Kolegji: Argumentet përse e rrëzuam PS për pavlefshmërinë

Jul 13, 2011 | 11:10

Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin për rrëzimin e kërkesës së PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.Mesditën e djeshme, anëtarët e trupit gjykues kanë firmosur dokumentin prej nëntë faqesh, të arsyetuar, dhe ua kanë shpërndarë partive politike. Vendimi unanim përmban argumentet për dy kërkesa të PS-së që u bënë në seancën e së enjtes në Kolegjin Zgjedhor.
Pavlefshmëria
Kërkesa e parë e Partisë Socialiste kishte të bënte me pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë. Sipas socialistëve, KQZ-ja, pasi hapi 1800 kuti për të gjetur votat e hedhura gabim, nuk arriti të përmbushë detyrimin që i vuri Kolegji për të përputhur të gjitha shifrat. Në tabelën përfundimtare, sipas PS-së, rezulton se janë rreth 800 vota më shumë se numri i votuesve dhe problemet janë shënuar në 284 qendra votimi. Në përgjigje të kësaj kërkese të Partisë Socialiste, pesë anëtarët e Kolegjit janë shprehur se e drejta për të kërkuar pavlefshmëri partive u ka lindur pasi KQZ-ja nxori Vendimin 711, ku Basha rezultonte fitues i zgjedhjeve me 81 vota më shumë. “Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i Kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin 3-ditor të së drejtës për t’u ankuar apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultatit nga KQZ. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor (që është 3-ditor) dhe ky afat nuk mund të zgjatet pasi është afat prekluziv. Në bazë të nenit 125, me titull ‘Llogaritja e afateve’ të Kodit Zgjedhor, që përfshihet në pjesën X të tij të titulluar ‘Ankimi në rrugë administrative i vendimeve të komisioneve zgjedhore’, pika 5, përcaktohet se ‘nuk mund të ketë rivendosje në afat'”, thuhet në arsyetimin e Kolegjit. Sipas trupës së gjyqtarëve, e drejta e partive për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në një zonë zgjedhore bie nëse kalon afati treditor i parashikuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor. “E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor, me kalimin e afatit 3-ditor sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim apo për të kërkuar pavlefshmëri”, thuhet më tej në vendim. Një nga argumentet e PS-së gjatë shqyrtimit të çështjes ishte fakti se Kolegji, teksa urdhëroi KQZ-në për të hapur 1800 kutitë ku ishin votat e hedhura gabimisht, rrëzoi njëkohësisht edhe tabelën e nxjerrë nga ky institucion, që shpallte fitues Lulzim Bashën. Për këtë argument, anëtarët e Kolegjit shprehen se “pretendimi i ngritur nga pala paditëse, se jemi para një rezultati të ri, të pasqyruar, në tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar, i shpallur me Vendimin Nr. 1158, datë 25.6.2011 të KQZ, nuk qëndron, pasi ky rezultat ka ekzistuar qëkur është dhënë Vendimi Nr. 711, datë 23.5.2011, duke u ndryshuar në fazat e mëtejshme të rinumërimit dhe të rivlerësimit të votave”. Si përfundim, lidhur me pretendimin e parë të PS-së, pesë gjyqtarët argumentuan se “zgjedhja e mbrojtjes ligjore për realizimin e të drejtave të çdo subjekti zgjedhor është një e drejtë legjitime e tyre, por nuk mund të zgjatet tej kufijve të lejuar të ligjit dhe në kundërshtim me dispozitat urdhëruese në Kodit Zgjedhor”.
Urdhërimi i Kolegjit
Kërkesa e dytë i Partisë Socialiste në seancën e së enjtes në Kolegj ishte që Gjykata të urdhëronte KQZ-në të merrte në shqyrtim ankimimin e saj për pavlefshmërinë në Tiranë. Në mbledhjen e 28 qershorit, KQZ-ja me katër vota pro vendosi të mos pranojë shqyrtimin e kërkesës së PS-së, pasi nuk është kompetente dhe është jashtë afatit. “I pabazuar është pretendimi tjetër i ngritur në kërkesëpadi ‘për detyrimin e palës së paditur të nxjerrë vendim'”, thuhet në arsyetimin e Kolegjit. Duke iu referuar nenit 145 të Kodit, sipas të cilit partitë mund t’i kërkojnë Kolegjit të urdhërojë KQZ-në të marrë vendim për një çështje, gjyqtarët u shprehën se në këtë rast Komisioni ka marrë vendim kur nuk ka pranuar ta shqyrtojë kërkesën ankimore. “Pala e paditur ka marrë vendim për ‘Mosshqyrtimin e çështjes’, për shkak të kalimit të afatit ligjor, në përputhje me nenin 130, pika ‘c’ e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, në referim të pikës 2 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, përcaktohet e drejta e subjektit zgjedhor të bëjë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ. Në rastin tonë, KQZ, ndonëse nuk e ka shqyrtuar çështjen në themel për shkak të mosushtrimit të së drejtës së kërkimit për pavlefshmëri të zgjedhjeve brenda afatit 3-ditor, përsëri në zbatim të nenit 130 ai ka dalë me vendim”, thuhet në vendimin e arsyetuar. Në përfundim të këtij argumentimi theksohet se “në kushtet e ekzistencës së një akti administrativ, vendimit të KQZ, nuk mund të kërkohet detyrimi i palës së paditur të nxjerrë vendim, pasi ky vendim nuk ekziston”.

