Kodi Penal, kush gjobitet, mund ta shlyejë me ditë burgu

Feb 14, 2012 | 10:38
Komisioni i Ligjeve

Komisioni i Ligjeve do të nisë sot shqyrtimin e ndryshimeve në Kodin Penal. Nga viti 2007 deri sot, janë katër projektligje të ardhura nga qeveria, të cilat nuk janë miratuar dot për shkak të krizës politike. Në draftin integral të përgatitur nga administrata e Komisionit, që përmban të katër ligjet e qeverisë, është futur edhe një nen i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, që i referohet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar. Konkretisht, në nenin 34 të Kodit Penal shtohet një paragraf në të cilin thuhet se “kur i dënuari nuk paguan gjobën dhe gjoba nuk mund të vilet nëpërmjet ekzekutimit të detyrueshëm, gjykata vendor zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur pesë mijë lekë për një ditë burgimi”. Në të njëjtën kohë, në këtë dispozitë të re që shtohet thuhet se “kur i dënuari nuk mund të paguajë gjobën në afat pa fajin e tij dhe nëse kriteret mbi të cilat është caktuar gjoba kanë ndryshuar pas dhënies së vendimit dhe nuk e justifikojnë haptazi pagimin e gjobës, atëherë i dënuari mund të kërkojë: shtyrje të afatit të pagesës së gjobës gjer në gjashtë muaj; kryerjen e një pune me interes publik”. Ministria e Drejtësisë ka propozuar gjithashtu që në rast se gjoba nuk paguhet edhe pas shtyrjes së afatit ose nëse i dënuari nuk e kryen punën në interes publik, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim. Nga ana e tij, Komisioni i Ligjeve, pasi i ka marrë një herë në shqyrtim vitin e kaluar ndryshimet në Kodin Penal, ka bërë një propozim, që nëse një person dënohet për korrupsion aktiv në sektorin privat, në dispozitën ligjore të hiqet dënimi me burgim (ishte tre muaj deri në dy vjet) dhe të qëndrojë vetëm gjoba nga 200 mijë lekë deri në një milion. Në mbledhjen e sotme pritet që deputetët socialistë të paraqesin amendamentet e tyre lidhur me Kodin Penal.
Kodi Civil
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit u miratuan me konsensus tri ndryshime në Kodin Civil, ndërkohë që tri nene të tjera u vendos të diskutohen të mërkurën, pasi të merret edhe mendimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe i ekspertëve të fushës. Kështu u ra dakord që deri në një vit qytetari mund t’i drejtohet gjykatës kur atij i është cenuar nderi, personaliteti ose reputacioni. “Në rastet kur cenimi është kryer mes komunikimeve elektronike dhe nëpërmjet internetit, afati i parashkrimit llogaritet nga data e publikimit fillestar nga ana e të paditurit”, thuhet në paragrafin e shtuar në nenin 115 të Kodit Civil. Gjithashtu, në nenin 625 u miratua dispozita, sipas së cilës, “personi që pëson një dëm jopasuror, ka të drejtë të kërkojë të shpërblehet veçanërisht në rastet kur: ka pësuar dëmtim të shëndetit, të integritetit fizik ose psikik të tij”.

Neni 34 i Kodit Penal
Kur i dënuari nuk paguan gjobën dhe gjoba nuk mund të vilet nëpërmjet ekzekutimit të detyrueshëm, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim duke llogaritur pesë mijë lekë për një ditë burgimi. Kur i dënuari nuk mund ta paguajë gjobën në afat pa fajin e tij dhe nëse kriteret, mbi të cilat është caktuar gjoba, kanë ndryshuar pas dhënies së vendimit dhe nuk e justifikojnë haptazi pagimin e gjobës, atëherë i dënuari mund të kërkojë: shtyrje të afatit të pagesës së gjobës gjer në gjashtë muaj; kryerjen e një pune me interes publik. Në rast se gjoba nuk paguhet edhe pas shtyrjes së afatit ose nëse i dënuari nuk e kryen punën në interes publik, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim.

© Panorama.al

Te lidhura