
Tentuan ta shpëtojnë nga vdekja. Qarku i Dibrës, 12 orë pa drita. OST: Policia të zbulojë autorët.
Trupi në kabinën elektrike. Banorët shkatërrojnë linjën e tensionit.
Për të shpëtuar adoleshentin shkatërrojnë linjën e tensionit të lartë. Kjo ngjarje ka ndodhur mesnatën e së dielës në fshatin Patin të Klosit, por tentativa e banorëve ka qenë e kotë, pasi Olsi Karaj, 17 vjeç, kishte ndërruar jetë. Policia e Burrelit ka nisur hetimet për atë çka ndodhi, mbi vdekjen e adoleshentit brenda kabinës elektrike, si dhe për dëmtimin e linjës së tensionit që la thuajse gjithë qarkun për 12 orë pa drita. Dyshohet se Karaj ka hyrë për të grabitur kabllot e energjisë brenda në kabinën elektrike, por ka rënë në kontakt me tensionin e lartë. Burime të sigurta informacioni bëjnë me dije se burrat e fshatit janë alarmuar kur kanë mësuar se 17-vjeçari Olsi Karaj kishte mbetur në kabinën elektrike të fshatit. Mungesa e të riut në shtëpi ka bërë që ata të dalin për ta kërkuar në fshat. Pasi kanë trokitur në shumë shtëpi të fshatit, banorët janë alarmuar dhe kanë nisur kërkimet. Kur kanë mbërritur te kabina kanë parë që dera ishte e shkallmuar dhe në të mund të hyhej pa problem. Me ndriçuesit që kishin me vete kanë parë Karajn e shtrirë në dysheme. Fillimisht kanë menduar se ai mund të ishte gjallë. Kanë kërkuar ndihmën e OST-së për të mundësuar ndërprerjen e energjisë elektrike, por një gjë e tillë nuk është kryer menjëherë. Në këto rrethana, ata kanë qëlluar me breshëri automatiku në shtyllat e tensionit të lartë, duke shigjetuar izolatorët. Kur energjia është ndërprerë,
banorët kanë hyrë në kabinë dhe kanë tërhequr trupin e 17-vjeçarit. Pikërisht në këtë moment kanë kuptuar se Olsi Karaj kishte ndërruar jetë. Policia lokale ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë OST-ja njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:15 të ditës së djeshme. “Është dëmtuar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar përcjellësi i linjës 110 kilovolt Burrel-Suç-Bulqizë. Për pasojë kanë mbetur pa energji elektrike nënstacionet e Suçit, Vojnikut dhe Peshkopisë, të cilët furnizoheshin nga kjo linjë. Në afërsi të vendit të dëmtimit, specialistët e OST-së kanë gjetur një numër të konsiderueshëm gëzhojash arme zjarri. Për këtë ata kanë njoftuar organet e rendit dhe kanë depozituar kallëzim penal mbi autorët e mundshëm të kësaj ngjarjeje”, thuhet në deklaratën e OST-së. Grupi hetimor nuk ka përcaktuar ende arsyet pse Karaj ka hyrë në kabinën elektrike të fshatit dhe as autorët që dëmtuan linjën e tensionit të lartë, duke lënë pa energji rrethet Dibër, Bulqizë, minierën e kromit, si dhe disa fshatra të Bashkisë Klos. Vetëm mesditën e djeshme u rikthye energjia në këto zona.
KLOS/ HASAN PASHA
© Panorama.al











