
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, një ditë pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka nisur procedurat për shkarkimin e drejtorit të Agjencisë së Trajtimit te Koncensioneve (ATRAKO), Shkëlqim Kerluku.
Në një reagim të shkurtër të METE bëhet me dije se po studiohet, me seriozitet raporti i KLSH-së, dhe se do të merret çdo vendim në bazë të ligjit, duke njoftuar edhe publikun çdo ditë.
RAPORTI
Mungesë të theksuar dokumentacioni nga operatorët ekonomikë, tejkalim kompetencash dhe shkelje të titullarëve apo shpërdorim të pasurisë publike, janë disa nga problemet që thekson raporti i KLSH. Koncesionet që deri më tani janë lakuar si një histori suksesi, duket se për Kontrollin e Lartë të Shtetit paraqesin probleme të shumta në një numër të madh të tyre. Harku kohor i kontrollit përfshin tre ministrat që kanë drejtuar Ekonominë që nga janari i 2010- s në shtator 2011. “Cilësojmë se nga audituesit e KLSH ¸sht¸ kryer auditimi për grup koncesionesh, ku përfshihen 86 HEC-e. Parregullsitë dhe shkeljet, si dhe mosllogaritja e penaliteteve si pasojë e moszbatimit të kushteve të kontratave në 73 koncesione, kanë shkaktuar mungesë në të ardhurat nga këto koncesione, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 595 milionë lekë”, vlerëson KLSH në raportin e tij. Nga ana tjetër, mospagesa e tarifës ndaj Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve ka sjellë një dëm 11 milionë dollarë. Në fushën e koncesioneve shkelje vërehen edhe në aspektin e pagesave që koncesionarët që kanë prodhuar energji, nuk kanë derdhur në arkën e shtetit. Dëmi nga kjo llogaritet të jetë 11 milionë lekë. Tejzgjatja e afateve për ndërtimin e hidrocentraleve me firmën e ministrit duket se është një tjetër problematikë që shqetëson KLSH-në. Kjo praktikë, sipas kësaj të fundit, nuk është e rregullt. “Lidhur me kërkesën e koncesionarëve për shtyrjen e afatit të përfundimit të ndërtimit të HEC-eve, ka rezultuar se është bërë me miratim me shkresë nga titullari, por pa kontratë shtesë, në kundërshtim me ligjin”, vlerëson KLSH.
MASAT
Një “lumë” masash dhe kallëzimesh ka propozuar Kontrolli i Lartë Shtetit për Ministrinë e Ekonomisë dhe agjencitë në vartësi të saj (AKBN-ja dhe ATRAKO), të cilat monitorojnë fushën e koncesioneve dhe atë të sektorit minerar. Përveç shlyerjes së një pjese të dëmit që shkon në miliona dollarë, më së shumti bien në sy propozimet për shkarkime dhe kallëzimet e bëra nga KLSH. Është propozuar largimi nga shërbimi civil për 6 punonjës, dy prej të cilëve punonjës aktualë, është propozuar ulje në detyrë për një vit për 3 punonjës. KLSH, ashtu siç e ka deklaruar më herët edhe kreu i saj Bujar Leskaj, ka ashpërsuar edhe më shumë masat duke kallëzuar penalisht 5 punonjës në Prokurori. “Për shkeljet financiare me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, për personat shkaktarë përgjegjës të niveleve të ndryshme drejtuese, kemi përgatitur dhe dërguar dy kallëzime penale në organet e Prokurorisë për 5 punonjës për një vlerë dëmi prej 595 milionë lekë, respektivisht një drejtor i përgjithshëm, një drejtor drejtorie, dy përgjegjës sektori dhe një specialist”, thuhet në raportin e KLSH-së.
© Panorama.al











