Kodi, PDIU: Ja pse nuk morëm pjesë në votim

Jul 19, 2012 | 16:26
Shpëtim Idrizi

TIRANE- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet sqaroi nëpërmjet një komunikate për shtyp arsyet e mospjesëmarrjes së saj në votimin e Kodit Zgjedhor, në seancën e sotme në Kuvendin e  Shqipërisë.

PDIU shprehet se arsyet e mospjesëmarrjes së saj në votim janë parimore, ndërsa akuzon dy partitë se kaluan me forcën e kartonit një kod zgjedhor selektiv, i cili lë pa përfaqësuar 1/3 e votuesve shqiptarë që jetojnë në emigracion.

Partia çame në qeveri, thekson se nuk mund të merrte pjesë në një votim për pabarazinë e votës. Kodi i miratuar sot nga opozita dhe maxhoranca, sipas PDIU-së, lë në fuqi numërimin militantesk të votave. PDIU i ka bërë thirrje, siç i quan ajo, dy autorët e këtij Kodi që të mos ankohen pas zgjedhjeve.

Në seancën e ditës së sotme, Kuvendi miratoi me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenim, në tërësi Reformen Zgjedhore. Më herët, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u votuan në parim me 128 vota pro, 2 kundër ( Mediu dhe Oketa) dhe 1 abstenim.

© Panorama.al

Te lidhura