Kolegji,letër Topit,BE,SHBA: Na mbroni nga sulmet e PS

Jul 16, 2011 | 11:03

Të vënë përballë akuzave të njëpasnjëshme të Partisë Socialiste, gjyqtarët e Kolegjit kanë kërkuar mbështetjen e Presidentit dhe të institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë.Burime zyrtare pranë Gjykatës së Apelit konfirmuan dje për gazetën “Panorama” se gjyqtarët kanë shkruar një letër, të cilën e kanë firmosur të tetë dhe e kanë nisur në drejtim të institucioneve prej të cilave kërkojnë një reagim publik. Akuzat e opozitës dhe pasqyrimi i tyre gjerësisht në media nuk kanë kaluar pa batuta ironie nga anëtarët e Kolegjit gjatë seancës së djeshme, kur po shqyrtohej kërkesa e Partisë Demokratike për ndarjen e mandateve në Këshillin e Bashkisë së Tiranës.
Letra
Në përfundim të seancës gjyqësore, rreth orës 12:30, tetë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor i kanë dërguar një letër Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Konferencës Gjyqësore, zyrës së Komisionit Europian dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. “Është e vërtetë që ne i kemi dërguar një letër kreut të shtetit dhe disa institucioneve ndërkombëtare ku kemi theksuar faktin se gjatë gjithë veprimtarisë sonë në këto zgjedhje ne kemi punuar nën presion. Ne kërkuam prej tyre një reagim në mbështetje të punës sonë përballë akuzave të ardhura ditët e fundit”, tha njëri nga firmëtarët e letrës drejtuar kreut të shtetit dhe ndërkombëtarëve të akredituar në Shqipëri. Letra e tetë gjyqtarëve vjen pak ditë pas akuzave të forta të Partisë Socialiste për pazare mes PD-së dhe trupës së Kolegjit për vendimin që e nxori Lulzim Bashën fitues në Bashkinë e Tiranës.  Tri ditë më parë, kreu i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se gjyqtarët kanë marrë nga 500 mijë euro për vendimet në favor të Bashës, ndërsa para dy ditësh, Taulant Balla shtoi se ka fakte të pakundërshtueshme që tregojnë se në çfarë zyre avokatie janë bërë pazaret me gjyqtarët. “Sigurisht që janë shumë para, por kur dëgjon që edhe në sekondën e fundit thirret anëtari i gjykatës, e di që pas kësaj do të më thoni: kush është dhe si është thirrur anëtari i Gjykatës së Kolegjit dhe i thuhet se ke 500 mijë euro për një vendim? Sikur të jetë e vërtetë kjo, i thonë herë 5, i thonë 2 milionë e gjysmë euro vetëm për një vendim”, u shpreh Gramoz Ruçi në një intervistë televizive.
Reagimi
Akuzat e socialistëve nuk kanë ngelur pa u komentuar jo pa ironi nga gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, ndonëse jo zyrtarisht. Në një moment shtyrje të seancës së djeshme të Kolegjit, gjyqtarja Entela Prifti ka pyetur: “Këtu janë ata gazetarët që kanë shkruar në gazetë se ne kemi marrë nga 500 mijë euro?”. Ndërsa një gjyqtar tjetër, pjesë e trupës gjyqësorë të ditës së djeshme, teksa ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e ardhura nga selia rozë, është shprehur: “Unë kam një kohë të gjatë që punoj në gjyqësor dhe më e njeh e gjithë Shqipëria. Ata e dinë se kush jam. Këtu nuk cenohem unë, por cenohet familja, sepse ne kemi fëmijë, dhe ata shkojnë në shkollë e i ngacmojnë për këto akuza”.

Akuzat e PS

Gjyqtarët e Kolegjit kanë marrë nga 500 mijë euro për çdo vendim të dhënë.

Ne e dimë fare mirë se kush është zyra avokatore familjare në të cilën u thirrën anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, nga Toma te Sashenka, për të bërë pazarin.

Për këta gjyqtarë të korruptuar, kemi prova të qarta se në cilën zyrë janë ftuar, se me kë janë takuar dhe sa janë paguar.

Vendimet kundër PS ishin 5-0

Në tri kërkesat ankimore që Partia Socialiste bëri në Kolegjin Zgjedhor lidhur me rezultatin në Bashkinë e Tiranës, dy prej tyre u rrëzuan me rezultatin 5-0. Kërkesa e parë ishte anulimi i Vendimit Nr. 709 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që hapi kutitë dhe numëroi votat e hedhura gabimisht. Trupa e gjyqtarëve, me relator Tom Ndrecën, votoi unanimisht kundër kërkesës së PS-së. Vendimi i dytë që u mor me të gjitha votat kundër PS-së ishte padia për të shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Trupa e gjyqtarëve kryesohej nga Sashenka Jonuzi.

Tirana, çështja e fundit e Kolegjit

Vendimet kaq shumë të debatuara të tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës janë të fundit që kjo trupë gjyqësore merr. Kodi Zgjedhor parashikon për Kolegjin Zgjedhor një mandat katërvjeçar, i cili fillon përpara se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe mbaron në fund të legjislaturës. “Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, Tiranë, i ushtron funksionet e veta gjatë gjithë kohëzgjatjes së legjislaturës së Kuvendit të dalë nga zgjedhjet, për të cilat është hedhur shorti dhe funksionon për të gjitha llojet e zgjedhjeve”, thuhet në pikën 1 të nenit 147 të Kodit Zgjedhor. Në zgjedhjet e përgjithshme, trupa e Kolegjit rrëzoi shumicën e kërkesave të Partisë Socialiste për hapjen e kutive në disa qarqe dhe pranoi një kërkesë të saj që i dha mandatin e nëntë në qarkun e Fierit.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura