
Mbetet mister fati i kokës së prerë së 42-vjeçares Liliana Arapi. Trupi i gruas së masakruar nga 84-vjeçari Gaqo Dumka (të paktën ky e ka pranuar krimin) ndodhet ende në morgun e spitalit, në pritje të rezultatit të kërkimeve të policisë.Forcat e rendit janë në kërkim të saj, pasi po dështojnë dëshmitë e të moshuarit. Pas marrjes në pyetje të 84-vjeçarit për orë të tëra, ky i fundit nuk ka rrëfyer një vendndodhje të mundshme të pjesës së kokës, duke bërë që forcat e policisë të vijojnë kërkimet në terren. Vëmendja është përqendruar tek kontejnerët e pozicionuar në afërsi të banesës së 84-vjeçarit, në kërkim të gjurmëve të gjakut të cilat mund të vërtetojnë se aty është hedhur pjesa e kokës së viktimës. Pas gërmimeve në oborrin e banesës ku bashkëjetonin autori dhe viktima e tij, policia nuk arriti të zbulojë asnjë gjurmë. Mungesa e kokës u konstatua që në momentin e parë kur në fushën e mbetjeve urbane u zbuluan gjymtyrët dhe trupi të mbështjella në qese plastmasi, por pas kërkimeve të shumta nuk u gjet asnjë shenjë e saj. Sipas burimeve të policisë, i moshuari ka pranuar autorësinë e krimit për motive xhelozie, ndërsa është duke qëndruar në qelitë e paraburgimit deri në dhënien e masës së sigurimit personal. Fqinjët ngrenë dyshimin se autori i këtij krimi mund të mos jetë 84-vjeçari. Sipas Liljana Gojkës, banesa e së cilës ndodhet përballë asaj ku mendohet të jetë kryer krimi makabër, mes çiftit së fundmi kishin lindur edhe debate të ndryshme. “Prej më se 8 vjetësh e njoh Gaqon dhe mund të them se ishte një njeri shumë i rregullt. Në lagje ka pasur respektin e të gjithëve, shpesh e shihja të bënte pazarin, ndërsa shoqërohej edhe me të moshuarit e lagjes. Jetonte me pensionin e vet dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me pagesat apo lista në dyqane, siç është thënë nëpër media. Unë vetë kam një dyqan dhe ai asnjëherë nuk ka blerë ushqime pa pasur lekët në dorë. Madje, në shtëpi kishte edhe një shumë të konsiderueshme lekësh, të cilën e kishte siguruar nga kursimet e tij ndër vite”, tregon Gojka. Ndërkohë, ajo ka dhënë një tjetër dëshmi me vlerë. “Mbrëmjen kur ndodhi ngjarja unë nuk kam dëgjuar asnjë zhurmë. Banesa ime ndodhet përballë tyre dhe me patjetër do kishim dëgjuar diçka, por edhe mund ta kishim ndier kur doli për të hedhur qeset e plastmasit. Unë atë ditë që ndodhi ngjarja e kam parë Liljanën të dilte nga shtëpia rreth pasdites dhe të hipte në një makinë, por nuk e di kur mund të jetë kthyer. Ajo nuk dilte nga shtëpia për të folur me fqinjët apo për të bërë pazaret, por vetëm e shihnim kur vinte ndonjë makinë këtu dhe e merrte”. Fqinja thotë se më parë mes saj dhe Gaqos nuk është dukur të kishte probleme, por muajt e fundit grindeshin shpesh. “Nuk di ç’të them, por unë nuk e besoj se Gaqoja mund të ketë bërë këtë krim, ai vuante nga zemra dhe them se për të bërë diçka të tillë duhet dikush vërtet i shëndoshë, jo një plak 84-vjeçar”. Kështu ka deklaruar fqinja e Dumkës, ndërsa përballë ndodhet shtëpia e 84-vjeçarit, e cila që nga momenti i arrestimit të tij është e rrethuar nga shiritat e policisë.
2 qese
me pjesë të trupit të gjymtuar të Liliana Arapit u gjetën të premten e kaluar në vendin e grumbullimit të mbeturinave të qytetit të Korçës
I moshuari në polici, interesohet e bija
Gaqo Dumka, 84 vjeç, u arrestua të shtunën, pasi dyshohet si autori i ngjarjes makabre të ndodhur në qytetin e Korçës pesë ditë më parë. Ai ndodhet në qelitë e paraburgimit në pritje për të marrë masën e arrestit. Gjatë marrjes në pyetje, herë pas here i moshuari është shprehur se nuk mbante mend për shkak të sklerozës, fakt që po shihet me dyshim nga agjentët e policisë. Për t’u interesuar për të mësohet se qëndron vajza e tij dhe dy nipërit, ndërsa djemtë jetojnë njëri në shtetin grek dhe tjetri në kryeqytet. Sipas të afërmve, për shkak të impenjimeve në punë të këtyre të fundit, e vetmja që ka mundur të vijë është vajza e tij, e cila së bashku me dy fëmijët jeton gjithashtu në shtetin grek. E bija ka qenë e tronditur pasi ka mësuar ngjarjen e rëndë dhe nuk ka dhënë asnjë koment për krimin.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











