
Prangoset i dhjeti i operacionit të koduar “Kolaudimi 2”. Sipas Policisë së Durrësit, i arrestuari i radhës është Bruno Shazivari, 28 vjeç, i cili ushtronte detyrën si inspektor pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës. Një person tjetër është shpallur në kërkim, për të cilin nuk jepet identiteti veç faktit që punon pranë një kompanie sigurimesh që vepron në Shkozet, pranë territorit të kolaudimit të mjeteve. Ndaj personave të arrestuar, përfshi këtu edhe të shpallurin në kërkim, rëndon akuza e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “falsifikimit të dokumenteve e formularëve”. I riu nga Durrësi iu bashkua dje listës së nëntë zyrtarëve të arrestuar mesditën e së hënës. Provat e mbledhura nga hetuesit e çështjes e kanë bindur prokurorin që edhe 28-vjeçari ishte i përfshirë në këtë aferë, ndaj edhe i prenë atij fletën e arrestit. Një ditë para arrestimit, Policia bëri të ditur se Shazivari u pezullua nga detyra me një vendim të Gjykatës së rrethit Durrës, datë 25.05.2012, ndërsa të martën iu komunikua arresti me akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Shazivari është zyrtari i dytë i arrestuar nga radhët e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Durrës, pas Eugen Gjyzelit, administrator i sistemit informatik në këtë drejtori. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur pas një hetimi intensiv 4-mujor të strukturave të Drejtorisë së kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit në Durrës. Sipas Policisë, gjatë ecurisë së këtij hetimi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në këmbim të kryerjes së procedurave të regjistrimit, kontrollit fizik dhe teknik të mjeteve, merrnin shuma të ndryshme parash, me qëllim përshpejtimin e procedurave, si dhe plotësimin e dokumentacionit për mjetet, pavarësisht se nuk plotësonin kushtet teknike. Strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këto aktivitete të paligjshme. Mësohet se vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë shoqëruar për të dëshmuar mbi 55 persona, ndërsa mes tyre kanë qenë edhe punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, të kompanisë së kontrollit teknik të automjeteve “SGS AUTOMOTIVE ALBANIA”, si dhe agjentë të kompanive të sigurimeve.
Vala e arrestimeve në Shkozet, një makinë kalon për 3 orë
DURRES – Pas 24 orësh nga arrestimet e bujshme në kompaninë e kontrollit të automjeteve në Shkozet, situata paraqitet tejet e nderë. Dhjetëra punonjës nuk janë paraqitur në vendet e tyre të punës, ndërsa në disa prej sektorëve nuk është zhvilluar aktiviteti normal i përditshëm. Pjesa më e madhe e agjencive që rrethojnë zonën e kontrollit të mjeteve si dhe atë të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor i kanë ulur qepenat. Gjithashtu edhe lëvizja e mjeteve ka qenë shumë e minimizuar në këtë zonë, ndërsa qytetarët kanë qenë shumë të rrallë. Nëse nuk do të ishe në dijeni të ngjarjes, të lihej përshtypja sikur të ishte një ditë pushimi. Rreth mesditës, pothuajse 24 orë pas aksionit ku në sajë të tij përfunduan në pranga 9 vetë, në ambientet e kompanisë së kontrollit teknik të mjeteve gjendeshin vetëm tri-katër qytetarë, të cilët kishin ardhur për të kryer procedurat përkatëse. Njëri prej qytetarëve, i cili është paraqitur pranë qendrës së kontrollit teknik të automjeteve në Shkozet, Xhimi Belba, tregoi se ka hasur jo vetëm vështirësi, por edhe mjaft vonesa gjatë kohës që ka kryer procedurat për kolaudimin e automjetit të tij, për shkak se një pjesë e punonjësve që merreshin me kontrollet përkatëse mungonin. Sipas tij, kanë qenë vetëm dy punonjës të cilët janë marrë me të gjitha procedurat e kontrollit të automjetit. Nëse në një ditë normale procedurat duhet të përfundonin brenda një harku kohor prej 30 minutash, Belba tha se sot (dje) ai ka vonuar mbi tri orë. Paralel me bllokimin e punës dhe vonesat e krijuara në qendrën e kontrollit teknik të automjeteve në Shkozet, puna është pezulluar edhe në pjesën me të madhe të agjencive private të sigurimit të cilat operojnë jashtë territorit të kolaudimit për shkak të arrestimit të disa prej punonjësve të cilët ishin pjesë e superaksionit të forcave të RENEA-s në bashkëpunim me strukturat e ndryshme të hetimit. l.m
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ











