Koldashi: Ja sa do rriten pensionet

Jul 7, 2011 | 11:21
Drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi

Të gjithë qytetarët që marrin një pension, nga dje mund ta tërheqin atë bashkë me shtesën e përfituar nga rritja që qeveria miratoi së fundmi.Për ata që e kanë tërhequr këtë pension nga data 1-5 korrik, Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikoi edhe ditët kur mund të tërhiqet më vete edhe shtesa. Drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi, përmes një deklarate për shtyp bëri me dije detajet rreth rritjes së pensioneve sipas ndarjes në kategoritë fshat-qytet apo edhe sipas profesioneve.
Rritja sipas kategorive
Qeveria këtë vit bëri një rritje të pensioneve në kufirin e 4 dhe 7 për qind. Diferenca e rritjes fshat-qytet u ruajt sikurse në vitet e mëparshme, duke i dhënë prioritet rritjes së pensioneve të fshatit. Drejtoresha e ISSH-së, Koldashi, tha dje se numri i përfituesve nga kjo rritje është i konsiderueshëm. “Janë rritur në masën 4 për qind të gjitha pensionet e pleqërisë urbane, invaliditetit,  familjarë, si dhe të gjithë përfituesit e programeve të veçanta, si ushtarakë, minatorë, ish-punonjës të industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë. Gjithashtu, rriten me 7 për qind të gjitha pensionet e pleqërisë rurale, të invaliditetit dhe ato familjare. Nga ky vendim përfitojnë në total 570 561 përfitues”, tha ajo. Por, sa rriten në vlera pensionet minimale dhe maksimale për fshatin dhe qytetin. Nëse pensioni minimal i qytetit së bashku me kompensimet ishte 12 mijë e 840 lekë, tani ai bëhet 13 mijë 267 lekë. Pensioni maksimal i qytetit së bashku me kompensimet ishte 21 mijë e 880 lekë dhe bëhet 22 mijë e 734 mijë lekë. Për pensionin e plotë të fshatit, sipas llogaritjeve të ISSH-së, nëse ai ishte së bashku me kompensimet 7 mijë e 870 lekë, tani ai bëhet  8 mijë e 358 lekë. Pensioni maksimal i fshatit, nga 11 mijë e 117 mijë lekë, bëhet 11 mijë e 317 lekë.
Datat dhe fondi
Qytetarët që kanë filluar të tërheqin pensionin nga dje e kanë marrë atë të plotë me gjithë rritjen e fundit që i bëri qeveria. Ndërkohë që, për të gjithë ata që kanë tërhequr pensionin në datë 1-5 korrik, kur ende nuk ishte kaluar shtesa Instituti i Sigurimeve Shoqërore, bëri me dije se janë vendosur data të posaçme kur mund të tërhiqet kjo shtesë. Kështu, për ata që tërhoqën pensionin në datë 1 korrik, shtesa mund të tërhiqet në datë 11 korrik, për ata që e tërhoqën në datë 2 korrik, shtesa merret në 12 korrik e me radhë deri te qytetarët që kanë tërhequr pensionin në datë 5 korrik dhe që shtesën do të mund ta marrin në datë 15 korrik. Rritja që qeveria i bëri pensioneve do t’i kushtojë asaj 270 milionë në muaj ose të paktën kaq është fondi i vënë në dispozicion për çdo muaj, ndërsa për pjesën e mbetur të 2011-s fondi është 1.6 miliardë lekë. Drejtoresha e ISSH-së, Koldashi, tha dje se qytetarët do të vazhdojnë të marrin së bashku me pensionin edhe kompensimin e të ardhurave të tjera të sanksionuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, duke filluar nga kompensimi për energjinë e deri tek ai për çmimin e bukës apo indeksime të të ardhurave mujore.

270 milione leke
në muaj është llogaritur fondi për rritjen e pensioneve për 570 561 përfitues, ndërkohë që për muajt e mbetura të vitit 2011, fondi është parashikuar 1.6 miliardë lekë

7 per qind
është rritja e pensioneve maksimale dhe minimale për fshatin sipas vendimit të qeverisë, ndërkohë që rritja e pensioneve për qytetin u limitua në 4 për qind

Tërheqja e shtesës

Qytetarët që kanë tërhequr pensionin në datat para 5 korrikut, do marrin shtesën sipas ditëve të mëposhtme

• Data 1 në 11 korrik

• Data 2 në 12 korrik

• Data 3 në 13 korrik

• Data 4 në 14 korrik

• Data 5 në 15 korrik

Pensionet, sa ishin dhe sa bëhen

Të ardhurat minimale për pensionin minimal të qytetit
Ishte
10690 leke + 2150 = 12.840
Bëhet
11117 leke + 2150 = 13267 leke

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:
Ishte
21380 lekë + 500= 21880 lekë
Bëhet
22234 lekë + 500 = 22734 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:
Ishte
6980 leke 890 = 7870 lekë
Bëhet
7468 leke + 890= 8358 lekë

Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit:
11117 leke + 200 = 11317 lekë

Kategorite

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura