Kolegët, homazh lirikut Vehbi Skënderi

Jun 27, 2011 | 11:16
Poeti Vehbi Skënderi

Vetëm pak ditë më parë u nda nga jeta liriku Vehbi Skënderi. Pa bujë të madhe, ashtu si ndodh zakonisht me poetët, ku shpesh gjejnë strehë te vetmia. Por Vehbi Skënderi nuk ishte një poet i vetmuar. Pikërisht për ta treguar këtë, dje u zhvillua një takim homazh nën kujdesin e poetit Koçi Petriti. Për poetin pjesëmarrës në luftën Antifashiste e pastaj të persekutuar nga regjimi komunist, i internuari i zonave të humbura të Shqipërisë ka shumë për të thënë. Shumë janë kujtime personale, njohje që kanë lindur nga një poezi e palosur më katërsh e zhytur në xhep e pastaj një takim i beftë në ndonjë ditë me shi… Poeti Koçi Petriti ka gjithashtu kujtime të hershme me Vehbi Skënderin, qysh në kohërat kur ai ishte fare i ri e dëshironte të botonte në revistën “Ylli”, ku poeti ishte një prej redaktorëve, bashkë me emra të tjerë të njohur si Qamil Buxheli, Naum Prifti apo Miço Kallamata. Për të vijuar më vonë, në kohërat e përndjekjes së tij. “Vehbi Skënderin e detyruan të largohej nga sytë këmbët nga Tirana. “Me kokë në torbë” hyri tuneleve e baltërave të kantiereve, ku shkroi “Vjershat e poemat e Drinit”, pasazhet e të cilave i rimerr edhe pas 40 vjetëve në vjersha të reja, si ai montatori e saldatori i dikurshëm, që edhe sot “teshtin nga duhma e elektrodës” dhe rikujton: Gjithë komat e peliçes kam humbur nëpër skela/po vrik montoj në çast ca komça-gremça tela”.
Poeti Vehbi Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Në vitin 1940 u mobilizua me forcë nga ushtria greke në vijën e parë të frontit për hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan, ku i mbijetoi dy plagosjeve. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Prej vitit 1949-1974 do të punojë pranë revistave “Miqësia”, “Hosteni”, “Bashkimi”, “Ylli”, si dhe redaktor i poezisë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Më 1950, me propozimin e Lasgush Poradecit pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Përplasjet e tij me regjimin komunist dolën hapur në vitin 1967, kur me një grup intelektualësh përgatiti një “Brigadë shtypi” dhe e dorëzon për botim në gazetën “Zëri i Popullit”, të cilën Byroja Politike e cilëson veprimtari armiqësore. U akuzua për veprimtari antiparti. U konsiderua autor i ndaluar dhe dërgohet në Vaun e Dejës, i dënuar me punë korrektuese. Një vit më vonë, në kantierin e Zadejës, me punë fizike. Më 1974 përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi. Pas rreth dhjetë vitesh i rikthehet e drejta e botimit. Del në pension në vitin 1987 duke qenë korrektor në repartin e dispensave në Kombinatin Poligrafik. Prej vitit 1996, Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër.

Vepra

Librin e parë poetik, “Këngët e para”, e botoi në vitin 1953 për t’u pasuar nga “Vjersha”, “Fletë nga ditari im”, “Vjershat dhe poemat e Drinit”, “Vazhdim i një bisede”, “Vdekja e Ofelisë”, “Shqiponja e Vermoshit”, “Përsëri mëngjes”, “Vjersha dhe poema të zgjedhura- Kolana e poezisë shqipe”, “Kumbojnë vitet”, “Nxitoj”, “Bëjmë sikur”, “Hëna e vjedhur”, “Zvicra Shqipëria ime”.

© Panorama.al

Te lidhura