Koha t’i themi ndal lypjes në rrugë

Sep 2, 2012 | 10:50

BISLIM AHMETAJ

Dritarja e zyrës ku punoj, sheh nga pas monumentin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, ballë për ballë Hotel Tiranën dhe në profil të djathtë Bashkinë e kryeqytetit. Pothuaj pas çdo një ore i çlodh sytë për disa minuta me pamjen e këndshme,  por edhe krenarisht kombëtare që të afron ky shesh, i zbukuruar edhe me tre flamuj kombëtarë të përmasave tejet të mëdha. Por tjetër gjë më kap më së shpeshti syri këtë verë, në kontrast me verat e viteve të fundit kur sheshi “Skënderbej” ka qenë një Kandahar i vërtetë. Shoh pra, grupe të mëdha turistësh të huaj, të prirë nga shoqërues vendës me nga një flamur të vogël në dorë, njësoj si në Romë, Vjenë, Bernë apo Bruksel. Ata ndalojnë çdo katër-pesë metra dhe me aparatet e tyre, herë modestë e herë profesionalë, fiksojnë pamje të denja për kryeqytetin e shqiptarëve, pamje që do të shpërndahen nga Tokio në Moskë, nga Roma në Madrid, nga Brukseli në Bukuresht e gjetiu në të katër anët e botës. Përveç pamjeve që afron sheshi “Skënderbej”, Tirana, si ditën ashtu edhe natën, ka ç’tregon për syrin e turistëve. I mrekullueshëm është bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Korpusi i Universitetit dhe kurora e gjelbër e Liqenit Artificial mbi të, pedonalia me kalanë dhe Urën e Tabakëve, gjelbërimi i ngjeshur buzë lumit më të ndotur ndoshta në Europë e më gjerë. Kulla moderne dhe ambiente argëtimi magjepsëse. Kjo është njëra anë e medaljes, ana e vlerës, ana që na bën të ndihemi mirë si banorë të kryeqytetit, si shqiptarë, si kontribuues modestë për ndërtimin e një shoqërie moderne.
Ndërsa ana tjetër e medaljes është pikërisht ajo që dua të trajtoj në këtë shkrim, prania e përqendruar e “brigadave të mirorganizuara të lypësve”, që është diçka e neveritshme, e turpshme, stresuese. Ata i gjen me shumicë në të gjitha vendet që përmenda më sipër, nga Hotel Tirana deri të sheshi “Nënë Tereza”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit deri te shkolla “Vasil Shanto”. Rezidencat e tyre te ura e Lanës në bulevard dhe në parkun “Rinia” janë mullari i turpit për çdo pjesëtar të komunitetit kryeqytetas dhe, akoma më shumë për institucionet shtetërore, që duhet ta ndalojnë këtë fenomen një orë e më parë.
Ata janë aq këmbëngulës në punën e tyre, sa nervozojnë edhe psikologun më të talentuar. Grupet e turistëve ndiqen prej tyre katër-pesëqind metra, derisa u shkëpusin mes lutjesh dhe përgjërimesh por edhe me prekje fizike, me ato duar të palara, ndonjë cent apo euro, ndërsa vendësit më pak, pasi vendësit u turren me fjalë të fjalorit të rrugës dhe me kërcënime prej të cilave zbythen lypësit e kryeqytetit tonë.
Shumë prej lexuesve kanë qenë për vizitë ne Egjipt, jam njëri prej tyre. E kam vizituar Kajron dhe Aleksandrinë pas rënies së Mubarakut nga pushteti, bash në kohën kur me parimin e sustës kishin shpërthyer liritë negative në mënyrën më agresive, fenomen i shumicës së shoqërive kur dalin prej ndrydhjes së diktaturave, por çuditërisht askush s’ma zgjati dorën edhe një herë të vetme për të më lypur qoftë një dinar të vetëm, që e kishte vlerën e 20-lekëshit te ne. Një lloj lypjeje tjetër ekzistonte në atë vend 100-milionësh, me varfëri të institucionalizuar. “Shpërblim kundrejt shërbimit”, qoftë ai (shërbimi) edhe i rëndomtë, si p.sh. ndihma për të këputur rrugën nga njëra anë në tjetrën, në atë trafik të çmendur, afrimi i një pakoje letre higjienike, apo rëndomësi nga më të çuditshmet deri në bezdi, por jo lypje. Nga befasia u interesova dhe më thanë që e kanë të ndaluar me ligj të veçantë. Pikë së pari për të mos i bezdisur turistët, si njërin prej burimeve më të qëndrueshme të të ardhurave të ekonomisë së vendit.
E di që hallet e Shqipërisë janë të shumta e nga më të ndryshmet, së fundi ajo po digjet prej zjarreve të qëllimshme vënë nga duar njerëzish ordinerë apo të sofistikuar, qytetarët vendës apo turistë të huaj grabiten me dhunë ditën për diell të kanosur për vdekje, por ja që Shqipëria ka edhe këtë hallin tjetër, këtë brigadë të turpshme lypësish në zemër të kryeqytetit. Institucionet përgjegjëse, respektivisht Bashkia e Tiranës, Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale, Avokati i Popullit dhe organizatat joqeveritare duhet një orë e më parë të ndërmarrin iniciativa ligjore dhe më pas, zbatimin rigoroz të tyre, që Tirana dhe Shqipëria të çlirohet prej lypësisë dhe lypësve.
Sigurisht që çdo nismë ligjore shoqërohet me kosto financiare, por jam i sigurt që kostoja e shpenzimeve ditore të një turisti perëndimor në Shqipëri është aq sa mund të mbash me ushqim dhe veshmbathje disa lypës në një qendër sociale. Fitoren më të madhe do e kishte imazhi i Tiranës europiane, për të cilën inspirohen dhe punojnë shumica e qytetarëve të këtij vendi.

© Panorama.al

Te lidhura