Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, mund të jetë një nga kandidatët për postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai shprehet se është ende herët për të diskutuar për këtë çështje, por shton se ka pasur sugjerime se ai mund të ushtrojë këtë funksion. “Jo nuk kemi marrëveshje. Ka sugjerime, ka ide që një person si puna ime mund ta bëjë këtë punë. Unë kam bërë edhe të tjera punë, mund të bëj si ajo, mund të bëj edhe më shumë se ajo. Mua më kanë konsideruar si njeri më shumë të shtetit, sesa të partive. Ky është një funksion, kur të vijë koha. Unë nuk dua t’u përmbahem thashethemeve. Kur të fillojmë të flasim seriozisht, kur të vijnë afatet mund të flasim për emrat, për çështjet politike dhe për temat e ndryshme që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare”, thotë Shehi. Sipas kreut të LZHK-së, tri janë çështjet ku duhet të fokusohet klasa politike për dy vitet e ardhshme: reforma zgjedhore, ndryshimi i Kushtetutës dhe reforma në pushtetin lokal. I pyetur për emrat e dalë deri tani për postin e Presidentit pas një viti, Shehi thotë se “Nuk dua të merrem me emra, sepse deri kur të bëhen zgjedhjet do dalin kaq shumë emra. Unë i quaj figura që kanë investuar në politikën shqiptare, figura dinjitoze. Unë kam frikën që kjo thashethemnajë politike, e cila do të jetonte në një ambient normal politik, do kishte vlerën e vet. Realiteti është se shpeshherë zgjedhja e Presidentit në Shqipëri më shumë sesa faktor popullariteti apo investimi publik, ka qenë derivat i skemave politike brenda parlamentit”. Dashamir Shehi vlerëson edhe punën e bërë deri tani nga Basha në postin e kryetarit të Bashkisë, për sa i përket ndërtimit të Unazës së Madhe dhe prishjes së ndërtimeve pa leje.
Në këtë nisje të stinës politike, ku e shikon veten të pozicionuar LZHK-ja, më afër qeverisë apo afër opozitës?
Ne gjithmonë kemi qenë një forcë e pavarur, ne si linjë ideologjike kemi qenë djathtas, por gjithmonë kemi pasur një linjë kritike ndaj kësaj qeverie, madje edhe ndaj asaj që ka qenë, ndoshta edhe ndaj asaj që do të jetë. Më shumë sesa të kemi objektiv pushtetin, ne kemi ndërtimin e shtetit shqiptar. Edhe pozicioni që do të mbajmë në të ardhmen do të varet nga qëndrimi që do të mbajnë forcat politike, që do të rimodelojnë shtetin shqiptar.
Me këtë qëndrim që ju keni, duket se i afroheni më shumë opozitës. Do të vazhdoni ta mbështesni opozitën siç keni bërë në dy vitet e fundit?
Ne nuk i afrohemi opozitës, ne do t’i afroheshim me qejf asaj në qoftë se ajo do t’i hapte temat që ne kemi shqetësim. Shoh që mes shumicës dhe opozitës vazhdon i njëjti debat sa u përket ndryshimeve kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor. Këto tema kanë rëndësinë e vet por, të sfazuara në kohë, nuk janë produktive. Vjeshta është një periudhë e mirë për të reflektuar mbi dy vitet e fundit politike. Gati 20 muaj që na ndajnë nga zgjedhjet e tjera janë një kohë e mjaftueshme për të bërë reforma të mëdha. Do ishte kohë e humbur nëse do shpërdorohej me sherrin permanent. Ne kemi nevojë për tri reforma të mëdha: reformën elektorale, reformën kushtetuese dhe atë të pushtetit lokal. Ne kemi kritikuar marrëveshjen PD-PS për reformën zgjedhore dhe ja ku jemi. U kontestuan të dyja zgjedhjet, është prodhuar qeverisja më e dobët dhe opozita më e dobët gjatë këtyre dy viteve. Sa i përket reformës kushtetuese, nuk duhet folur për krerët e institucioneve që do zgjidhen. Kjo është e rëndësishme, por i rëndësishëm është edhe mandati i këtyre njerëzve që do zgjidhen. Këtu kemi guvernator banke që pretendojnë dy herë nga shtatë vjet apo institucione të tjera që mund të kenë mandat dy herë nga nëntë vjet. Kemi kryetarë komunash dhe bashkish që mund të zgjidhen katër herë, kemi kaluar çdo lloj limiti. Eksperienca tregoi se kjo Kushtetutë ka boshllëqe të mëdha. E fundit që nuk e kanë përmendur fare palët dhe që u bë shumë e dukshme në zgjedhjet e fundit lokale, është reforma e pushtetit lokal. Kështu do vazhdojë Shqipëria me 12 prefektura, 400 komuna e bashki, e ndarë në principata të vogla? Sot për sot, ne ecim përpara në një errësirë administrative. Ky është propozimi ynë si LZHK dhe nuk kemi pse u tërhiqemi këtyre tezave. Këto janë fushat mbi të cilat ne mund të ndërtojmë marrëdhënie me maxhorancën e sotme dhe opozitën e sotme.
Duke u ndalur te reforma kushtetuese, kreu i PS-së, Edi Rama, ka shprehur pendesë për ndryshimet e ligjit themeltar të shtetit, që u bënë në viti 2008. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të socialistëve?
