
Ish-shefi i SHIK komenton akuzat e opozitës.
“Sot me pajisje dixhitale mund të përgjosh kollaj, në kohën time kishte central analog”
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi, në një intervistë për “Panorama” shprehet se prej kohësh Shërbimi Informativ i Ushtrisë është fuqizuar dhe ka marrë në rrugë jo ligjore kompetenca të frikshme. Përgjimet, sipas Klosit, janë lehtësisht të realizueshme edhe falë dixhitalizimit të mjeteve të komunikimit. Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ Kombëtar (aktualisht quhet SHISH) shprehet me tone kritike ndaj moslejimit të kontrollit parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes. Klosi rrëfen dhe mënyrën e pajisjet që duhen për të realizuar një përgjim telefonik qoftë dhe atë fizik.
Zoti Klosi, kryetari i opozitës ka deklaruar që deputetët e opozitës përgjohen nga Shërbimi Informativ Ushtarak (SHIU). Ju, si njohës i mirë i strukturave informative dhe si ish-kryetar i Shërbimit Informativ, si e gjykoni këtë deklaratë dhe a ka tagër ligjor që të bëhet një përgjim i tillë nga SHIU?
Nga eksperienca ime, do të thosha se edhe mund të jetë e vërtetë. Në filozofinë e vet Kryeministri, që dikur ka qenë president i vendit, por që i kishte të dyja funksionet, dhe të Presidentit dhe të Kryeministrit njëkohësisht, e ka pasur këtë filozofi. Opozita në atë kohë është përgjuar dhe kur e morëm ne Shërbimin, megjithëse jam i sigurt që ishin bërë shumë rregullime për të mos lënë gjurmë, por atëherë teknikat e përgjimit ishin shumë të vjetra dhe ishin harruar disa lidhje dhe ne gjetëm të lidhur me përgjues shumë numra telefoni të eksponentëve të opozitës së atëhershme që janë dhe në opozitën e sotshme, dhe këto lidhje kishin mbetur të lidhura. Kryetari i maxhorancës kërkon të dijë gjëra që nuk i di, dhe kërkon t’i marrë vesh nga ky lloj përgjimi. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit. Sepse nuk u tha që përgjimi u bë nga SHISH, por nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe kjo është në linjë me atë që është deklaruar, meqenëse Kryeministri nuk e vuri dot nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror, edhe pse me ligj e ka, por ai nuk ka qejf që ta ketë në kontroll kur njerëzit që janë aty nuk janë të tërët të tij. Ai, me të ardhur Kryeministër, tha që do ta çonte SHISH-in në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe po ta kishte bërë këtë lëvizje do ta kishte pasur nën kontrollin e plotë. S’e bëri dot këtë kalim, atëherë u mundua ta hiqte shefin e SHISH-it, s’e bëri dot dhe heqjen e kreut të SHISH-it, dhe atëherë vendosi të sajojë një shërbim tjetër informativ, po kaq të fuqishëm, SHIU-n, dhe mund të them mbase më të fuqishëm se sa SHISH.
A mendoni se Shërbimi Informativ Ushtarak i ka mundësitë dhe pajisjet për të ndërmarrë përgjime të tilla ndaj deputetëve apo kujtdo qoftë tjetër?
Mundësitë sot janë dhe relativisht të thjeshta. Pse? Sepse sot të gjitha informacionet janë dixhitale. Centrali i telefonit në kohën tonë ishte analog dhe ne detyroheshim të vendosim fisha në bornet e secilit numër që do të përgjohej. Kurse sot, duke kaluar në sistemin dixhital, është e tëra e kompjuterizuar dhe të gjitha centralet, qoftë ai i numrave fiks dhe qoftë centralet e operatorëve të telefonisë celulare, e kanë të përgatitur që në prodhim vendin e daljes së informacionit që i shërben shtetit. Problemi është se si i përdor shteti këto informacione. Ta marrësh këtë informacion është shumë kollaj, me një linjë të thjeshtë me fibra optike apo radiorele, mund të rrish para kompjuterit dhe të vendosësh se cilin numër do të përgjosh nga ç’kohë deri në ç’kohë, apo ai përgjim të regjistrohet, apo ta dëgjosh në kohe reale. Pra, këto gjëra sot janë teknikisht të zgjidhura, sigurisht që të përgjosh duhet bashkëpunimi me operatorët celularë, por nuk e quaj të zorshme këtë gjë. Kontratat e tyre në kohën time, ata kishin këtë detyrim që të bashkëpunonin dhe për nevojat e shtetit të lejonin të bashkëpunonin, për transmetimin e informacionit të nevojshëm nga një operator në një institucion shtetëror.
