Klosi, debat me Ruçin për mandatin e Seserit në Kuvend

Feb 15, 2012 | 11:40

Blendi Klosi

Sekretari Organizativ i PS i kërkon kreut të Grupit ta zëvendësojë.

Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, kërkoi dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist zëvendësimin sa më parë të vendit të lënë bosh në listën e deputetëve të qarkut Durrës, pas dorëheqjes së Rudina Seserit. Për këtë ai i është drejtuar kreut të Grupit Parlamentar socialist që të mos e zvarrisë më këtë procedurë. “Nuk e kuptoj pse po lihet ende vakant vendi i deputetes Rudina Seseri, e cila dha dorëheqjen nga mandati. Nuk e kuptoj pse shoku Gramoz, ju që jeni dhe në Konferencën e kryetarëve por dhe në Komisionin e Mandateve e të Imuniteteve, nuk e keni nxitur këtë procedurë”, iu drejtua Klosi kreut të Grupit Parlamentar, por njëkohësisht dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Sipas Klosit, nuk ka asnjë pengesë tashmë që dhe kandidati i listës, Gjon Bardhi, i cili pas konsultimeve me zotin Rama, vendosi të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Fushë-Krujës. Por nga ana e tij, Ruçi pa dhënë një përgjigje të qartë, mësohet të ketë thënë se kjo është një çështje që do të shihet në ditët në vazhdim, për të plotësuar edhe boshllëkun që ka tashmë në Grupin Parlamentar socialist. Rudina Seseri, nëpërmjet dy letrave të dërguara më 16 dhjetor 2011, përkatësisht kreut të PS-së, Edi Rama dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri me dije dorëheqjen nga mandati i deputetes për arsye personale. Në letrën e parë për Ramën të datës 14 dhjetor, deputetja e Krujës shprehet: “I dashur Edi! Nëpërmjet kësaj letre, më duhet t’ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi”. Ndërsa në letrën për kryetaren e Kuvendit, Topalli, deputetja e PS-së i paraqet dorëheqjen nga posti i deputetes. “Nëpërmjet kësaj letre, më duhet t’ju njoftoj zyrtarisht se për arsye personale nuk do ta kem të mundur të vazhdoj detyrën e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Rishtazi kam vendosur të marr angazhime më të mëdha profesionale, të cilat e bëjnë të pamundur të përmbush përgjegjësinë e detyrës së deputetit në vazhdimësi. Shkëputja ime është efektive menjëherë dhe, në përputhje me ligjet në fuqi, mandati im i kalon kandidatit vijues të listës zgjedhore të Partisë Socialiste për Qarkun Durrës”, thuhet në letrën që Seseri i drejtoi Jozefina Topallit.

Gjon Bardhi
Kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, ishte i gjashti i listës së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2009-s në qarkun e Durrësit. Partia Socialiste fitoi pesë deputetë në ato zgjedhje. Por në zgjedhjet për pushtetin vendor, Bardhi kandidoi dhe fitoi për kryetarin e Bashkisë së Fushë-Krujës. Bardhi u shpreh pak javë më parë se do të konsultohej me kreun socialist Rama, për të vendosur se cilin nga mandatet do të mbante. Duket se ky konsultim është bërë dhe ai ka vendosur të mbajë Bashkinë e Fushë-Krujës.

Edison Konomi
Kandidati i shtatë në listën e deputetëve të Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit ishte financiari dhe njëkohësisht drejtor banke, Edison Konomi. Në atë periudhë, Konomi sapo ishte zgjedhur dhe kryetar i Partisë Socialiste të Durrësit. Pas tërheqjes së Gjon Bardhit nga marrja e mandatit të deputetit dhe mbajtjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Krujës, Konomi do të jetë deputeti më i ri i Parlamentit shqiptar. Aktualisht, Konomi drejton një nga degët e një banke të njohur private në Shqipëri, ndërsa shumë shpejt pritet të jetë pjesë e Grupit të PS.

© Panorama.al

Te lidhura