Klodeta Buzi, një ditë në Hollywood

Jun 19, 2011 | 13:02

Në ditën ndërkombëtare të muzikës më 21 qershor, Akademia Moderne e Muzikës, “Hollywood206” organizon eventin “RockFest”. I ideuar nga drejtuesja e kësaj shkolle, Klodeta Buzi, “RockFest” vjen si manifest cilësor i muzikës dhe një mbështetje për të gjithë artistët e rinj shqiptar. “Ne në “Hollywood206” organizojmë dy herë në vit “RockFest”, ku studentët e Akademisë luajnë këngë të famshme të artistëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe interpretojnë shumë prej kompozimeve të tyre. Këtë të martë, ky event do të prezantohet ndryshe, plot risi e surpriza të veçanta. Përveç studentëve të Akademisë, do të ketë dhe grupe të tjera muzikore, të cilat do të luajnë “live” kompozimet e tyre”, thekson Buzi. Gjatë shfaqjes skenike, artistë të njohur shqiptarë do të jenë të pranishëm për t’i dhënë mbështetje brezit të ri të muzikantëve. I gjithë eventi është konceptuar në formë feste, e cila do të nisë në orën 18:00 të pasdites e do të zhvillohet tek Amfiteatri, Liqeni i Tiranës. “Grupet pjesëmarrëse do të luajnë “live” dhe do të performojnë muzikën e tyre origjinale. E gjitha është konceptuar si një shfaqje e zgjedhur, me grupe muzikore që do të dhurojnë spektakël dhe shumë surpriza të këndshme për të pranishmit aty”.

© Panorama.al

Te lidhura