NGA BEN ANDONI/ Janë disa botime, që mbajnë logon e institucioneve shkencore, të cilat kalojnë gati “të pavërejtura” nga publiku i zakonshëm.
Ato zënë vend ngadalë në biblioteka dhe rafte dhe kur vjen koha që dikush t’i përdorë ato dalin me të gjithë peshën e punës, që është bërë dhe mbi të gjitha kontributin e njerëzve që i kanë realizuar. Njëri syresh dhe bash nga të rrallët është “Kodiku i Korçës dhe i Selasforit”, që përmban materiale dokumentare për Shqipërinë Juglindore të shekullit XVIII deri në fillimin e kohës, kur Shqipëria agoi si shtet. Materialet e Kodikut përfshijnë rajonin e Korçës me Devollin, Voskopojën, Vithkuqin, Oparin dhe deri Përmetin. I botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike (Qendra e Botimeve Enciklopedike) nën punën e pasionuar dhe vetëmohuese të Petraq Peppos, një veterani të nderuar të historiografisë dhe jo vetëm.
Të mjafton të shikosh aparatin shkencor, të përbërë prej recenzentëve të nderuar (Prof. Dr. Pëllumb Xhufi dhe Prof. Dr. Aurel Plasari), si edhe redaktoreve respektivisht Dr. Vilma Proko dhe Etleva Domi, që të kuptosh një punë vërtetë të madhe dhe serioze. Botimi fillestar ka qenë në formë dispense në vitin 1981, kurse sa i përket përgatitësit, asokohe është shënuar thjesht “Përgatitur për botim nga Petraq Pepo”. Është insistimi i familjarëve të tij, të birit, që falë një përkushtimi por mbi të gjitha të një sensi të lartë qytetar, që kjo vepër të shpluhurosej dhe të vinte për publikun e sotëm, si edhe t’i ‘kujtonte’ studiuesit për këtë thesar. E çfarë do na duhej sot, mund të pyesë cinik dikush? Në fakt, ky kodik të jep një mundësi të madhe dhe është një shtrat pune për krijuesit, ku ka të dhëna veç funksionimit të një treve interesante, si ajo e Korçës por edhe mënyra sesi paraardhësit tanë rregullonin dhe administronin jetën e tyre.
Dhe, tashmë s’janë referimet e udhëtarëve të huaj, që flisnin për ta, me kufizimet, panjohjen dhe jo pak herë me gabime…”Kodiku i Korçës dhe Selasforit është një material vendas me vlerë të madhe shkencore në drejtim të pasqyrimit më të saktë të problemeve, traditave dhe zakoneve shoqërore të kohës”, shkruante autori, duke shtuar se interesant është vetë fakti sesi banorët tanë e administronin jetën e tyre. Vetë përgatitësi, në një dokument të vitit 1962 për përgatitjen e Kodikut është mjaftuar modestisht me fjalët “…e kam transliteruar, transkriptuar dhe përkthyer nga greqishtja në shqip…së bashku me aparatin shkencor po e përgatis për shtyp, në greqisht e në shqip”. Titulli origjinal i materialit, gjetur në aktet e mitropolisë së Korçës, sot ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, është: Kodhiks tis Theosostu qe ajiotatis mitropoleos Koricas qe Selasforu (“Kodiku tis Theosostu qe ajiotatis mitropoloeos së perëndimbrojtur dhe fort të shenjtë të Korçës dhe Selasforit”)
Në këtë kodik gjejmë të dhëna interesante për zhvillimin shoqëror, ekonomi, arsimor, kulturor e fetar të Korçës si edhe të dhëna mbi marrëdhëniet e komuniteteve ortodokse të vendeve fqinje por edhe të komuniteteve fqinje, na cilëson autori. E veçanta që na vjen nga autori është edhe një identifikim, sipas të cilit, libri ka qenë objekt studimi i hulumtuesve të hershëm shqiptarë si Thimi Mitko, Mihal Grameno, I.M. Qafëzesi por edhe të hulumtuesve të huaj si Anthim Aleksudhi, Kostë Saqeridhi, Dhorothe Kristidhi, Jam Lambridhi, Gustav Ëeigand dhe Heinrich Gelzer.
