NGA GËZIM TUSHI
Ka kohë që shoqëria është nën peshën e vështirësive të kuptimit, perceptimit dhe shpjegimit të shumë dukurive politike, sociale dhe morale që preokupojnë atë. Nëse e vlerësojmë me objektivitet, pa parti-pris politike situatën sociale që jetojmë, nuk është e vështirë të dallohet, madje të evidentohet si dukuri gjithëpërfshirëse, ekzistenca e zgjeruar e ndjenjave të përziera e të koklavitura politike e morale. Që herë optimiste e shumë herë pesimiste, gjithnjë të shoqëruara me zhgënjim social permanent e dëshpërim individual evident. Pa dyshim, këto fenomene përtej shkaqeve dhe pasojave të tyre, janë tregues i të vërtetës, se nuk jetojmë në një “shoqëri muzeale” apo me lidhje interpersonale false, e jetuar me përfytyrime e realitete të imagjinuara apo të dëshiruara, por jetojmë në një shoqëri të vërtetë.
Personalisht duke e vlerësuar në tërësi situatën sociale në të cilën ndodhemi, mendoj se po përballemi me një shoqëri, që edhe pse mund të quhet e lirë për të zgjedhur individualisht, shqetësuese dhe serioze është se po ecim drejt formatimit të një shoqërie pa vlera e determinant social-konsensual, mbi të gjitha pa sisteme referenciale e vlera konsensuale të qëndrueshme, që kanë forcën e paradigmës sociale mbi individin, modulet e sjelljes së qytetëruar personale e ndërtimin e instrumenteve moderne të ndërtimit të marrëdhënieve sociale. Praktikisht duke parë situatën, duket se ndodhemi në një pozitë delikate, më saktë në një kapërcyell social që shfaqet kaotik në lirinë e vet, duke jetuar në aliazhin e një statusi, kur nuk kemi ose i kemi të paqarta standardet, që shpesh duke qenë atipike, janë as të ngjashme me një shoqëri të formuar demokratike, as në kornizat e një shoqërie paternaliste.
Padyshim, është vërtetë e vështirë, që në kohën moderne dhe suazën e shoqërisë së lirë, kur dominon ndjenja frenetike e progresit individual, që pavarësisht mangësive të momentit është kthyer në “ideal të personalitetit individual”, të përpiqesh të kultivosh te njerëzit mendimin, sjelljen, të menduarit në mënyrë normative, të njëkahshme, me parime dogmatike apo vlera sociale absolute. Në shoqërinë tonë ka tregues socialë të sigurt, që të ndihmojnë të kuptosh dhe vlerësosh racionalisht këtë “realitet të ri” social, në të cilin liria individuale, që është një arritje e pakontestueshme, po kalon një “përplasje” serioze me pamjaftueshmëritë ekzistuese të jetës që ajo promovon, si modele për vlera të përbashkëta sociale.
Në këto kushte është evident koklavitja e situatës, në të cilën njeriu bëhet dhe mban qëndrime relativiste, tejet të lëkundura midis pragmatizmit individual, që shkon përtej kufijve të natyrshëm të ekzistencës paralele të një “shoqërie të humanizuar”. Të gjithë zhvillimet kryesore, sidomos këto të kohëve të fundit në politikë, ekonomi, jetën morale, e sociale, janë “argumente të mjaftueshme” për të vërtetuar tezën, se realiteti shqiptar, pavarësisht “nuancimeve” dhe devijancave parciale, thelbësisht tenton të marrë përmasat e “shoqërisë së hapur”. Në këtë kontekst, situata e zhvillimit politik, ekonomik dhe shfaqjet e çuditshme, antinormative të sjelljes morale, duhen parë nën “optikën paradigmatike”, që të ndihmon të kuptosh atë që po ndodh, që në pamje të parë dhe me vështrim semplist, mund të përdoret si argument për tezën se për shkak të zgjerimit të koncepteve të hapura e relativiste, “shoqëria shqiptare po del jashtë standardit”.
