet për komunat dhe bashkitë e qarkut të Elbasanit. Aleanca për Qytetarin ka fituar numrin më të madh të këshillave në komuna 23 përballë 4 të të majtës, si dhe në bashkitë Çerrik Përrenjas, Librazhd dhe Gramsh. Në dy komuna, Skënderbegas dhe Kushovë, zgjedhja e një këshilltari do të bëhet me short mes katër partive (dy parti për secilën komunë), pasi kanë marrë të njëjtin numër votash. Hedhja e shortit përcaktohet në nenin 166, pika 2, ku thuhet se “në rastin kur dy ose më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, atëherë ndërmjet tyre hidhet short. Shorti organizohet nga KQZ-ja në një seancë publike, me pjesëmarrjen edhe të kandidatëve. KQZ-ja përcakton rregullat e organizimit të shortit”.

© Panorama.al

Te lidhura