Në qoftë se ka reflektuar me idenë që është bërë një gabim, këtë e quaj pozitive. U bë gabim që u ndryshua, por u bë gabim edhe mënyra se si u ndryshua. Kështu që, nëse do të vazhdojmë ta rindryshojmë në të njëjtën mënyrë, nuk do të bëjmë gjë tjetër veçse do të ‘arnojmë një palë pantallona të vjetra që nuk do i njihet më copa origjinale’. Ne propozojmë që të hapet një debat publik i gjerë dhe që të përfundojë përpara zgjedhjeve të tjera. Në të kundërt, kur të afrohen zgjedhjet e tjera, çdo gjë që do të deformohet nën presionin elektoral. Duhet parë se çfarë propozon PS-ja dhe të shikohet nëse këto ndryshime do t’i shërbejnë qytetarëve apo do të ndryshohet si në 2008-n, që u bë në funksion të projektimit të partive të caktuara ose personave të caktuar drejt funksioneve të caktuara të pushtetit në Shqipëri.
Pas një viti, Parlamenti do të zgjedhë Presidentin e vendit. Jeni i mendimit se zgjedhja e tij duhet të bëhet me 71 vota apo me 84?
Kjo ka nevojë për një debat publik, unë nuk jam konstitucionalist të jap një mendim, siç e dhanë zotërinjtë e PD-së dhe PS-së brenda një nate tre vjet më parë. Mund të ketë formula të tjera, mund të dalë në popull, mund të ketë referendum (kjo mund të bëhet edhe për Kushtetutën). Prandaj, them që duhet të hapim një debat të gjerë për të diskutuar që në pranverë të merret një vendim. Unë do të thosha që, për të mos i trembur partitë, ndryshimet kushtetuese mund të bëhen që të hyjnë në fuqi edhe pas zgjedhjeve të Presidentit.
Ju thoni se jeni të hapur edhe në bashkëpunim me opozitën për pika të caktuara, por tre vjet më parë ishte propozimi i PS-së për Kodin Zgjedhor që nxori jashtë partitë e vogla, përfshi edhe ju…
Ne nuk na intereson se kush do t’i bëjë ndryshimet, maxhoranca apo opozita, sepse cilado që merr iniciativën nëse nuk do të jetë dakord pala tjetër, ato nuk do të bëheshin. Kushdo që ta marrë iniciativën, përfundimi do të jetë i përbashkët. Efektet negative të këtij Kodi janë prodhimi i partive lokale dhe do tentojë të thellojë ndasitë që kanë shqiptarët. Ai do të prodhojë efekte shumë negative në Shqipëri, nëse nuk do ndryshohet me shpejtësinë e duhur. Këtu do të formohen parti krahinore, të natyrave fetare, sepse ligji është ndërtuar për të preferuar forcat lokale. Ka qenë një mendje perverse që ka menduar këtë lloj ligji.
Megjithëse duhen edhe 12 muaj për të zgjedhur Presidentin,kanë dalë në publik edhe emrat e parë. Aleatë të PS-së kanë propozuar Bamir Topin, ndërsa aleatët e PD-së, Jozefina Topallin. Cili është vlerësimi juaj për këto dy figura?
Nuk dua të merrem me emra, sepse deri kur të bëhen zgjedhjet do dalin kaq shumë emra. Unë i quaj figura që kanë investuar në politikën shqiptare, figura dinjitoze. Unë e kam frikën që kjo thashethemnajë politike, e cila do të jetonte në një ambient normal politik, do kishte vlerën e vet. Realiteti është se shpeshherë zgjedhja e Presidentit në Shqipëri ka qenë më shumë se sa faktor popullariteti apo investimi publik, ka qenë derivat i skemave politike brenda Parlamentit. Ajo është e kufizuar, sepse diskutohet a i ke votat e deputetëve që do të thotë a i ke votat e partive që do të thotë a i ke votat e kryetarëve të partive. Po të ishte çështje popullariteti, mund të kishte edhe shumë personazhe të tjera. Nuk është çudi që president të jetë edhe ndonjë personazh pa ndonjë investim të madh politik. Tani është akoma më e lehtë, personazhi do të jetë detyrimisht edhe më shumë partiak. Ky është ‘nderi’ që i bëri Kushtetuta e ndryshuar këtij Parlamenti.
Ka rreth një muaj e gjysmë që Basha ka filluar punën në Bashki. Keni një vlerësim për punën e tij të deritanishme?
Është shumë shpejt për të gjykuar. Dy muaj nuk janë asgjë për një bashki si ajo e Tiranës dhe që është qeverisur për shumë kohë nga pala tjetër, sepse ka të bëjë edhe kjo. Por, unë quaj pozitiv ritmin me të cilin Unaza e Madhe e Tiranës po ecën përpara. Kjo bashki e re ka nevojë të bëjë vepra publike. Edhe ideja që po shemben disa shtëpi pa leje është pozitive, që qytetarët ta marrin mesazhin që nuk mund të ndërtohet pa leje. Zoti Basha ka kohë të verifikohet, sepse janë edhe katër vjet përpara.
A keni pasur ju kontakte me Partinë Demokratike, sepse emri juaj është përfolur së fundmi për kryetar të KLSH?
Jo nuk kemi marrëveshje. Ka sugjerime, ka ide që një person si puna ime mund ta bëjë këtë punë. Unë kam bërë punë edhe të tjera, mund të bëj si ajo, mund të bëj edhe më shumë se ajo. Mua më kanë konsideruar si njeri më shumë të shtetit, sesa të partive. Ky është një funksion, kur të vijë koha. Unë nuk dua t’i përmbahem thashethemeve. Kur të fillojmë të flasim seriozisht, kur të vijnë afatet mund të flasim për emrat, për çështjet politike dhe për temat e ndryshme që shqetësojnë sot shoqërinë shqiptare. Por deri tani nuk kemi asgjë zyrtare, as ndonjë propozim, as ndonjë refuzim.
ADI SHKEMBI