Problemi nuk është imagjinar, por ontologjikisht konkret, thelbësor deri në nivelin që natyrshëm shtrohet pyetja: deri ku mund të shkojë shoqëria me këtë relativizëm të shfaqur in extremis, e shoqëruar me patologjinë e individualizmit dhe “zbrazjen shpirtërore” të marrëdhënieve njerëzore? Ka shumë fakte të kohës së fundit që të krijojnë këtë perceptim, sepse po jetojmë një situatë paradoksale, në të cilën edhe për shumë probleme serioze, duket se ka një amplitudë sociale që varion nga kaotizmi në “kollajllëkun relativist” politik apo moral. Natyrisht, duhet parë ca më gjerë problemi i “relativizmit” në shoqërinë tonë, si vështirësi e kohës moderne për të gjetur apo përcaktuar masën relativiste midis vlerave sociale dhe ato individuale. Kjo është vështirësia që vjen nga të “dy llojet” kryesore të lirisë që përpunon shoqëria moderne si “liri pozitive” dhe si “liri negative”.
Pa dashur të bëj “teori të mëdha” të liberalizmit moral, pasi nuk është vendi i duhur, duhet të them dhe besoj se kam të drejtë, se nuk është e lehtë, që në shoqërinë tonë që dikur ishte tradicionaliste, e hiperkolektivizuar, të përcaktosh në kohën e sotme, në mënyrë konsensuale, pa le më t’i imponosh njerëzve në jetën politike, ekonomike e morale, “parametra socialë” të vjetër. Nuk është e lehtë që në shoqërinë tonë sot, të kesh mundësinë, që duke u nisur nga “vlera të qëndrueshme”, politike, morale apo ekonomike, të përcaktosh gjetjen e “zgjidhjes më të mirë”. Derisa ndjenja e “relativizmit” është bërë dukuri “ontologjike”, “gnoseologjike” dhe “aksiologjike” në njohjen dhe vlerësimin e njerëzve, ngjarjeve dhe dukurive sociopolitike në këtë vend, është e vështirë të kërkosh të ketë ndërkaq parime, standarde vlerësimi, që mund të ndihmojnë për të gjetur apo zgjedhur alternativën më të mirë, për shqetësimet që shoqërojnë sjelljet e njeriut relativist, sidomos të atyre që janë mësuar të abuzojë me lirinë, normat e përbashkëta në shoqëri, të atyre që kryejnë krime të përbindshme dhe shfaqin sjelljet seksuale anormale e anarkike, për deformimet që po pëson tipologjia e familjes, konceptet kaotike për të mirën, të bukurën të shëmtuarën, etj..
Padyshim ka një lidhje dukshëm organike midis njeriut relativist, të pavendosur drejt, i shqetësuar individualisht, që i ndërlikohet jeta dhe sjellja nga një paqartësi relativiste, midis asaj që dëshiron përballë asaj që mundet. Kjo sindromë sociale e përhapur ka prekur politikën, moralin shoqëror. Janë të shumtë njerëzit të cilët individualisht, po kalojnë një periudhë të vështirë “relativizmi”, e cila gjendet e shfaqur dukshëm në shumë tregues e parametra të sjelljes politike, morale, e qytetare. Duket se shoqëria shqiptare po mësohet të “ushqehet” dhe adoptohet, me mentalitetin e gjykimit relativist të gjërave. Dhe kjo natyrisht duket se është njëri nga “faktorët themelorë”, që ka krijuar një atmosferë social politike, e cila po “determinon”, një ndjenjë të thellë skepticizmi social, relativizmi politik apo moral. Personalisht nuk kam asgjë, madje jam dakord me rrugën që shoqëria shqiptare ka zgjedhur, për të hyrë në botën moderne, për t’u bërë e barabartë me “të ngjashmit e saj”.
Veç duhet që pasi zgjedhim një rrugë, duhet të mësohemi më shpejt për të “ecur sipas saj” dhe jo kundër saj. Nëse ka ende njerëz që nuk e kuptojnë thelbin e modelit politik, ekonomik, social dhe moral që kemi zgjedhur, pothuaj në mënyrë konsensuale, si politikë e si popull, faji nuk është i tyre, por i politikës, shoqërisë civile dhe sidomos i intelektualëve, sociologëve dhe moralistëve, të cilët kanë mundësinë por dhe detyrën dhe përgjegjësinë, që realitetin ku jemi, rrugën nëpër të cilën po ecim ta “zhveshin nga ambalazhet” dhe tautologjitë e vjetra, ngushëlluese, me natyrë sociale deterministe e të ekzagjeruar. Shoqëria jonë po modernizohet në përputhje modelin më të mundshëm “liberalist”, që është modeli “triumfues”, kusht për të ndërtuar brenda koncepteve relativiste një shoqëri organike.
