Kolegji rrëzon KQZ, i jep fitoren kandidatit të PBDNJ në Finiq

Aug 17, 2011 | 10:24

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje kërkesën e partisë MEGA për të shpallur kandidatin e saj fitues në zgjedhjet e 31 korrikut në komunën Finiq të qarkut të Vlorës. Fillimisht KZAZ-ja e kësaj zone shpalli fitues kandidatin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me një votë më shumë se kandidati i MEGA-s. Ky i fundit, Ziso Lluci, e ankimoi vendimin e KZAZ-së në KQZ, e cila pranoi të hapë kutitë dhe i quajti të vlefshme pesë vota të MEGA-s, të cilat KZAZ-ja i kishte shpallur të pavlefshme. Por, KQZ-ja nuk arriti ta miratojë vendimin për shkak se ndryshimi i tabelës në KZAZ kërkonte pesë vota dhe anëtarët e pakicës dolën kundër. Në këtë mënyrë, MEGA e apeloi vendimin e KQZ-së në Kolegj, i cili, nga ana e tij, nuk i mori parasysh argumentet e kësaj partie, duke lënë përfundimisht fitues kandidatin e PBDNJ-së. Në mbledhjen e pasdites së djeshme, KQZ-ja vendosi të caktojë 21 gushtin si ditën kur do të mbahen zgjedhjet në komunën Shalë, e fundit njësi vendore, e cila nuk ka ende kryetarin. Nënkryetarja e KQZ-së nuk e votoi propozimin e administratës me argumentin se nuk ofrohet koha e mjaftueshme për të përgatitur zgjedhjet për këtë zonë.

© Panorama.al

Te lidhura