Koçi Petriti, “Me më të bukurat” në Shën Valentin

Feb 14, 2012 | 11:54

Poeti Koçi Petriti në rini

Autori vjen me një vëllim të ri me vargje të zgjedhura.

Një përmbledhje me poezi erotike shkruar në periudha të ndryshme krijimtarie, prej ’60-s

Disa i ka shkruar në të ri, kur zemra i digjej kraharorit, ca të tjera vite më vonë, kur dashurisë i këndohet ëmbël. Në vigjilje të festës së dashurisë, Shën Valentinit, poeti lirik, Koçi Petriti, i dhuron lexuesit një vëllim me poezi të zgjedhura erotike. Për të gjithë ata që e kanë vështirë me fjalën, mjafton një libër që i thotë të gjitha në mënyrën më të bukur. E ka titulluar “Me më të bukurat”, kjo jo sepse këto janë poezitë më të bukura me këtë motiv, shkruar nga poeti, por edhe sepse është titulli i njërës prej poezive të tij më të dashura. Në këtë vëllim janë përfshirë rreth 60 poezi, shkruar në periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij poetike, qysh në vitet ’60, madje një pjesë është shkëputur nga “Fletoret e dorëshkrimeve” të viteve ’60, ndërsa të tjera datojnë në vitet ’70 e më vonë. Në poezitë e Petritit nuk gjen vetëm këngën për dashurinë si të tillë, por edhe për vajzën, për puthjen e saj herë të ftohtë akull e herë të nxehtë prush. Ka rendje pas së bukurës, por ka edhe mall për miken që nuk e ka më, për kohët e shkuara, dhimbje për gërmadhën e një dashurie, e cila dikur ishte kështjellë. Natyra është e pandarë nga ndjenja, e cila herë ka ngjyrë vjeshte, herë trishtim shiu apo shpërthim pranveror. Dikur ai ndihet një i ri i paduruar e më pas i pjekur e ndjeshëm. “Unë emrin tënd s’e kam vënë në asnjë vjershë/ e s’do ta shkruaj as në vargun më me bujë/ Kjo do të thotë që gjërat më me peshë/ Rrinë në thellësi dhe është zor t’i ngresh mbi ujë”. Kështu shkruan në një nga strofat e poezisë “Baladë për ty që të dua”. Poezitë e Koçi Petritit janë vlerësuar qysh herët për natyralitetin e tyre. Personalitete të letrave shqipe janë shprehur me superlativa për vargjet e tij. “Koçi Petriti është mjeshtër lirikash dhe baladash fatlume, ku shqipja njeh hijeshinë dhe fuqinë e vetvetes”, shprehet poeti Xhevahir Spahiu. “Në qoftë se do të hartoja një antologji të poezisë shqipe, që nga origjinat deri më sot, do të përfshija poezi edhe nga Koçi Petriti. Verbi poetik i Petritit ka energji shprehëse, është i vrullshëm dhe në të njëjtën kohë ka intensitet dhe është konciz, karakteristika këto të poezisë që do t’i rezistojë kohës…”, shkruan Arshi Pipa. Aurel Plasari vlerëson si epikën dhe lirikën e Petritit, por këtë të fundit ia vlen ta dallosh më vete. “Në veprën poetike të Koçi Petritit lirika dhe epika shfaqen të kërleshura si dy gjarpërinj në vallëzim. Ec e ndaji, mund të thuhet. Megjithëkëtë, edhe gjarpërinjtë në vallëzim s’ka përse të mos ndahen për një çast dhe, e ndarë kështu veçan, lirika e tij të mblidhet e përzgjedhur në një libër”.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura