Klodian Duro është pranë rikthimit te Tirana. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, pranon në një intervistë për “Panorama Sport” se ka folur me drejtuesit e klubit bardheblu dhe, me shumë mundësi, do të luajë për 24-herë kampionët në sezonin e ri. Megjithatë, ai pret një sinjal nga klubet austriake dhe nëse deri të dielën, kur nis grumbullimi i Kombëtares, nuk ka diçka konkrete, atëherë shanset për rikthimin te Tirana janë të mëdha. “Po nuk firmosa në Austri, besoj se do të luaj për bardheblutë. Me rikthimin në Shqipëri, sigurisht që edhe karrierën do ta mbyll te Tirana,”- ka thënë, ndër të tjera, futbollisti 33-vjeçar. “Aktualisht po stërvitem te skuadra ku mbylla sezonin, Lask Linz, megjithatë, ende nuk kam vendosur për të ardhmen. Por, do pres edhe pak ditë dhe do ta ndajë mendjen përfundimisht. Kam marrë disa oferta këtu në Austri, por asnjëra nuk më ka bindur dhe nuk kam gjetur akordin. Në fundjavë do vendos për të ardhmen dhe gjasat janë që të vishem bardheblu”, deklaroi futbollisti i kombëtares së Shqipërisë. “Kam folur me drejtuesit e Tiranës. Do të ulemi për të biseduar më konkretisht për kontratën që mund të nënshkruaj, por unë jam optimist se gjërat do të shkojnë si duhet”. Në fakt, Duro është përfolur për një konflikt në të shkuarën me presidentin Halili, por e mohon një gjë të tillë. “Nuk kam asnjë problem me Halilin. Kur kam qenë në Tiranë jemi takuar dhe sigurisht kemi folur për mundësinë e rikthimit tim. Gjithçka i përket së kaluarës. Unë kam luajtur disa vite për Tiranën, kam fituar trofe dhe e njoh mirë ambientin aty”, përfundoi deklaratën e tij Klodian Duro, duke lënë të nënkuptohet se sezonin e ardhshëm do e shohim me fanellën e bardhebluve.