Ky model i zgjedhur veç të tjerave, është “hakmarrje e shfaqur” ndaj një shoqërisë sonë të mëparshme, e cila ishte e indoktrinuar, e kornizuar në gjithçka e në çdo gjë. Kalimi me “inat”, gjithë vrull, pa u përmbajtur nga një “shoqëri rregullatore”, në një “shoqëri relativiste” e pa shumë rregulla” fikse apo me norma sociale të relativizuara, është shkaku që po përjetojmë një periudhë të gjatë “mungese aftësie”, për të bërë vlerësimin konsensual të gjërave, për të ndarë “kufijtë” midis të së mirës dhe të keqes në politikë, në jetën shoqërore, sjelljen personale e publike, duke bërë dallimin e sjelljes etike nga ajo antiqytetëruese, të bukurën nga e shëmtuara në shijet estetike, modelet e veshjeve, dallimin e sjelljes humane nga veprimet banale e kriminale etj.. Në të vërtetë, nuk jam kundër nevojës për një shoqëri që të ketë në thelbin e saj një relativizëm të shëndetshëm, që lidhet me dinamikën dhe ndryshueshmërinë e vlerave dhe personaliteteve të politikës profesioniste, me vlerësimin objektiv dhe rivlerësimin e njerëzve në perspektivën e ecurisë së tyre, duke përplasur meritave të tyre historike dhe aktuale, duke qenë njëherësh kundër “tabuve”, kundër shenjtërimit të njerëzve, kthimit të tyre në “idole” apo “idhuj”, që në shumë raste kanë ndikim spekulativ.
Le ta shohim këtë në arenën e koklavitur të jetës politike, e cila për fat të keq, nuk mund të mos shfaqë defektin e njohur, të vjetër, ende të pashëruar të politikës sonë nacionale, e cila pafundësisht pothuaj ka vuajtur nga “sindroma intrasigjente e liderizmit”. Nuk mund të gjenden mëndje relativiste tek “politikanët vasalë”, që nga që e kuptojnë se u ka kaluar “koha politike”, qëndrojnë në “skakierën e politikës profesioniste” më shumë si infantilë dhe mediokër. Nuk është fare e vështirë të dallosh politikanët që kapardisen kot para kamerave, megjithëse e dinë edhe vetë që, asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje të “qëndrojnë në këmbë” apo të “mendojnë relativisht” me kokën e tyre, pa qenë në “suzerenitetin” e të tjerëve.
Sidoqoftë ka rëndësi të kuptohet se nuk ka “shoqëri e hapur” nëse nuk pranon “relativizmin” si kusht për të pranuar se në jetë gjërat janë kalimtare, që në kushtet e shoqërisë modern, mbeten dhe pranohen si “vlera konsensuale” sende, ide dhe njerëz, që kanë vlera të qëndrueshme, të pranuara konsensualisht nga shoqëria, partia, komuniteti, morali etj.. “Koha e re” e shoqërisë shqiptare, me gjithë kaosin e natyrshëm të kalimit në periudhën moderne, është duke vërtetuar se njerëzit kanë akoma shumë rrugë për të bërë dhe arritur sukses, për t’i bërë të qëndrueshme (jo vetëm relativiste) tentativat për të vepruar në shoqëri, jo vetëm duke u nisur nga pasionet personale relativiste, por edhe në përputhje me standardet e arsyes sociale të përbashkët, shoqërisht konsensuale.
Ajo që është bërë e vështirë për jetën sociale të shoqërisë shqiptare, që sjell kaotizëm, paqartësi e “neurotizëm social”, është fakti se po ecim në rrugë të re, në një trase sociale, drejtimi i së cilës është i qartë, por që nuk është e mundur të parashikohet deri në detaje. Pikërisht vlera e madhe e shoqërisë “liberale dhe tolerante”, qëndron në faktin, që ajo nuk i përcakton gjërat në formë të prerë, ultimative, detyruese dhe përfundimtare. Përkundrazi, relativizmi, e drejta e çdo njeriu për të pasur bindje, sjellje personale, “kod” moral personal, është vlera e padiskutueshme, pa të cilën shoqëria jonë nuk mund të bëhet kurrë modern dhe e lirë. Ama me një kusht, relativizmi si shprehja e lirisë individuale, është një “kalë” që së pari duhet mësuar të “ngasësh”…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al