
Partia Demokratike rrëzon propozimet e PSsë për Kodin Penal. Ekspertët e maxhorancës e cilësojnë paketën me ndryshime propozuar dje, si një veprim të opozitës për të shtyrë akoma më shumë miratimin e këtij ligji me tre të pestat në Parlament. “Në rastin më të keq, Partia Socialiste kërkon ta shtyjë miratimin e Kodit Penal në kalenda, ndërsa në rastin më të mirë po tregon se si nuk duhet të hartohen dispozitat”, tha dje për gazetën një nga juristët e PD-së.
KUNDËRSHTITË E PD
Sipas demokratëve, janë të paktën tri pika të cilat nuk mund të pranohen për asnjë lloj arsye. E para është propozimi i opozitës për zbatimin e ligjit penal ndaj anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Sipas maxhorancës, në legjislacionin aktual, zyrtarët e lartë (përfshi Kryeministrin dhe ministrat), mund të hetohen për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës, sikundër mund të hetohen edhe pasi të lënë detyrës. Në këtë mënyrë, PD-ja mendon se futja e kësaj dispozite në Kodin Penal është e panevojshme. Çështja e dytë për të cilën demokratët nuk bien dakord është propozimi i nenit 191/a “falsifikimi i statistikave zyrtare dhe administrative”. PD-ja thotë se legjislacioni që ka vendi ynë dënon zyrtarët për shpërdorim detyre në rast se ata falsifikojnë statistikat zyrtare. Sipas maxhorancës, edhe kjo dispozitë është e papranueshme dhe e panevojshme. Kundërshtia e tretë e shumicës ka të bëjë me dispozitën që propozohet për dënimin me gjobë ose me burgim deri në dy vjet të gjyqtarëve që nuk zbardhin, sipas afateve të parashikuara në ligj, vendimet gjyqësore. Në këtë pikë PD-ja ka dy argumente: së pari aktualisht për të gjitha vendimet, pjesa e diapozitivit zbardhet në moment dhe u jepet palëve; së dyti, në ligj parashikohet masë disiplinore nëse gjyqtari nuk e zbaton detyrimin që ka për ta zbardhur vendimin. Këto tri çështje, sipas demokratëve, janë të mjaftueshme për t’i rrëzuar propozimet e opozitës.
KODI PENAL
Komisioni i Ligjeve ka parashikuar të shqyrtojë të hënën ndryshimet në Kodin Penal, si pjesë e marrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës, të firmosur më 14 nëntor, për ligjet me shumicë të cilësuar. Përveç katër drafteve të ardhura nga qeveria, deputetët po punojnë edhe mbi disa propozime të bëra nga shoqëria civile, si dhe disa propozime të bëra nga institucionet e pavarura. Në mbledhjen e së hënës pritet që Komisioni të shqyrtojë edhe propozimet e bëra nga PS-ja, të cilat, me sa duket, nuk do të pranohen dhe pritet ta shtyjnë akoma më shumë kohën e miratimit të këtij ligji. Pas miratimit të Kodit Civil në mbledhjen e së enjtes të Parlamentit, duket se Kodi Penal nuk do të arrijë të jetë gati për javën e ardhshme.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