Edhe në rastet kur konsiderohet se po shkelet ligji?
Në kohen time, ishte Prokuroria ajo që kishte të drejtën ekskluzive dhe na delegonte ne të drejtën për të përgjuar. Kurse sot gjërat mund të kenë ndryshuar dhe duke ditur marrëdhëniet e Kryeministrit me Prokurorinë nuk jam i sigurt që, me kompanitë flet Prokuroria. Pra e quaj që kompanitë celulare apo ato fikse janë të detyruara t’i binden qeverisë. Pastaj ku e çon këtë informacion qeveria? Ja dërgon SHISH apo ia ka deleguar SHIU-t, ky është një problem i qeverisë. Prandaj e quaj teknikisht një problem jo të zorshëm.
Në dijeninë tuaj, një përgjim i tillë i celularit apo telefonit a lë gjurmë apo identifikohet?
Një përgjim i tillë, në qoftë se do të kërkonte të linte gjurmë, do t’i linte ato gjurmë, por nëse bëhet kundra ligjit, sepse njerëz e menaxhojnë, çdo gjë është e planifikuar. Softi që përdoret është në dorë të njerëzve dhe në qoftë se ai përdoret me kujdes, ai program nuk lë gjurmë. Në qoftë se ata zbatojnë rregullat që përgjimet të lënë gjurmë, sepse dhe sistemi që na erdhi ne atëherë u porosit dhe u programua me një shërbim informativ partner, u programua në mënyrë që të linte gjurmë, në mënyrë për ta kontrolluar Shërbimin Informativ Shtetëror, që ai të kryente shërbimet dhe jo të përdoret si mjet për të arritur qëllime politike.
Këto kompetenca për të realizuar përgjime a i ka pasur më parë Shërbimi Informativ Ushtarak?
SHIU nuk ka pasur fare kompetenca të realizojë përgjime. Sepse SHIU kishte për detyrë që të ndiqte veprimtarinë e Ushtrisë dhe të mos cenonte sigurinë kombëtare brenda Ushtrisë. SHIU është një institucion që ka një territor të caktuar të veprimtarisë së tij dhe deputetët janë jashtë këtij territori. Po të jetë e vërtetë, është absolutisht e paligjshme.
A ka dublim të punës së Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri?
Unë mund të them që po dublohet SHISH-i dhe po lihet mënjanë. Dhe detyrat e SHISH, natyrisht jo me ligj, sepse nuk mund të bëhet me ligj se do ishte skandal, por urdhra ose me udhëzime, mbase edhe gojore, për të mos lënë gjurmë, po ia kalojnë kompetencat Shërbimit Informativ Ushtarak. Në qoftë se është i vërtetë përgjimi i deputetëve, është një provë që Shërbimi Informativ i Ushtrisë është bërë goxha i fuqishëm dhe ia ka kaluar Shërbimit Informativ Shtetëror.
SHISH a ka mundësi, qoftë edhe pa leje, të përgjojë deputetët?
SHISH nuk ka të drejtë të përgjojë deputetë. Në qoftë se në punën e SHISH-it do të dilte emri i një deputeti dhe ia vlente që të shtyheshe pak më tutje, atëherë duhet të merrje leje në Parlament për një deputet dhe te Kryeministri për të përgjuar një ministër, dhe kjo leje nuk është dhënë ndonjëherë e SHIK-u e ka mbyllur si çështje. Ka pasur raste që mund të trajtoheshin në punë operative në lidhje me një deputet ka qenë e prerë, jo nuk jepet leje për ta kontrolluar.
Disa javë më parë, pas akuzave në media, ka dhënë dorëheqjen drejtori i SHIU-t. Si e konsideroni këtë dorëheqje?
Akti i dorëheqjes është gjithnjë pozitiv, tregon integritet. Sepse praktikisht pranon që është fajtor për një problem dhe jep dorëheqjen për të mos u bërë më pjesë e akteve të gabuara. Në një farë mënyrë, i jep mundësi edhe Drejtësisë të veprojë. Sepse ai është titullar i një institucioni dhe nuk është aq kollaj të hetohet duke qenë në detyrë, se ka në dorë të gjitha levat që të zhdukë “provat”. Kështu aktin e dorëheqjes së tij, po të jetë i lidhur me këtë problem, e quaj pozitiv.
Opozita e ka quajtur si një tentativë për të shmangur përgjegjësitë. Sa gjasa ka të ndodhë kjo?
Jo. Sepse problemi i përgjimeve, nëse ka ndodhur, nuk ka ndodhur sot, ky është një problem që mund të ketë ndodhur vitin e fundit dhe në qoftë se jep dorëheqje javën e fundit, atëherë ke brenda muajt e tjerë. Nuk shmanget përgjegjësia me dhënien e dorëheqjes. Nëse ka ndodhur që të jenë përgjuar deputetët, atëherë kjo është një vepër penale shumë e rëndë, dhe jo administrative. Nuk shpëtohet nga të tilla përgjegjësi.
Lidhur me përgjimet, opozita ka hedhur akuza se përdoren dhe makina të posaçme për të realizuar përgjime qoftë në ambiente të ndryshme, qoftë në zyra. A është e mundur të ndodhë kjo?
Shërbimi Informativ ka një sektor të veçantë për këtë problem dhe ai sektor mund të ngrihet në çdo shërbim, po t’i japësh detyrë. Problemi është t’i jepen paratë dhe t’i jepen detyra. Në një farë mënyrë, kur i jepen detyra, duhet t’i jepet mbështetje, sepse kemi të bëjmë me diçka të paligjshme. Bashkë me financimin, do t’i jepet mbështetja, një siguri që nuk do t’i gjejë gjë ata njerëz, në qoftë se do ta ngrenë një shërbim të tillë të përgjimit fizik. Por që mund të bëhet, për të zbuluar me kë u takua, për çfarë u takua. Përgjimi i telefonatave e besoj se mund të ndodhë, sepse njerëzit flasin shumë në telefon. Në qoftë se përgjohen, bëhet me telefonat, nuk besoj te ketë ndonjë përgjim fizik, mbase dhe ajo bëhet, se nuk ka ndonjë gjë të vështirë, mbase nëpër zyra.
Lidhur me debatin në Komisionin e Sigurisë për të mbikëqyrur punën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kërkesa për të ushtruar kontroll parlamentar ndaj ministrit Imami, si e gjykoni faktin që nuk janë lejuar deputetët të zhvillojnë këtë mbikëqyrje?
Në qoftë se nuk janë lejuar, atëherë kjo do të thotë që aty ka diçka për t’u fshehur. Unë nuk kam guxuar kurrë që të mos lejoj kontrollin parlamentar, në ato pak raste që më është kërkuar në punën e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe që me ligj është shkruar që është një punë sekrete. Nuk mund të ndalohen deputetët. Ne kishim këtë rregull, që Komisioni i Sigurisë kishte një nënkomision që përbëhej nga më pak deputetë të besuar, dhe unë atyre nuk mundet t’u fshihja asgjë. Refuzimi i një kontrolli të Komisionit të Sigurisë, për mua është e rëndë.
FATION BINJAKU
PS: Po përgjohen dhe diplomatët
Gramoz Ruçi akuzon ministrin e Mbrojtjes për përgjime të paligjshme dhe trafik armësh
Imami: S’lejoj kontroll punëtor fshatar në Ministri
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e akuzoi dje sërish ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se përveç opozitës, ky dikaster po përgjon edhe diplomatët e huaj. Duke folur në Parlament, Ruçi replikoi me ministrin edhe sa i përket trafikut të armëve dhe kontrollit që kërkon të bëjë opozita.
Përgjimet
Sipas Ruçit, diplomatët e akredituar në vendin tonë përgjohen nga Ministria e Mbrojtjes. “Ka mbi tri javë që një komision i këtij Parlamenti për dy çështje shumë të rëndësishme, siç është përgjimi i opozitës dhe i diplomatëve dhe siç është trafiku i armëve nga Ministria e Mbrojtjes, dhe kundërshtohet vendimi i Komisionit Parlamentar për të bërë kontrollin civil mbi Ekzekutivin. Ju duhet të ndërhyni me urgjencë sepse ky është përdhunim i parlamentarizmit të një vendi që është anëtar i NATO-s dhe institucioni i Ministrisë së një vendi anëtar të NATO-s bën përgjime opozitarësh dhe diplomatësh”, tha Ruçi. Në përgjigje të akuzave për përgjimet, ministri i Mbrojtjes tha se është opozita ajo që përgjon Ministrinë. Sipas tij, dikasteri i Mbrojtjes është nën sulmin e pakicës parlamentare. “Në fakt, nga deklaratat e z. Rama dhe ato të z. Gjoni, kuptohet se kush është i përgjuari. Qartazi, Ministria e Mbrojtjes është nën një sulm. Është e kuptueshme kjo. Është PS që po përpiqet të mbledhë informacion në rrugë të kundërligjshme për problemet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo është për të ardhur keq. Kjo nuk është rruga me të cilën veprohet. Kjo është rruga e vjetër e spiunëve dhe e mbledhjeve të bashkëpunëtorëve dhe informacioneve në rrugë të kundërligjshme”, u shpreh Imami.