KODI

Neni 124
Çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshme brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit. Kundër vendimit të KQZ-së, të marrë sipas nenit 123 të këtij Kodi, mund të paraqitet ankim po në KQZ jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e këtij vendimi.

Neni 160
Subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.

Neni 125
Afatet që në këtë pjesë janë përcaktuar me orë llogariten duke përjashtuar orën në të cilën lind e drejta e ankimit ose detyrimi administrativ. Në të gjitha rastet kur afatet në këtë Kod llogariten me orë, organi administrativ i ngarkuar nga ky Kod është i detyruar të shënojë në aktin administrativ orën e shpalljes së aktit. Në rast të kundërt, afati llogaritet duke filluar nga ora 08:00 e ditës pasardhëse. Për afatet e ankimit, sipas kësaj pjese, nuk mund të ketë rivendosje në afat.

Neni 130
“KQZ-ja merr vendim për pranimin ose mospranimin e kërkesës ankimore, pasi verifikon elementet e mëposhtme: a) kompetencën e KQZ-së për shqyrtimin e ankimit; b) legjitimimin e ankuesit; dhe c) respektimin e afateve ligjore për ankimin”, thuhet në Kod.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor

Argumenti për pavlefshmërinë

• Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i Kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin 3-ditor të së drejtës për t’u ankuar apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultatit nga KQZ. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor (që është 3-ditor) dhe ky afat nuk mund të zgjatet, pasi është afat prekluziv. Në bazë të nenit 125, me titull “Llogaritja e afateve” të Kodit Zgjedhor, që përfshihet në pjesën X të tij të titulluar “Ankimi në rrugë administrative, i vendimeve të Komisioneve Zgjedhore”, pika 5 përcaktohet se “nuk mund të ketë rivendosje në afat”.
• E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor me kalimin e afatit 3-ditor, sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit zgjedhor për të ushtruar ankim apo për të kërkuar pavlefshmëri.
• Pretendimi i ngritur nga pala paditëse se jemi para një rezultati të ri, të pasqyruar në tabelën përmbledhëse të rezultatit përfundimtar, i shpallur me Vendimin Nr.1158, datë 25.6.2011 të KQZ-së, nuk qëndron, pasi ky rezultat ka ekzistuar qëkur është dhënë Vendimi Nr.711, datë 23.5.2011, duke u ndryshuar në fazat e mëtejshme të rinumërimit dhe të rivlerësimit të votave.
• Në analizën përfundimtare të çështjes, Kolegji çmon se zgjedhja e mbrojtjes ligjore për realizimin e të drejtave të çdo subjekti zgjedhor është një e drejtë legjitime e tyre, por nuk mund të zgjatet tej kufijve të lejuar të ligjit dhe në kundërshtim me dispozitat urdhëruese në Kodit Zgjedhor.

Argumenti për detyrimin e KQZ të marrë vendim

• I pabazuar është pretendimi tjetër i ngritur në kërkesëpadi “për detyrimin e palës paditur të nxjerrë vendim”.
• Pala paditur ka marrë vendim për “Mosshqyrtimin e çështjes”, për shkak të kalimit të afatit ligjor, në përputhje me nenin 130, pika “c” e Kodit Zgjedhor. Ndërkohë, në referim të pikës 2 të nenit 145 të Kodit Zgjedhor, përcaktohet e drejta e subjektit zgjedhor të bëjë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ. Në rastin tonë, KQZ, ndonëse nuk ka shqyrtuar çështjen në themel për shkak të mosushtrimit të së drejtës së kërkimit për pavlefshmëri zgjedhjeve brenda afatit 3-ditor, përsëri në zbatim të nenit 130 ai ka dalë me vendim.
• Në kushtet e ekzistencës së një akti administrativ, vendimit të KQZ, nuk mund të kërkohet detyrimi i palës së paditur të nxjerrë vendim, pasi ky vendim nuk ekziston.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura