Kokainë nën korse, kapet në Portin e Vlorës 59-vjeçarja

Aug 30, 2012 | 12:34
Porti i Vlores

Trafik droge nën korse, arrestohet 59-vjeçarja. Një banore e Vlorës u kap në flagrancë në Portin e Vlorës, pasi kishte fshehur në trup plot 700 gramë lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë. Sipas Policisë, Lizhjeta Zharra do të ngjitej në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi, por nervozizmi i gruas ka qenë pika kyçe për të zbuluar drogën që gruaja mbante në trup, të fshehur nën rroba. Zharra mendoi se do të kalonte pa asnjë lloj kontrolli, duke fshehur lëndën narkotike mes këmbëve, nën korse, por u zbulua lehtë nga punonjësit e Policisë Kufitare të Vlorës. Pasditen e djeshme, kur trageti i linjës Vlorë-Brindizi po bëhej gati për t’u nisur drejt Italisë dhe ishin pasagjerët e fundit të cilët po merrnin vulën e kalimit, në pikën e kontrollit të terminalit të Vlorës, midis pasagjerëve ka qenë dhe një grua 59 vjeçe. Pasi ka marrë vulën, ajo ka shfaqur shenja nervozizmi, duke u justifikuar se po e vononin gjatë kryerjes së procedurave dhe po i ikte trageti. Policia Kufitare ka dyshuar te sjelljet e gruas, duke kontrolluar me imtësi bagazhet që kishte me vete. Brenda tyre nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, gjithsesi punonjësit e Policisë nuk janë ndalur me kaq. Ata i kanë kërkuar 59-vjeçares që ta shoqërojë deri në brendësi të ambienteve të Portit të Vlorës. Dy punonjëse të Policisë kanë ushtruar kontroll fizik te gruaja kur pikasën pakon e dyshimtë. Brenda korsesë ato kanë gjetur një pako të vetme, e cila është bërë shkak që gruaja të ndalohej menjëherë. Nga verifikimet e para rezulton se bëhet fjalë për lëndë narkotike, e dyshuar si kokainë. Menjëherë janë vënë në dijeni strukturat e antidrogës në Policinë e Vlorës që kanë nisur verifikimet. Gruaja është transferuar për në Komisariatin e Policisë në Vlorë, ku është marrë në pyetje në lidhje me lëndën narkotike, e cila peshon rreth 700 gramë. Ndonëse dyshohet se bëhet fjalë për kokainë, një pjesë e saj është dërguar për analiza të mëtejshme, pasi sipas specialistëve të antidrogës ajo është bashkuar me përzierës. Misteri qëndron te furnizuesit e gruas me lëndën e shtrenjtë. Nëna e dy djemve, të dy banues në qytetin e Vlorës, dyshohet se është në rolin e transportueses së drogës deri në Brindizi, aty ku do e merrnin porositësit. Gjatë orëve pas arrestimit në kushtet e flagrancës, Lizhjeta Zharra nuk ka pranuar të flasë në lidhje me pakon ilegale që tentoi të kalonte nëpërmjet tragetit të linjës. Mendohet se personat që e kanë shfrytëzuar gruan për të bërë korrierin e drogës kanë shfrytëzuar fluksin e emigrantëve që kthehen nga pushimet për të humbur gjurmët.
VLORE/ QEMAL BIRAKU

Precedenti
Tri vajza u kapën në flagrancë në Portin e Durrësit 5 ditë më parë, ndërsa tentonin të kalonin matanë kufirit 9 kg heroinë. Policia zbuloi sasinë e konsiderueshme të lëndës narkotike të fshehur në makinën ku ndodheshin vajzat, të tria nga Tirana. Gjatë seancës së sigurisë te Krimet e Rënda, vetëm njëra prej tyre, drejtuesja e mjetit, pranoi se kishte dijeni për drogën, ndërsa deklaroi se dy të tjerat, njëra motra dhe tjetra kushërira e saj, nuk dinin asgjë për lëndën narkotike. Ajo ndodhet në burg pa afat, ndërsa dy të tjerat janë lënë të lira.

Gjirokastër e Durrës, bllokohen në tri aksione 780 kg kanabis
GJIROKASTER/DURRES – Plot 780 kilogramë kanabis sativa janë bllokuar dje në tri aksione të zhvilluara në Gjirokastër dhe Durrës. Sasia më e madhe e marijuanës e kapur në gjashtë muajt e fundit nga Policia e Shtetit, i përket asaj të pasdites së djeshme në Bistricë të Sarandës. Policia e Gjirokastrës ka mundur të bllokojë sasinë narkotike e vlerësuar në gati 500 kg të dalë nga Lazarati, gati për t’u trafikuar drejt shtetit grek përmes rrugës detare apo dhe territoriale. Burimet zyrtare konfirmojnë për gazetën “Panorama” se sasia e marijuanës është kapur në bordin e një furgoni me targa greke, IEM 6118, drejtuar nga një i ri që mendohet se është nga Delvina, ndërsa personi tjetër që gjendej në bord, sipas burimeve gjysmëzyrtare, mendohet se është lazaratas. Ndërsa policia po ndiqte mjetin, dy personat e braktisën në zonën pranë Bistricës. Në orët e para të ditës u bllokuan 93 kg marijuanë Lazarati, ndërsa u arrestua një 28-vjeçar nga Dibra. Policia mundi të pikaste 4 trafikantët që me çantë në shpinë tentuan të ecnin drejt kufirit. Ndërsa ndiqte grupin e trafikantëve, policia arriti të kapë vetëm Hajri Bucin. Po gjatë natës u arrestua në Portin e Durrësit një 49-vjeçar nga Tirana, pasi në kamionin frigoriferik që ai drejtonte u zbuluan 187 kg kanabis. Ardian Cingi u vu në pranga për trafik të lëndëve narkotike, pasi tentoi të udhëtonte drejt Italisë me tragetin e linjës Durrës-Bari. Sasia e lëndës narkotike ishte paketuar në më shumë se 30 thasë dhe ishte fshehur në pjesën midis kabinës së kamionit dhe dhomës frigoriferike, në një vend të sajuar enkas për këtë qëllim. Burime të Policisë kanë bërë të ditur se sasia e lëndës narkotike kishte destinacion Italinë, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për të mësuar origjinën e drogës, si dhe personat që janë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.               p.n/l.m

© Panorama.al

Te lidhura