Koçi: Jo parti e re nga e majta

Sep 4, 2012 | 11:32

Kryetari i PSV 91, Petro Koçi, ka deklaruar se thashethemet që nga gjiri i së majtës mund të dalë një parti e re me në krye Fatos Nanon, janë mesazhe shprese për Sali Berishën. Koçi tha se është koha për t’u bashkuar fort rreth koalicionit të majtë. “Thashethemet për krijimin e një partie tjetër nga radhët e së majtës përbëjnë një mesazh shprese për maxhorancën që sundon vendin dhe sidomos për Kryeministrin ne detyrë, Sali Berisha. Copëtimi i mëtejshëm i së majtës mund t’i ringjallte shanset për mbijetesë elektorale klanit oligarkik që ka kapur shtetin dhe arkat e tij. E majta nuk ka nevojë për krijim partish të tjera, por për bashkim parimor rreth koalicionit ‘Aleanca për të Ardhmen’”, tha Koçi. “Iniciativa ndarjeje në këtë fazë të procesit politik në vend do të dëshmonin papjekuri dhe verbëri politike. Opozita gjithnjë e më shumë po tregon ndërgjegje kombëtare dhe ndërgjegje shtetare. Kurrizi i popullit nuk mban dot më gabimet e shkuara të së majtës. Nëse tani është koha për t’u bashkuar fort rreth koalicionit të majtë, pas zgjedhjeve duhet të shihet mundësia e bashkimit të forcave socialiste në një parti politike”.

© Panorama.al

Te lidhura