Kontrolli

Kreu i Grupit socialist kërkoi ndërhyrjen e parlamentares Topalli lidhur me kontrollin që kërkojnë të bëjnë deputetët në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas tij, “Një vend anëtar i NATO-s që bën trafik armësh, një vend që aspiron për të marrë ftesën në vjeshtë dhe mungon kontrolli parlamentar mbi Ekzekutivin. Prandaj ne jemi opozitë, për të trajtuar këto çështje, për të përmbushur rolin tonë si parlamentarë dhe si opozitarë, por edhe juve, si drejtuese e Parlamentit, duhet të ushtroni të gjitha atributet tuaja kushtetuese dhe parlamentare që ministrat të përmbushin rolin e tyre”. Por, në përgjigje të këtyre deklaratave, Imami tha se nuk do ta lejojë këtë kontroll për shkak se ai është antikushtetues. “Nuk do të ketë kontroll punëtor në asnjë shumicë dhe me asnjë opozitë në Shqipëri. Shqipëria është një vend demokratik ku sundon procedura. Në qoftë se disa deputetë, të cilësdo parti qofshin, qoftë edhe të Partisë Demokratike, nesër në mëngjes do të dëshirojnë të futen në cilëndo ministri për të ushtruar kontroll, kjo është antikushtetuese, kjo është thelbësisht antikushtetuese”, tha ministri i Mbrojtjes.
Replikat
Erjon Braçe: Shko ore mbushu! Kujt i thua fshatar ti? Deputetëve të opozitës?
Arben Imami: Nuk do të ketë kontroll.
Erjon Braçe: Do të ketë ore, do të ketë.
Arben Imami: Kam pasur gatishmërinë e plotë, u jam përgjigjur me shkrim pyetjeve të deputetëve të opozitës. Dhe propozoj të ngrihet një nënkomision i Komisionit të Sigurisë me 3 apo 4 veta që betohen për sekretet shtetërore.
Erjon Brace: (Pyetje pa mikrofon Arben Imamit) Ç’i duan kopsat përgjuese që kanë blerë? Po çakmakët me përgjues për çfarë i do? Edhe pullat për çfarë i do? Na trego pra.
Rama
Lidhur me replikat e ditës së djeshme ka reaguar nga Selaniku edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i cili ka shkruar në Twitter: “Në Ministrinë e Mbrojtjes janë përgjuar opozitarë e diplomatë të huaj, dhe sot Arben Imami nuk e fshehu dot përzierjen e tij në atë batak. Moslejimi i kontrollit parlamentar të opozitës dhe sulmet banale ndaj saj janë përpjekje të kota për të fshehur atë që tanimë është zbuluar”.
Bizhga: Qeveria i shiti Malit të Zi armë për regjimin e Gedafit
Deputeti i PS: Imami, lidhje me biznesmenët serbë

Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, deklaroi dje në Kuvend se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duhet të japë shpjegime për tregtinë e armëve me Malin e Zi dhe të shpjegojë lidhjet e tij me Damir Fazlliçin. “Kërkesës sonë se si shpjegohet që për dy vjet Shqipëria i tregton Malit të Zi 210 mijë predha të kalibrit të rëndë 80-120 mm, me destinacion përfundimtar përdorimi Malin e Zi, kur vetë ky vend me 500 mijë banorë nuk ka aq kapacitet për ta depozituar këtë armatim e jo më ta përdorë dhe që kalon disafish kapacitetin e saj mbrojtës, ministri i përgjigjet se nuk më duhet mua se çfarë bëjnë ata. Ky armatim, kolegë, ka vajtur për regjimin e Gedafit dhe është ai që u kap në portet libiane në mesin e luftës e që u denoncua nga Euronevws dhe Nevv York Times. Kërkesës sonë më datën 21 mars të vitit 2011 se përse Ministria e Mbrojtjes tregton me Jemenin armatim të rëndë, kur ky vend është në luftë civile, ministri na u përgjigj se kjo nuk do të ndodhë, pasi ne si rregull nuk tregtojmë me vendet që janë në luftë, ndërkohë që në datën 31 mars 2011, Ministria e Mbrojtjes i shet Jemenit 20 mijë predha 120 mm, në kulmin e luftës civile. Kërkesës sonë se çfarë e lidh ministrin e Mbrojtjes me tregtarin qeveritar, serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, ministri i përgjigjet se e ka një mik të hershëm të tijin. Tani unë po ju pyes, z. Ministër: Ju jeni ministri i Mbrojtjes së shqiptarëve, apo përfaqësuesi i interesave të tregtarëve serbë të armëve?”, deklaroi Bizhga.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











