
Autoriteti i Aviacionit Civil i shtohet listës së institucioneve që kanë kaluar në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raporti i dalë pas këtij kontrolli nxjerr në pah një sërë praktikash të gabuara të zbatuara në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që dëmi i shkaktuar kap vlerën totale prej 2.3 milionë eurosh. Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi dje se gjatë muajve prill dhe maj audituesit e tij kanë bërë kontroll pranë AAC për periudhën e veprimtarisë nga 1.9.2010 deri më 29.2.2012. Nga gjithë informacioni i siguruar rezulton që Autoriteti të mos ketë mbledhur tarifat nga kompani të caktuara, të cilat llogariten me një dëm 1.9 milionë euro. “Moshartimi dhe mosparaqitja për miratim te ministri i MPPT i tarifave që duhet të zbatohen nga AAC për shërbimet që duhen kryer është shoqëruar me efekte financiare negative në të ardhurat e AAC-së në vlerën 1,9 milionë euro, duke favorizuar kompanitë ajrore ‘Belle Air’ dhe ‘Albanian Airlines’”, thuhet në raportin e KLSH-së. Por sipas të njëjtit raport duket se ish-drejtuesi i AAC ka favorizuar bashkëpunimin me një fondacion me drejtuesit e të cilit ka pasur marrëdhënie të afërta. Për KLSH-në procedurat në Autoritetin e Aviacionit Civil janë ndjekur me shumë problematika, sidomos për prokurimet që ky institucion ka zhvilluar, ndërkohë që ngërç ka pasur edhe në hartimin e raporteve të veprimtarisë apo edhe në llogaritjet paraprake që duhet të bëjë autoriteti. Lidhur me të gjitha problematikat, KLSH-ja ka bërë edhe rekomandimet për masat e nevojshme disiplinore dhe administrative që duhet të ndërmerren. Mes të tjerave, është propozuar shkarkimi i zëvendësdrejtorit aktual, kurse në Prokurori ka bërë dy kallëzime penale për ish-drejtorin e AAC-së si dhe për zëvendësdrejtorin aktual.
© Panorama.alDëmi i AAC
1. Moshartimi dhe mosparaqitja për miratim i tarifave, 1.9 milionë euro.2. Mosparashikimi i të ardhurave nga udhëtimet Charter, 405 mijë euro.
3. Mosmbledhja e tarifës së sigurisë së pasagjerëve, 10.7 mijë euro.
4. Arkëtimi në favor të fondacionit “Akademia e Aeronautikës”, 4.3 milionë lekë.











