
Ish-banori i “BB3” rrëfen jetën njëvjeçare në Itali dhe takimin me Elio di Rupo, një gay i deklaruar.
Ka pasion artin, modën dhe baletin. Djaloshi që bëri një revolucion në opinionin shqiptar, tashmë është vendosur në Milano të Italisë, ku jeton dhe punon. E gjithë puna e tij lidhet me modën, pasi është punësuar në një nga lokalet e gjigantit të modës, Giorgio Armani. Ka kohë që nuk është prezent në mediat shqiptare nga frika e abuzimeve, por këtë radhë ka vendosur të rrëfehet për ”Panorama plus” mbi jetën dhe punën në Itali, udhëtimet nëpër vende të ndryshme të botës dhe planet për të vizituar vendin gjatë festës së Shën Valentinit. Klodian Çela tregon gjithashtu për takimin dhe darkën luksoze mes miqve dhe Kryeministrit belg, Elio di Rupe, e shumë gjëra të tjera interesante.
Klodi si kalon, ku ndodhesh për momentin dhe me çfarë je duke u marrë?
Jam ku kam qenë më parë, në Itali.
Çfarë pune je duke bërë atje?
Punoj në një nga lokalet e stilistit Giorgio Armani.
Si është jeta atje, mentaliteti, si ju ka pranuar rrethi italian?
Është një pyetje, që këtu është shumë ofensive. Për sa i përket mentalitetit apo pranimit, është më se normal, sepse faleminderit Zotit kam të bëj me njerëz me një kulturë dhe edukatë ku të gjithë jemi të respektuar. Mos harroni se flasim për Milanon edhe mbretin e modës Giorgio Armani dhe nuk ka nevojë për shumë koment.
Është e shtrenjtë jeta atje, si e përballoni jetën tuaj nga ana financiare?
Jeta gjithkund është e shtrejtë, por duke punuar si gjithë bota, se po nuk punove, askush nuk do t’ia dijë. Por, mirë, jam shumë i gëzuar që puna që kam më ofron mundësinë që krizën të mos e njoh.
Po në Shqipëri kur ke qenë herën e fundit?
Në Shqipëri ka një vit që nuk kam qenë.
Si janë raportet me ish- banorët e BB, me cilët mban ende kontakte dhe cilët nuk dëshiron t’i shohësh asnjëherë?
Me disa kam kontakte, por jemi të shpërndarë dhe kuptohet që nuk mund të bëjmë një tjetër “Big Brother”. Kontaktojmë nëpër telefona ose facebook, tashmë kjo aventurë ka kohë që ka mbaruar dhe të gjithë besoj se i janë kthyer jetës normale. Ka disa persona, me të cilët nuk kam shkuar mirë dhe është më se normale, por sinqerisht ka pak kohë që ua kam harruar emrat dhe fytyrat, por e rëndësishme është të jenë mirë kudo që janë.
Mund të na përshkruash ndonjë situatë interesante gjatë punës sate atje, ndonjë keqkuptim?
Tani keqkuptime ka në çdo vend pune, por ndonjë gjë të veçantë nuk kam pasur. Këtu nuk është si në Shqipëri, që shoferi do bëjë gazetarin apo doktori do bëjë Kryeministrin, rolet e punës janë të ndara e të respektuara.
Do na interesonte të dimë, është i dashuruar Klodi? Nëse po, mund të zbulojmë se me kë?
Zemra ime është plot me dashuri, por nuk flitet për atë sepse jeta personale është shumë larg jetës profesionale, por doni të dini se a jam i dashuruar… Jam dhe shumë.
Ku i ke kaluar festat e fundvitit, ku ke shëtitur gjatë gjithë kësaj kohe?
Krishtlindjet kalohen me familjen, por unë këtë herë i kalova në veri të Europës në Bruksel, në një darkë shumë elegante e të këndshme me Kryeministrin belg, Elio di Rupo dhe me disa miq e disa mikesha, pasi isha i ftuar nga vetë Kryeministri belg, ku dhe kam mbetur shumë i befasuar që gjatë darkës, një nga gazetarët hapi një bisedë që ai shtet ofronte azil politik për njerëzit e diskriminuar, dhe u habita nga sjellja e tyre xhentile dhe humane. U kënaqa jashtëzakonisht, sepse nuk më besohej aspak që një Kryeministër apo politikan të jetë aq i thjeshtë, jo si ata që ka Tirana. U çudita që shumë gay nga Shqipëria e Kosova ishin rehatuar në atë vend, me të vërtetë duhet të falënderoj atë shtet unë si gay, sepse pak e dinë se ç’do të thotë të jetosh në vendin tonë si i tillë.
Do kishe dashur të aplikoje për azil në këtë vend?
Mundësia më është ofruar në shumë vende të botës për azil, por unë kam vite në Itali dhe nuk kam pranuar.
Jeta e Kryeministrit belg, Elio di Rupo, i deklaruar si gay
Elio di Rupo u lind më 18 korrik 1951. Është belg social-demokrat, parti politike trashëgimtare nga Italia. Është Kryeministër i Belgjikës dhe kreu i Partisë Socialiste (PS). U bë udhëheqës më 6 dhjetor 2011. Di Rupo është i biri i dy emigrantëve italianë, babai i tij ka lindur në San Valentino në Abrucos Citeriore, në rajonin e Abruzzo-s. Elio është fëmija i vetëm, i cili ka lindur në Belgjikë, vëllezërit dhe motrat e tij kanë lindur të gjithë në Itali. Në moshën 1-vjeçare i ati i tij vdes në një aksident me makinë, ndërsa e ëma nuk ishte në gjendje të rrisë të gjithë fëmijët. Për shkak të krizës financiare, tre nga fëmijët u rritën në një jetimore. Në maj të vitit 2011, nga mbreti belg, Di Rupo mori detyrën për formimin e një qeverie të re. Ai u bë Kryeministër i qeverisë më 6 dhjetor 2011. Flet rrjedhshëm tri gjuhë, italisht, frëngjisht dhe anglisht. Doli si homoseksual në vitin 1996 dhe, kur u përball me akuzën se ai ishte homoseksual, u përgjigj: “Po pra, çfarë?” Ai është njeriu i parë homoseksual i deklaruar, që udhëheq një qeveri kombëtare në kohët moderne.
Klodi: “BB5”, pse të mos e fitojë një gay ose lesbike?
Nuk është dhe aq i kënaqur pas përfundimit të spektaklit të BB, sepse në shumë vende të botës, pas përfundimit të spektaklit, shumicën e pjesëmarrësve e sistemojnë nëpër vende të ndryshme të punës, me qëllim që të dalin të kënaqur të gjithë. Pyetjes nëse do të merrte pjesë përsëri Klodi në këtë spektakël dhe si e sheh fillimin e edicionit të pestë javën e ardhshme, ai tregon: ”(Qesh) Do kisha qejf të përjetoja dhe një javë, por kuptohet duhet t’i lëmë radhën dikujt tjetër, shpresojmë se do të jetë intersante për publikun, se ai i fundit nuk ishte kushedi se çfarë, përveç fitueses. Dhe ishte koha që një femër ta fitonte, sepse vetëm labët e kishin marrë (qesh). Shpresojmë që një ditë dhe një lesbike apo gay ta fitojë meqenëse mbahemi për një popull civil e inteligjent.”
BLERAND REXHEPI
© Panorama.al












