
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka rikonfirmuar edhe njëherë se Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të parezervë nga Shtetet e Bashkuara, në implementimin e agjendës evro-atlantike.
Këto komente ajo i bëri gjatë bisedës së sotme telefonike me kryeministrin Hashim Thaçi, ka njoftuar kryeministria e Kosovës.
Zoti Thaçi ka kërkuar mbështetje, në mënyrë që Kosovës “t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian”.
Zonja Klinton i ka rikujtuar kryeministrit Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës, se SHBA-të asnjëherë nuk do t’i sugjeronte qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime, të cilat do t’i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet evro-atlantike, thuhet në deklaratën e kryeministrisë.
Po ashtu, sekretarja Klinton e uroi zotin Thaçi me rastin e katërvjetorit të Republikës së Kosovës dhe e përgëzoi për të arriturat gjatë këtyre viteve.(rel)
© Panorama.al