Po duket se dokumenti ka shtrirje të gjerë dhe falë përgatitësit ne mësojmë se referimet shkojnë qysh nga shekulli XVII kurse duke iu referuar folkloristit veteran Thimi Mitko mësohet se “…Kodiku i madh i mitropolisë së Korçës e Selasforit është themeluar në vitin 1676.., në kohën kur ishte kryepeshkop i Justinianës së Parë të Ohrit zoti Parthemi nga Korça”. Studiuesi i nderuar Peppo precizon se shënimet më të vjetra, gjithsesi, i përkasin vitit 1717, të nënshkruara nga patriku i Ohrit, Zosimea. Me skrupulozitetin e vet, autori përgatitës shpjegon edhe pjesën përbërëse materiale të tij: “Fletët e kodikut janë prej lëkure të trashë pa vija, të cilën e sillnin nga Venediku tregtarët vendas. Më 1826 arkondi Nastas Mio e mbështolli me lëkurë.
Sipas një shënimi në faqen e brendshme të kapakut, kuptojmë se kodiku këtë vit është përmirësuar teknikisht nga vithkuqari Anastasi i Mihal Andresë. Më vonë, më 1858, me urdhër të mitropolitit të Korçës, Neofitit, u pastrua, u ndreq dhe u lidh me kapakë të rinj. Në shekullin XVIII shënimet janë bërë me ngjyrë të errët, gati të zezë, kurse në shekullin XIX me ngjyrë më të hapur, të quajtur ‘gushëpëllumbi'”, referon ai. Interesant është se dy nga fletët janë shkruar me shqipen amtare, kohë që përkon me shpalljen e Kishës Autoqefale shqiptare më 22 Shtator 1922. Pa u futur në punën teknike të transkriptimit, ku përgatitësi Peppo ka shpjeguar me shumë kujdes të gjithë metodologjinë, ashtu si referimet në aparatin shkencor, ku për bazë është marrë përkthimi i kodikut të mitropolisë së Korçës e Selasforit, duhet të shtojmë se libri është nga ato materiale, që mbajnë fushë-studime të tëra.
Po pse lexohet dhe vlerësohet nga studiuesit? Në këtë material kemi nga detyrimet që kishin autoritetet turke, p.sh. myteveliu i vakëfit të mirahor Iljaz Beut në krahinën e Korçës, por edhe deri te shënimet kronikale, letrat, testamente dhe aktet e shumëllojta që na tregojnë pjesën socio-historike dhe etnologjike, por edhe një relacion të gjatë për Korçën. Është nga ai lloj dokumenti, që na mungon sot edhe në kohët më të reja për të mësuar sesi visheshin, punonin, detyroheshin nga ligji, dokumentonin dhe jetonin bashkëvendasit tanë. Ndërkohë që studiuesi Aurel Plasari ka përshkruar dhe një drejtim interesant që lidhet me disiplinën historiografike të Kodikologjisë, që i studion kodikët jo thjesht nga teksti por edhe nga ekzekutimi i tyre, “duke ndjekur suportet grafike, sistemet e prerjes dhe të renditjes së fletëve, mënyrën e numërtimit, stilin dhe dekorimin….”, një shteg që është hapur me këtë botim, falë mjeshtrit Petraq Peppo, një studiuesi model.
Studiuesi Petraq Peppo mban disa urdhra nderimi për punën e tij, qoftë patriotike dhe studimore bashkë me nderimin e madh moral si “Mësues i Popullit” (1984), akorduar pothuaj në fund të jetës së tij (1989). I laureuar në Francë për Histori dhe Gjeografi dhe mbajtës i disa certifikatave të nderimit, ai ka meritën se qysh në stadin e absolventit bashkëpunoi me një nga emrat më të mëdhenj të albanologjisë Mario Roques për rimëkëmbjen e Kursit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Shkollën Kombëtare të Gjuhëve të Gjalla Orientale në Paris. Në Shqipëri dha mësim në Liceun e Korçës dhe iu kushtua si pakkush historisë së Shqipërisë me studime, kërkime dhe çdo gjë tjetër. Ai është një nga themeluesit e Institutit të Shkencave qysh në vitin 1947 si një nga anëtarët e Asamblesë Themeluese. Mbi supet dhe në kujtimet e figurës së tij peshon një veprimtari e plotë 65- vjeçare ku puna e tij dokumentohet nga skedarët e shumtë. Mbase duhet të ishte temë tjetër jeta e tij (në modestinë dhe përpjekjet e mëdha), qoftë në aspektin shkencor dhe human, që na tregojnë atë racë shqiptarësh të devotshëm, që i kundrojmë sot me respekt nga fotot dhe që na tregojnë se Shqipëria nuk u ndërtua dhe u realizua për pak vite, por me dhjetëra e qindra. Peppo mbetet një nga këta punëtorët e vyer të historisë dhe dokumentimit të punës së shqiptarëve.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al